Toka mund të bëhet si në Epokën e Eocenit, e nxehtë e pa akullnaja

  • 12 December 2018 - 15:39
Toka mund të bëhet si në Epokën e Eocenit, e nxehtë e pa akullnaja

Nëse njerëzit nuk vejnë nën kontroll lirimin e gazrave të serrës, rrezikojmë që ta çojmë klimën e Tokës në një gjendje të ngjashme me atë që ishte parë 50 milionë vjet më parë. Këtë e thotë një studim i ri, i cili gjeti se aktiviteti njerëzor është duke e kthyer mbrapshtë trendin afatgjatë të ftohjes, i cili kishte filluar prej Epokës së Eocenit, kur planeti ishte i ngrohtë dhe thuajse nuk kishte fare akullnaja. Për rreth 20 vjet, kërkuesit shkencorë thonë se klima mund të bëhet e ngjashme me atë të mesit të Pliocenit, një periudhë e cila ka ekzistuar më shumë se 3 milionë vjet më parë dhe, nga viti 2150, ne pritet ta kemi kthyer prapa orën klimatike për 50 milionë vjet.

Territori i pashkelur për racën njerëzore

Sipas një raporti të ri shqetësues, të botuar në "Proceedings of the National Academy of Sciences", ky kthim prapa, i shkaktuar nga njerëzit, ka filluar qe dy shekuj, duke sjellë ndryshimet më të shpejta, të para ndonjëherë. Derisa paraardhësit e njerëzve dhe kafshëve kanë jetuar në Tokë gjatë Eocenit dhe Pliocenit, mbetet e paqartë sesi do të përshtaten speciet e tashme me këto ndryshime të përshpejtuara të klimës. 'Nëse mendojmë rreth të së ardhmes duke u bazuar te e kaluara, atëherë drejtimi në të cilin jemi duke shkuar, është territor i pashkelur për racën njerëzore', thotë autori i studimit Kevin Burke, i cili e bëri këtë studim derisa ishte para diplomimit në Universitetin e Uiskonsinit - "Madison". 'Jemi duke shkuar drejt ndryshimeve shumë dramatike për një kohë relativisht tepër të shkurtër, duke kthyer prapa një trend planetar të ftohjes për vetëm disa shekuj". 

Temperaturat globale mesatarisht ishin për 13 shkallë C më të nxehta sesa që janë sot

Në kuadër të këtij studimi, kërkuesit shkencorë ekzaminuan të dhënat rreth të së kaluarës gjeologjike të Tokës, për të parë sesi epokat e ndryshme ndikuan në projektimet e ndryshme klimatike nga Paneli ndërqeveritar për ndryshime klimatike në raportin e pestë vlerësues të tij. Gjatë Pliocenit, rreth 3 milionë vjet më parë, sipas shkencëtarëve temperaturat ishin për 1.8 deri 3.6 C më të larta sesa sot. Dhe, gjatë Eocenit, temperaturat globale mesatarisht ishin për 13 shkallë C më të nxehta sesa që janë sot. Ekipi po ashtu analizoi edhe epokën e fundit interglaciale (129 deri 116000 vjet më parë), mesin e Holocenit (rreth 6,000 vjet më parë), epokën para industriale (para vitit 1850), si dhe fillimin e shekullit XX. 'Mund ta përdorim të kaluarën si masë për ta kuptuar të ardhmen, e cila është krejt ndryshe nga çdo gjë që kemi përjetuar deri më tani', thotë paleoekologu John "Jack" Williams, profesor i gjeografisë në Universitetin e Uiskonsinit - "Madison". 'Njerëzit e kanë të vështirë që të parashikojnë se çka do të ndodhë gjatë 10 vjetëve të ardhshme', thotë ai. Nëse vazhdon lirimi i gazrave të serrës, sikur që parashikohet me modelin "RCP8.5", ngrohja do të vazhdojë derisa Toka të bëhet e gatshme me Eocenin, diku rreth vitit 2100. Deri në vitin 2150, këto kushte do të rrënjosen edhe më shumë në tërë botën. Ekipi po ashtu gjeti se mund të paraqiten edhe kushte klimatike të papara ndonjëherë në të kaluarën, sidomos në Azinë lindore dhe juglindore, në Australinë veriore dhe në bregdetin e Amerikës. Nëse bëhen përpjekje maksimale, atëherë kërkuesit shkencorë thonë se efektet e ndryshimeve klimatike mund të sillet në minimum. 'Sa më shumë që të largohemi nga Holoceni, aq më i madh do të jetë potenciali pozitiv', thotë Williams. 'Gjatë afër 20 deri 25 vjet që jam duke punuar në këtë fushë, kemi kaluar nga pritja e ndryshimeve klimatike, deri te përcaktimi i efekteve dhe, tani shohim se kjo është duke shkaktuar dëm. Njerëzit po vdesin, prona është duke u dëmtuar, kemi zjarre dhe stuhi më me intensitet. Kërkuesit shkencorë thonë se këto gjetje kanë implikime serioze për të ardhmen e Tokës. 

 

(Kosova Sot)