Aventura e presidentit për ndarjen e Kosovës

  • 12 December 2018 - 07:40
Aventura e presidentit për ndarjen e Kosovës

Bytyçi: Ndërkombëtarëve iu krijua një mundësi e artë, që Hashim Thaçin ta zhveshin nga pushteti moral në Kosovë me idenë e tij dhe Aleksandar Vuçiqit, për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë

“Vetëm tani po shihet qartë edhe nga ata të cilët nuk donin ta pranonin për të vërtetë gabimin e madh e të pafalshëm të tradhtisë së lartë kombëtare e shtetërore të Hashim Thaçit, që e bëri duke tregtuar me territorin dhe pasuritë e shtetit të Kosovës, për interesa të Serbisë. Ndërsa, ajo që mbetet ende e paqartë është fakti se cilat do të jenë pasojat dhe masat e domosdoshme, që do të ndërmerren tani ndaj tij dhe sa do t’i kushtojë e gjithë kjo aventurë e çmendur presidentit kuisling, Hashim Thaçit! Në këtë mënyrë ata edhe do ta prangosin pa problem, pa ndonjë pengesë serioze, dhe ta dërgojnë në dhomën e rezervuar-special për ‘ekselencën’ e tij në Hagë. Kjo edhe për faktin se realisht do të ishte më vështirë të dërgohej në Hagë një Hashim i fuqishëm politik, me autoritet shtetëror dhe bekgraund të stërfryrë ‘nacionalist’, siç kishte ndërtuar ai për veten gjatë këtyre viteve në Kosovë”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Lidershipi kosovar, sipas analistëve dhe qytetarëve, rezulton të jetë i shantazhuar, bazuar në zhvillimet politike që po ndodhin në Kosovë, e sidomos në aventurën presidenciale për ndarjen e Kosovës. Analistët thonë se presidenti kosovar po bën gjithçka që mundet për të shpëtuar nga përballja me Gjykatën Speciale, pavarësisht dëmit që mund të shkaktojë. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi ka deklaruar për gazetën “KOSOVA SOT” se ndërkombëtarëve iu krijua një mundësi e artë që Hashim Thaçin ta zhveshin nga pushteti moral në Kosovë me idenë e tij dhe Aleksandar Vuçiqit, për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj edhe  analistët politikë, por edhe  qytetarët  konsiderojnë së tanimë, duke rënë në këtë grackë,  Hashim Thaçi nuk e kishte mirë përsipër ta zbatojë projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës , që kjo sipërmarrje e tij do t’i kthehej në boomerang. “Ai nuk e kishte menduar dhe analizuar se  si  e futën Rama dhe Vuçiq, në lojën me kufijtë, përderisa ata qëndruan disi anash”, ka theksuar ai. Sipas analistëve, kjo grackë është kurdisur, pasi ka qenë edhe interesi personal i Thaçit që t’i ikë me çdo kusht Gjykatës Speciale, pa marrë parasysh çmimin që duhet ta paguante në kurriz të shtetit dhe popullit, dhe kjo bëri që Hashimi të bëjë llogari të tilla, duke tregtuar me territorin e pasuritë e Kosovës. Mirëpo, me kalimin e kohës edhe  ndërkombëtarët e panë  në këtë rast një mundësi të artë që Hashim Thaçin ta zhveshin nga pushteti moral në Kosovë e për pasojë ta prangosin pa ndonjë pengesë serioze për ta dërguar në Hagë. Ndryshe do të ishte me vështirë të dërgohej në Hagë  një Hashim i fuqishëm, me autoritet, e “nacionalist”. Pra, sipas analistëve është pikërisht kjo arsyeja se pse ndërkombëtarët nuk e kundërshtuan prerë, ku disa e përkrahën, derisa presidenti naiv i  Kosovës nuk  i pa shkaqet e këtyre qëndrimeve. Ata mendojnë se tani  po vjen edhe  fundi politik i Hashim Thaçit, duke tentuar të implementojë pazaret me idenë e Vuçiqit dhe Ramës për ndarje të Kosovës, sepse ndryshe duhet të jesh idiot të besosh se ndryshimi i kufijve në Kosovë nuk do të kishte efekt domino në gjithë rajonin e më gjerë

Bojaj: Thaçi u tregua se është mjaft mendjelehtë, me dije të cekët dhe naiv

Analisti politik Ramiz Bojaj tha për “Kosova Sot” se me të drejtë e ka konstatuar profesori i nderuar i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, i cili ka dhënë një përkufizim të saktë, mjaft të thuktë e objektiv sa u përket veprimeve aventureske, të rrezikshme e antishqiptare të Hashim Thaçit, me idenë e tij të shkëmbimit të territoreve me Serbinë, sepse duke analizuar veprimet e pamatura, jologjike e naive të presidentit tonë, dr. Bytyçi ka vërejtur qëllimin konspirativ të presidentit Thaçi, i cili ishte vetëm bartës i skenarit famëkeq Rama-Vuçiq, për ndarjen e Kosovës, me theks të veçantë aneksimin e veriut dhe bashkëngjitjen e saj Serbisë, pasurive natyrore të vendit tonë, veçmas të xeheve e mineraleve nëntokësore. “Ky ishte synim mjaft i rrezikshëm dhe jo vetëm teorik. Në fakt, këtu fshihej një plan i gjerë shumëdimensional i minimit të shtetit të Kosovës në procesin e shtetndërtimit në kuptimin e plotë të fjalës, cenimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe komprometimit të pavarësisë. Ky ishte kurth. Testim dhe matje e impulsit të opinionit të brendshëm e ndërkombëtar për zhbërjen e Kosovës shtet. Kjo ishte nxitje domino edhe për vendet e tjera në Ballkan, kur dihet se ky rajon i Evropës Juglindore është mbushur e stërmbushur me konflikte, luftëra e tensione të vazhdueshme ndëretnike. Vegëza e Thaçit mund të niste shthurjen e hartës aktuale të Ballkanit. Prandaj, me Thaçin ishte edhe Rusia”, u shpreh ai. “Ky projekt ogurzi ishte kurth, të cilin me mjaft pompozitet filloi ta demonstrojë presidenti Hashim Thaçi, pa ditur se ky po luan me projektin ndërkombëtar, interesin e tyre dhe po shemb balancën e fuqive të mëdha në rajonin e Ballkanit. Ndërsa, në kontekstin e jashtëm, ky plan ishte vrastar për shtetësinë e Kosovës, rrënues dhe rikthim në pikën zero. Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq, në bashkëpunim me Baton Haxhiun (në dukje më dinak) i dhanë kurajën Hashim Thaçit, se ky do të ketë përkrahje të madhe, tejet të mjaftueshme nga aleatët serbo-rusë, për finalizimin e këtij plani serb. Pikërisht kjo ishte arsyeja se përse Thaçi e lansoi në publik projektin e Vuçiqit si ide të tij, përdori të gjitha metodat e veprimet e veta, siç janë: kërcënimet për luftë të re, nëse nuk realizohet ky plan, mandej shantazhet, lobimet, bashkim me Kosovën Lindore .... deri tek përpjekjet që këtë tezë ta vërë para aktit të kryer.  "Ue are a not problematic guys", e barazoi veten me çetnikun Aleksandar Vuçiq, duke u vetëshpallur si dy projektues të rinj të 'paqes historike'. Ky ishte vetëm një naivitet i presidentit tonë, papjekuri totale, që shton frikën e madhe se ky njeri lehtë mund të degradojë shtetësinë e Kosovës, deri në zhbërje, nëse i lejohet që sërish të udhëheqë diplomacinë e Republikës së Kosovës, veçanërisht bisedimet me Serbinë armike.  Thaçi u tregua se është mjaft mendjelehtë. Duke qenë i tillë, me dije të cekët dhe naiv, vendin mund ta përcjellin situata të paparashikueshme, për aq kohë sa ky njeri lejohet të udhëheqë timonin e shtetit të Kosovës”, tha Bojaj për “Kosova Sot”. Sidoqoftë, ai thotë se populli i Kosovës ka kohë që i ka kuptuar hilet e Thaçit, ndonëse  ky nuk ishte i vetëm në degradimin shtetëror të Kosovës,pasi aleati kryesor në  procesin e  shkatërrimit të Kosovës, Thaçi, sipas Ramiz Bojajt,  e kishte Isa Mustafën e LDK-së, me të cilin formësoi dhe konkretizoi projektin e bosnjëzimit të Kosovës, (Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015), e që në fakt ishte antikushtetues dhe atakues ndaj rendit kushtetues. Sipas analistit Bojaj, presidenti Thaçi ishte shumë joserioz, naiv e qesharak edhe për institucionet e BE-së, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja e ndezjes së aleatëve të Serbisë, që përmes këtij pioni labil t'i realizojnë planet serbe. “Kjo aventurë nuk kishte qëllim vetëm shantazhimin e Thaçit, por kishte synim real edhe realizimin e aspiratave serbe në Kosovë. Po të mos reagonte opinioni i gjerë vendas e ndërkombëtar, populli dhe  mediet dhe miqtë tanë,  skenari i ndarjes së Kosovës po bëhej realitet, ngase Thaçi me veprimet e tij kryeneçe kishte shpërfillur Kuvendin dhe mediet dhe se ndarjen po e bënte akt të kryer. Ky po krijonte zona të minuara për shtetin tonë”, tha Ramiza Bojaj, duke kërkuar që prokuroria të ngritë  rast penal kundër tij. “ Pas këtij akti të rëndë prokuroria është dashur të veprojë. Se a do të guxojë prokuroria t`i nisë hetimet për Hashim Thaçin, pasi iniciativa për të diskutuar për territorin e vendit bie në kundërshtim me Nenin 2 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kjo pritet të shihet në vijim. Por, nga përvojat e gjertanishme, kjo ka shumë pak gjasa që të ndodhë. Të paktën jo tani. Që mos t'i nxjerrim më shumë punë gjykatave e Prokurorisë me një president në panik, populli i Kosovës, Qeveria, Kuvendi (deputetët) partitë politike, shoqëria civile etj., duhet të mobilizohen që këtë njeri ta zhveshin nga përgjegjësia udhëheqëse e shtetit. Mendoj se pas këtyre veprimeve antishqiptare, edhe militantët më servilë e bashkëpunëtorët më 'të besueshëm' nuk kanë më asnjë argument për të mbrojtur Hashim Thaçin, e as projektin e dhimbshëm të ndarjes së Kosovës”, tha analisti Bojaj.

Zeqa: Prokuroria e Shtetit të veprojë me urgjencë kundër shkeljeve kushtetuese të Hashim Thaçit

Analisti politik Florim Zeqa kërkon që Prokuroria e Shtetit të veprojë me urgjencë kundër shkeljeve kushtetuese të Hashim Thaçit në procesin e deritashëm të këtyre bisedimeve në dëm të shtetit. “Vërtet është paradoksale heshtja e Prokurorisë së Shtetit për nisjen e hetimeve për Hashim Thaçin, kur dihet që iniciativa e tij për të diskutuar për territorin e vendit bie në kundërshtim me Nenin 2 pika 2 të Kushtetutës, gjegjësisht me kompetencat e presidentit të vendit. I frikësuar nga kërcënimet e Speciales, Hashim Thaçi as që e kishte menduar se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës mund t’i kthehej në boomerang! Andaj, Rama dhe Vuçiq, në bashkëpunim me Baton Haxhiun, nuk e patën të vështirë ta fusin presidentin Hashim Thaçi në lojën me kufijtë, për shkak të interesit personal të Thaçit që t'i ikën me çdo kusht Gjykatës Speciale, pa marrë parasysh çmimin që duhet ta paguante në kurriz të shtetit dhe popullit, gjë e cila e bëri presidentin e frikësuar që t'i bëjë gabim llogaritë e tij, duke u tregtuar i pamëshirshëm me territorin e pasuritë e Kosovës. Kjo ishte një mundësi e artë e ndërkombëtarëve që ta zhveshin Hashim Thaçin nga pushteti moral në Kosovë, në mënyrë që më lehtë dhe pa asnjë pengesë ta prangosin për ta dërguar në Hagë! Ndryshe do ta kishin shumë më të vështirë ta dërgonin për në Hagë Hashim Thaçin e veshur me pushtet dhe autoritet moral e ‘nacionalist’ para qytetarëve të vendit”, u shpreh ai. “ Tentativa e Hashim Thaçit për të implementuar pazaret dhe idenë e Vuçiqit për ndarje të Kosovë do të shënojë fundin e tij politik. Kjo po e tregon qartë lojën e ndërkombëtarëve me Thaçin dhe injorancën e tij të skajshme, gjegjësisht të rrëshqitjes nga udhëheqës politik të UÇK-së në një servil të papërmirësueshëm të Beogradit dhe çarqeve antishqiptare”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Fundi i hidhur për presidentin

Analisti Reshat Badallaj tha se ai me kohë e ka paralajmëruar dhe konstatuar që Hashim Thaçit i është përgatitur qëllimisht kurthi nga shërbëtorët e UDB-së për ta zhveshur atë tërësisht moralisht dhe nga ajo pak kredi e meritave të luftës që mund t’i ketë pasur. “E kam thënë edhe njëherë tjetër se këlyshi i UDB-së serbe, Baton Haxhiu, bashkë me kanabisin Edvin Kristaq Rama dhe probatini  i tyre Aleksandar Vuçiqi, do ta fusin ne kurthe Hashim Thaçin. Dhe, tani po shihet se vërtet iu ka afruar laku rreth qafës dhe është në siklet të madh. Fundi do të jetë shumë i hidhur për Thaçin, sepse së shpejti do ta godasin. Po kështu e kanë fatin ata që veprojnë tradhtisht kundër vendit të tyre, kështu e pësojnë këta me damkën e zezë të tradhtisë, ikin. Me kohe iu është tërhequr vërejta nga miqtë tanë ndërkombëtarë, e sidomos nga Gjermania, që të mos luan me këtë kartën e tradhtisë, se është shumë e rrezikshme, por ky kokëbosh nuk i merrte parasysh, vepronte me kokën e tij ashtu-ashtu bosh dhe nuk iu nda takimeve tinëzare dhe publike me mikun e tij, Aleksandar Vuçiqin dhe edhe më keq ky harxhonte paratë e popullit, duke ngrënë e duke pirë në hotelet më të shtrenjta të botës. Matrapazin Hashim Thaçi, duke e ndërsyer kopili i UDB-së serbe, Baton Haxhiu,  e fuste thellë e  më thellë duke i shpeshtuar takimet me serbët dhe me rusët, duke ia kthyer shpinën Bashkimit Evropian dhe Amerikës, vraponte për t’u fotografuar dhe për t´ia shtrënguar dorën Vladimir Putinit”, tha  Badallajt për “Kosova Sot”.

Qarri: Kurthi i Vuçiqit, Ramës dhe Haxhiut

Sipas analistit Gani Qarri, fakti që përfundimisht presidenti kuisling u përjashtua nga të gjitha procedurat e transformimit të FSK-së, në Ushtri të Kosovës, flet më së miri, se vendet mike, të cilat ndihmuan çlirimin dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, e sidomos SHBA-ja si kontributdhënësja më e madhe, nuk mundën të shihnin edhe më tej në heshtje rrënimin nga ai, të çdo gjëje që ata ndërtuan, ndaj morën vendim që t`ia kthenin shpinën tradhtarit me nam, Hashim Thaçit. “Me rrëshqitjen e madhe që bëri Hashim Thaçi, ndërkombëtarët shfrytëzuan mirë rastin e tradhtisë së tij ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës, që përfundimisht ta zhveshin këtë president kuisling, jo vetëm nga pushteti moral, por edhe nga ai politik, si dhe të gjitha pushtetet dhe fuqia e gjithanshme që ai për gjithë këto vite, pati ngritur për vete në Kosovë. Veprimet e vazhdueshme renegate kundër Kosovës, veçanërisht në vitet e fundit, ishin aq të rënda dhe të pafalshme, saqë rrëshqitja e madhe që bëri kryekuislingu Hashim Thaçi, sipas deklaratës së profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, për gazetën ‘KOSOVA SOT’, ndërkombëtarëve iu krijoi një mundësi të artë që Hashim Thaçin ta zhveshin përfundimisht, jo vetëm nga pushteti moral,shkaku i ideve të tij dhe Aleksandar Vuçiqit, për të ashtuquajturin korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Hashim Thaçi, kur mori përsipër ta zbatoje projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës,me siguri nuk e kishte menduar se kjo sipërmarrje vulgare kundër vendit të vet do t’i kushtonte atij kaq shumë dhe do t’i kthehej në boomerang të papërmirësueshëm për të. Megjithatë, Edvin Rama dhe Aleksandar Vuçiq, në bashkëpunim me spiunin e sprovuar shumëvjeçar të Ivica Stanishiqit, Baton Haxhiun, përfundimisht e qitën në kurth, e mashtruan rëndë dhe e vunë keq në lojë kuislingun Hashim Thaçin me kufijtë, e përderisa ai punonte aktivisht për të çuar një çmenduri të tillë përpara, duke ftuar edhe ndërkombëtarët në ndihmë për ndarjen e Kosovës, Rama dhe Vuçiqi ditën të spostoheshin ngadalë dhe të qëndronin vetë  anash’, tha analisti Gani Qarri.

Projekti skandaloz

Sipas analistit Ragip Guraziu, jo vetëm qytetarët, por edhe  vetë Hashim Thaçin me kalimin e kohës, pas përfundimit të karrierës,  do ta mbaj në  mend veten si një ish- president ‘NAIV’ i Kosovës që i ka sjellë  shtetit vetëm dëme dhe asnjë të mirë. “Hashim Thaçi nuk e kishte menduar mirë, kur mori përsipër ta zbatoje projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës, që kjo sipërmarrje e tij do t’i kthehet në boomerang, sepse në këtë kurth   e futën  Edi Rama dhe Vuçiq, në bashkëpunim me Baton Haxhiun. Ata e futën në lojën më të rrezikshme dhe më të turpshme,  në lojën me kufijtë, përderisa Rama e Vuçiq qëndruan disi anash.  Ishte interesi personal i Thaçit, që t’i ikë me çdo kusht Gjykatës Speciale, pa marrë parasysh çmimin që duhet ta paguante në kurriz të shtetit dhe popullit, që bëri që Hashimi të bëjë llogari të tilla,duke tregtuar me territorin e pasuritë e Kosovës. Dhe, këtë e kanë parë edhe  ndërkombëtarët  si mundësi të zhveshjes së Hashim Thaçit nga pushteti dhe  krediti moral që do t’u shërbejë në këtë rast si një mundësi e artë që Hashim Thaçin me kalimin e kohës edhe ta prangosin pa ndonjë pengesë serioze për ta dërguar në Hagë. Kjo është një  gjë e menduar mirë nga të tjerët, se si  do të ishte më vështirë të dërgohej në Hagë  një Hashim i fuqishëm, me autoritet, e ‘nacionalist’, dhe tani  po  duket që e kanë gjetur  ‘'çelësin’' e duhur edhe  ndërkombëtarët,  dhe kjo do të ishte, sipas mendimit tim, arsyeja se pse ndërkombëtarët nuk e kundërshtuan prerë, por  prej tyre  e përkrahën dhe presidenti naiv i Kosovës  edhe në idenë e shkëmbimit të territoreve, por mendoj që  këtu do të jetë edhe fundi politik i Hashim Thaçit, duke tentuar të implementojë  pazaret me idenë e Vuçiqit dhe Ramës për ndarje të Kosovës. Duhet të jesh idiot të besosh se ndryshimi i kufijve në Kosovë nuk do të kishte efekt domino në gjithë rajonin e më gjerë,  dhe ky është Hashim Thaçi jo vetëm arrogant, por edhe një i paditur i madh që nuk e ka llogaritur këtë rrezik. Pra, vetëm një mediokër mund të priste që t’i besojnë institucionet demokratike perëndimore, sepse  ishte iniciativa e Vuçiqit , Ramës dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës e për t’ia dhuruar Serbisë një sipërfaqe të mirë toke në grahmat e fundit të jetës së tij politike”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Qytetarët: Dikush ia ka zënë “bishtin me derë” Thaçit

Edhe qytetarët e anketuar janë të sigurt që tani ndërkombëtarëve iu krijua një mundësi e artë që Hashim Thaçin ta zhveshin nga pushteti moral në Kosovë me idenë e tij dhe Aleksandar Vuçiqit, për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, derisa vetë Hashim Thaçi nuk e kishte  menduar mirë kur e  mori përsipër ta zbatojë projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës, që kjo sipërmarrje e tij do t’i kthehej në boomerang, dhe tani ai më nuk e ka as minimumin e besimit qytetar. Qytetari  Eljesah Mehmeti tha për “Kosova Sot” se tani edhe faktori ndërkombëtar, edhe Gjykata Speciale, mund të luajë me Hashim Thaçin si t’ua dojë qejfi, pasi më ai nuk ka  simpati dhe besim te shumica e qytetarëve. “Unë mendoj që presidenti në këtë idenë e shkëmbimit të territoreve, në bisedimet me Serbinë, nuk ka hiç të drejtë dhe me këtë e ka zbehur dhe e ka humbur shumë besimin, për të mos thënë te krejt populli, te shumica po se po, sepse mund të ketë akoma dikush, ndonjë militant i tij i dikurshëm që i beson akoma, pra shumica e qytetarëve janë të ftohur dhe me besim të humbur në raport me presidentin Thaçi, sepse po duket që ai ka rënë në  një lloj kurthi, është i shantazhuar, dyshoj që ai i ka do letra në tavolinë dhe tani po sillet në këtë mënyrë duke i bërë llogaritë për veten e tij”, theksoi Mehmeti. Po një  mendim të ngjashëm ka edhe qytetari tjetër, Nuhi Kryeziu. “Unë për vete, personalisht mund të them që presidenti shumë e ka ulur autoritetin e vet me këto bisedime që i ka filluar dhe që po flitet hapur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve. Për momentin, siç po shihet, neve nuk e kemi punën mirë dhe duhet që aktualisht t’i ruajmë e t’i kemi kufijtë këta që i kemi,  në të cilët na kanë njohur rreth 116 shtete sikur që është raportuar, ndonëse tani disa kanë filluar t’i tërheqin njohjet, pikërisht për shkak të këtyre bisedimeve. Prandaj, unë  tani nuk po shoh asgjë të mirë në atë drejtim. Unë me të vërtetë nuk po mund ta di as ta kuptoj se me kë është konsultuar ky njeri për të hyrë në bisedime të tilla. Duket që  vërtet e ka njëfarë zori dhe krejt absurde po më duket. Krejt ajo që po flas është, sipas mendimit tim, dhe si thotë populli, këtij ia ka zënë dikush ‘bishtin’ me derë dhe tash  ky është duke shikuar që me çdo kusht ta mbrojë vetëm personalitetin e vet”, potencoi Kryeziu. 

 

(Kosova Sot)