Pas taksës 100 për qind, masa të reja për targat dhe dokumentet

  • 12 December 2018 - 07:53
Pas taksës 100 për qind, masa të reja për targat dhe dokumentet

Abazi: Qeveria aktuale duhet pa humbur kohë t’i aplikojë të gjitha masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, siç janë: Mosnjohja e pasaportave, targave dhe të gjitha dokumenteve tjera që Serbia nuk ia njeh Kosovës

“Edhe Qeveria e Kosovës do të duhej të vendoste procedurën e njëjtë që Serbia e aplikon për targat e Kosovës, si dhe mosnjohjen e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve, dhe dokumente të tjera. Por, për momentin mbetet një mister se a do ta dërgojë deri në fund qeveria marrjen e të gjithave masave të reciprocitetit me Serbinë apo do të dorëzohet para Serbisë, si çdo qeveri paraprake”, potencoi deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”

Taksat që goditën Serbinë kanë nxitur një shpresë ekonomike në Kosovë. Analistë të ekonomisë dhe deputetë të dikurshëm e deputetë të tashëm të opozitës vlerësojnë se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë, përveç taksës 100 për qind, nuk mund të mbeten vetëm fjalë, por duhet vepruar urgjentisht. Nga njohësit e kësaj fushe shtrohet për diskutim çështja se a do të vendosë Qeveria e Kosovës masa reciprociteti ndaj Serbisë, ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë. Me këtë veprim, edhe Kosova do të duhej vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës, si dhe mosnjohjen e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve, dhe dokumente të tjera. Sipas analistëve, për momentin mbetet një mister se a do ta dërgojë deri në fund qeveria marrjen e të gjithave masave të reciprocitetit me Serbinë apo do të dorëzohet para Serbisë, si çdo qeveri paraprake. Me gjithë pyetjet e drejtuara në adresën elektronike të Qeverisë dhe këshilltarit Haki Shatri, gazetari nuk ka marrë përgjigje. Shatri më herët ka thënë se masat e reja janë në shqyrtim e sipër, por ende nuk ka një vendim konkret.

Frika nga skenari i ndarjes, pas masave të ashpra ekonomike

Deputeti Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ideja e qeverisë për masa të reja shtesë ndaj Serbisë në parim është e qëlluar. “Në veçanti më pëlqen ideja që Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të vendosë masa të reciprociteti ndaj Serbisë në ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë”, u shpreh ai.“Me këtë veprim, edhe Qeveria e Kosovës do të duhej vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës, si dhe mosnjohjen e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera. Por, për momentin mbetet një mister se a do ta dërgojë deri në fund qeveria marrjen e të gjithave masave të reciprocitetit me Serbinë, apo do të dorëzohet para Serbisë, si çdo qeveri paraprake”, potencoi Salihu.“Kam frikën se Qeveria ‘Haradinaj’ i ka marrë këto masa dhe mund të jetë pjesë e skenarit të dy presidentëve Thaçi dhe Vuçiqi, për ndarjen apo këmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Veç saj, kam frikën se nga presioni ndërkombëtar Kosova dhe kryeministri Ramush Haradinaj do të detyrohen që të tërhiqen nga këto masa ndaj Serbisë, sepse është i madh presioni ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi Serbia tashmë po duket qartë se është e ledhatuara e BE-së, nga frika se ajo mund t’i bashkëngjitet ndonjë aleance ushtarake dhe politike me Rusinë”, vlerësoi më tej ai.

Qeveria të dëgjojë qytetarët dhe jo Hanin

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Qeveria kësaj radhe nuk do të dorëzohet para Serbisë, për shkak që kjo Qeveri dhe qytetarët e Kosovës e kanë përkrahjen e SHBA-së në çdo aspekt, kanë filluar me furnizimin e FSK-së me automjete ushtarake, se shpejti do t’i sjellin edhe 4 helikopterë, ku ndërkohe pritet edhe furnizimi i FSK-së me armatime të ndryshme të prodhimit të fundit.“Kësaj radhe kryeministri Haradinaj duhet të fillojë t’i dëgjojë kërkesat e qytetarëve, e jo të BE-së, në veçanti të komisionerit Johannes Hahn dhe të Federica Mogherinit, për shkak se po shihet shumë qartë që këta dy persona janë më shumë që Serbia ta marrë përsëri nën kontroll Kosovën sesa që ata po mundohen të sjellin paqe në mes dy shteteve. Nëse Hahn dhe Mogherini vazhdojnë me kërcënime kundër Kosovës dhe me pretendimin që nëse Kosova nuk e heq taksën ndaj Serbisë mund të vonohet liberalizimi i vizave, nëse ndodh kjo unë them që Kosova duhet të distancohet 100 për qind nga veprimet e BE-së dhe të fillojë bashkëpunimin e plotë vetëm me SHBA-në, duke i treguar BE-së se edhe nëse ju nuk na pranoni, SHBA-në do ta kemi gjithmonë afër nesh dhe me ne”, shpjegon ai.“Targat e Serbisë duhet të fillojnë të hiqen që në hyrje të territorit të Kosovës, siç po ndodh me targat e Kosovës që po hiqen në hyrje të Serbisë nga autoritetet serbe, prandaj serbët që po jetojnë në Kosovë duhet që të kuptojnë se Kosova tani është shtet i pavarur dhe sovran, duhet të pranojnë flamurin dhe himnin e Kosovës, duhet t’i dëgjojnë e respektojnë institucionet e Kosovës, duhet të shkollohen në Kosovë në gjuhën e tyre amtare apo në shqipe, por me rëndësi është që vetëm në këtë mënyrë serbët e Kosovës mund t’i tregojnë Serbisë se ata janë lodhur nga direktivat e Beogradit dhe që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë”, ka thënë më tej Grapci.“Kemi dëgjuar shumë herë kur qytetarët serbë haptazi kanë deklaruar që janë kundër politikës serbe, pse atëherë Lista Serbe po i kundërshton, apo duhet që dikush t’i tregojë Listës Serbe që banorët serbë tani janë edhe qytetarë të Kosovës, e jo më të Serbisë”, ka theksuar Grapci.

Reciprociteti tepër i vonuar

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se masat e reciprocitetit Kosova ka qenë dashur t’i aplikojë shumë vjet më parë, por kjo nuk ka ndodhur.“Qeveria aktuale duhet pa humbur kohe t’i aplikojë të gjitha masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, siç janë: Mosnjohja e pasaportave, targave dhe të gjitha dokumenteve tjera që Serbia nuk ia njeh Kosovës. Nëpërmes zbatimit të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, do të arrihet t’u tregohet shumicës së shteteve të Bashkimit Evropian se çfarë barrierash kanë pasur kosovarët në komunikim dhe në udhëtim me Serbinë. Kjo ngase ka shumë mundësi që vendet e Bashkimit Evropian nuk e kanë ditur që Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel”, u shpreh Abazi.

Serbia të zmbrapset

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është një ide e qëlluar, por shumë e vonuar, sepse masat e reciprocitetit kanë qenë dashur të vendosen menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.“Një fjalë e urtë popullore thotë se më mirë vonë sesa kurrë. Prandaj, edhe këto masa, ndonëse me vonesë, do të japin efektin e vet dhe Serbia do të detyrohet që shumë shpejt ta pranojë realitetin e ri, sepse nuk është gjë e vogël për një shtet që të humbasësh një treg prej 500 milionë eurove eksporte. Andaj kjo do ta detyrojë Serbinë që të tërhiqet nga politikat sabotuese ndaj Kosovës. Ndërkaq kam shpresën se Qeveria ‘Haradinaj’ nuk do të dorëzohet para presionit ndërkombëtar që të heqë këto masa dhe sanksionet ndaj Serbisë, madje edhe duhet që t’i shtojnë akoma më shumë, ashtu si kanë paralajmëruar”, theksoi Neziraj.

Taksa favorizon bizneset vendore

Eksperti fushës së financave, i shkolluar në Angli, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se masat e Qeverisë së Kosovës, si taksa shtesë prej 100 për qind, ashtu edhe masat tjera shtesë të paralajmëruara, janë më shumë veprime politike sesa ekonomike, për faktin se synimet që pritet të arrihen nga këto masa janë politike në rend të parë.“Taksa 100 për qind u ndihmon bizneseve të Kosovës që të depërtojnë më lehtë në tregun e Kosovës, për shkak të pozitave pothuajse monopoliste që bizneset e Serbisë kanë pasur në Kosovë. Kjo nuk është zgjidhja më e mirë, ose të paktën nuk është zgjidhje afatgjate. Qeveria edhe mund të marrë masa shtesë ndaj Serbisë, ashtu si e vlerëson të nevojshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës. Mirëpo, duhet pasur parasysh se këto masa nuk janë masa që merren në një gjendje normale, janë një lloj lufte politike dhe është e pritshme që edhe pala tjetër të marrë masat e veta”, theksoi Meha.

 

(Kosova Sot)