Salihu: Frika nga skenari i ndarjes, pas masave të ashpra ekonomike

  • 12 December 2018 - 15:32
Salihu: Frika nga skenari i ndarjes, pas masave të ashpra ekonomike

 Deputeti Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ideja e qeverisë për masa të reja shtesë ndaj Serbisë në parim është e qëlluar. "Në veçanti më pëlqen ideja që Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të vendosë masa të reciprociteti ndaj Serbisë në ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë", u shpreh ai."Me këtë veprim, edhe Qeveria e Kosovës do të duhej vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës, si dhe mosnjohjen e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera. Por, për momentin mbetet një mister se a do ta dërgojë deri në fund qeveria marrjen e të gjithave masave të reciprocitetit me Serbinë, apo do të dorëzohet para Serbisë, si çdo qeveri paraprake", potencoi Salihu."Kam frikën se Qeveria 'Haradinaj' i ka marrë këto masa dhe mund të jetë pjesë e skenarit të dy presidentëve Thaçi dhe Vuçiqi, për ndarjen apo këmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Veç saj, kam frikën se nga presioni ndërkombëtar Kosova dhe kryeministri Ramush Haradinaj do të detyrohen që të tërhiqen nga këto masa ndaj Serbisë, sepse është i madh presioni ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi Serbia tashmë po duket qartë se është e ledhatuara e BE-së, nga frika se ajo mund t'i bashkëngjitet ndonjë aleance ushtarake dhe politike me Rusinë", vlerësoi më tej ai.

Lexo edhe këtë: Pas taksës 100 për qind, masa të reja për targat dhe dokumentet

(Kosova Sot)