Politika korruptive e MSH-së lë pa pompa mijëra diabetikë

  • 12 December 2018 - 07:46
Politika korruptive e MSH-së lë pa pompa mijëra diabetikë

Aliu: Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, po shpenzon kohë kot, duke reklamuar gjoja për suksese në këtë ministri, përderisa gjendja në shëndetësi është alarmante

 "Në të gjitha klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale po ndihet një mungesë enorme të barnave dhe fatkeqësisht kohë më parë është raportuar se janë madje 49 lloje të medikamenteve që po mungojnë nga lista esenciale e barnave në QKUK. Ministri aktual, Uran Ismajli, më shumë po merret me disa cikërrima dhe renovime të vogla, por jo edhe me problemet kyçe të shëndetësisë, që është një diskriminim shëndetësor, sikurse që janë edhe funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore  dhe rishikimi i nevojave të Listës së barnave esenciale shëndetësore", u shpreh deputeti Naser Rugova për “Kosova Sot”

Shëndetësia kosovare vazhdon të jetë në krizë për shkak të politikave korruptive dhe keqpërdorimeve. Sidomos te barnat, qytetarët hasin në mungesa të theksuara. Njohës të rrethanave politike, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga opozita dhe qytetarët e anketuar, janë të habitur tej mase se përse barnat e llojit të pompave të insulinës për diabet nuk janë në listën esenciale të barnave. Sipas njohësve të kësaj fushe, llogaritet se rreth 12 mijë persona në Kosovë vuajnë nga sëmundja e sheqerit apo diabeti, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë po i injoron qytetarët dhe nuk siguron që në listën esenciale të barnave të jenë edhe pompat e insulinës. Edhe përkundër pyetjeve të gazetarit drejtuar me shkrim ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, ai nuk i kthyer përgjigje. Ndërkaq, deputetë nga opozita dhe qytetarët me të drejtë pyesin se përse ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, në vend se të shpenzojë kohë që të reklamojë gjoja sukseset që janë arritur në këtë ministri, nuk merr hapa konkretë dhe të zgjidhë problemet e panumërta të qytetarëve në fushën e shëndetësisë. Lidhur me çështjen ka reaguar edhe deputeti Naser Rugova (LDK), anëtar i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, i cili për gazetën "Kosova Sot" thotë se edhe mungesat e pompave të insulinës për diabet, që nuk janë në listën esenciale të barnave të MSH-së, tregojnë se edhe ky është një nga dështimet e radhës të kësaj ministrie dhe qeverie që nuk e ka prioritet sektorin e shëndetësisë dhe janë tregues se ministri aktual, Uran Ismajli, nuk po merret me problemet kyçe të shëndetësisë, që është një diskriminim shëndetësor, sikurse që dhe rishikimi i nevojave të listës së barnave esenciale shëndetësore.

14 muaj mashtrime

Rugova thotë se vërtet është për keqardhje që edhe barnat e llojit të  pompave të insulinës për diabet nuk janë në listën esenciale të barnave.“Llogaritet që rreth 12 mijë persona në Kosovë vuajnë nga sëmundja e sheqerit apo diabeti, kurse Ministria e Shëndetësisë jep vetëm premtime dhe po i injoron qytetarët dhe nuk po e siguron në listën esenciale të barnave që të futen pompat e insulinës”, vijoi më tej ai. Deputeti Rugova tha se njëri nga premtimet e ministrit aktual të Shëndetësisë, kur e ka marrë këtë post, ishte edhe revidimi i listës esenciale të barnave, por për fatin e keq të pacientëve të Kosovës revidimi i kësaj liste sot e asaj dite nuk është bërë ende dhe kjo daton madje që nga viti 2012. “Edhe ministri Uran Ismajli ka dështuar tërësisht në sektorin e shëndetësisë, sepse edhe pse këtë vit është rritur buxheti dhe totali, për një vit llogaritet të jetë një buxhet prej 30 milionë eurosh, institucionet publike shëndetësore po vazhdojnë që të vuajnë në mungesë të barnave, sidomos pacientët që janë me sëmundje kronike dhe shumë të rënda”, vlerëson ai. “Kanë kaluar 14 muaj dhe asgjë nga premtimet e ministrit Uran Ismajli nuk janë arritur, sepse kemi mungesë enorme të barnave esenciale që kanë të bëjnë me rëndësi të veçantë me citostatikë dhe me kimioterapi për kancer, por edhe pompat e insulinës për diabet që nuk janë në listën esenciale të barnave të MSH-së dhe që është temë e trajtimit nga gazeta”, u shpreh Rugova. Edhe analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, tha se, ndonëse llogaritet që rreth 12 mijë persona në Kosovë vuajnë nga sëmundja e sheqerit apo diabetit, Ministria e Shëndetësisë po i injoron qytetarët dhe nuk po e siguron që në listën esenciale të barnave të futen edhe pompat e insulinës. “Andaj, e them lirshëm se ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, po shpenzon kohë kot, duke reklamuar gjoja për suksese në këtë ministri, përderisa gjendja në shëndetësi është alarmante, duke mos marrë hapa konkret dhe të zgjidhë problemet e shumta dhe të panumërta të qytetarëve në fushën e shëndetësisë”, potencoi ai. 

Ismajli, dështimi i radhës në MSH

Analisti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se koha po tregon se edhe ky ministër, Uran Ismajli, është po aq i dështuar sikurse edhe ministrat paraardhës, e mbase edhe më tepër.“Pra, edhe ky ministër në këtë dikaster me shumë rëndësi po e vazhdon dështimin e tij në vazhdën e dështimeve që i patën ministrat paraardhës dhe për pasojë e kemi një gjendje të mjerë në shëndetësinë tonë tash e dy dekada. Me një fjalë, edhe ministri Uran Ismajli është njëri nga njerëzit e dështuar të hallkës së ministrave të dështuar të shëndetësisë që kanë qenë që nga paslufta e deri më sot. Në këtë ministri kanë dështuar edhe ministrat që ishin me profesionin e mjekut, si Bujar Bukoshi, Alush Gashi dhe Ferid Agani, andaj është e natyrshme që të dështojë një njeri me profesion të menaxherit të një kafeneje", potencoi Kelmendi.

Ministria injoron pacientët

Analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se janë miliona euro në vit që ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë. “Ajo që Ministria e Shëndetësisë bën është që siguron barna, material shpenzues dhe citostatikë me prioritet, sidomos për kategoritë më të rrezikuara, pastaj për ato shërbime që duhet të jenë në funksion gjatë tërë kohës, si Shërbimi i Emergjencës, Mjekimi Intensiv, Klinika e Pediatrisë dhe Gjinekologjia. Fatkeqësisht, nuk qëndrojmë mirë as me barna, as me furnizime. Përqindje nuk mund të them, se nuk e di sa, por nuk është realizuar asnjëherë përqindja që është e paraparë me listën esenciale. Fakti se edhe pompat e insulinës për diabet nuk janë në listën esenciale të barnave, që është një tregues se Ministria e Shëndetësisë po i injoron qytetarët e sëmurë nga diabeti dhe nuk po i siguron që të futen në listën esenciale të barnave pompat e insulinës. Pacientët që nga paslufta po e pësojnë dhe po na shkon jeta me improvizime”, vlerësoi ai.

Qytetarët në hall

Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me të gjithë ministrat e deritashëm të Shëndetësisë. Qytetari nga Prishtina, Ramadan Ferizi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ka ardhur për ta vizuar një të afërm që vuan nga diabeti dhe është i shtrirë në QKUK, kohë pas kohe. “Por, e keqja është se nuk ka barna të kësaj natyre, pasi që pompat e insulinës për diabet nuk janë në listën esenciale të barnave të MSH-së dhe pacienti po duhet t’i blejë vetë. Prandaj e them lirshëm se kjo është e patolerueshme dhe një turp i madh që edhe 20 vjet pas luftës në një shtet të pavarur mos të ketë barna esenciale, vërtet kjo është e pafalshme dhe e patolerueshme. Sepse me këso veprimesh kjo na tregon qartë se Ministria e Shëndetësisë po i injoron qytetarët dhe nuk po e siguron që në listën esenciale të barnave të futen edhe pompat e insulinës”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Reshat Salihu, për gazetën "Kosova Sot", ankohet se në këtë institucion shëndetësor gjendja është e mjerueshme, sepse po mungojnë barnat esenciale, e në shumë raste nuk ka pasur madje as një fashë, e lëre më për barnat e tjera të shtrenjta dhe që janë esenciale, sikurse që janë insulinat për diabet që nuk janë në listën esenciale të barnave të MSH-së.“Andaj pacientët po duhet që vetë t'i blejnë barnat, sepse ato barna ose po i vjedh stafi ose po i fshehin, pasi që po dyshohet se doktorët, infermierët e farmacistët i ruajnë për vete dhe të afërmit e tyre", shprehet ai.“Edhe unë jam një pacient me diabet dhe kam nevojë për barnat nga lista bazike, por nuk po shkoj më sikur përpara në QKUK, se nuk po ka barna të tilla, sepse ato po i fshehin dhe po detyrohem që t'i blej vetë me paratë e mia", ankohet ai. Sipas Salihut, edhe ministri Ismajli premtoi shumë, por bëri shumë pak.

 

(Kosova Sot)