Salihaj: Deri më tash, efektet e 'luftës së ashpër' kundër krimit e korrupsionit janë barazi me zero

  • 12 December 2018 - 16:13
Salihaj: Deri më tash, efektet e 'luftës së ashpër' kundër krimit e korrupsionit janë barazi me zero

Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, thotë se me fushata "ad hok" nga OJQ-të a kushdo qoftë nuk ndërtohet shteti i së drejtës. "Në Kosovë të gjithë flasin e sillen sikur gjoja po bëjnë diçka kundër krimit e korrupsionit, e në fakt nuk bëjnë asgjë. E gjithë kjo luftë e shoqërisë civile është një 'luftë' e pambuktë, e cila më shumë e ledhaton, sesa e lufton krimin dhe korrupsionin.

Vetë të korruptuarit dhe të inkriminuarit e financojnë shoqërinë civile me miliona euro të taksapagueseve të Kosovës, që të fitohet përshtypja e gabueshme se edhe ata vetë gjoja po e luftojnë krimin dhe korrupsionin. Deri më tash, efektet e 'luftës së ashpër' kundër krimit e korrupsionit janë barazi me zero", theksoi ai.

"Përderisa krimi dhe korrupsioni t'i kenë në dorë Policinë, AKI-në, Prokurorinë dhe gjykatat, nuk duhet të presim asgjë serioze në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Të gjitha këto institucione do të punojnë për mafinë dhe jo për sundimin e ligjit", vijoi më tej Salihaj."Këto ditë u arrestua shoferi i vëllait të presidentit me 113 kilogramë drogë dhe e gjitha po kalon në heshtje. Më e keqja është se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga të gjitha dhe nuk luftojnë për ta ndryshuar këtë gjendje.

Ky dëshpërim i qytetarëve nuk e zgjidh problemin e tyre, përkundrazi është i mirëseardhur për mafinë politike në Kosovë, e cila kohëve të fundit po bëhet gjithnjë e më e paskrupullt dhe më agresive në zhvatjen e Kosovës", tha Adem Salihaj.

 

Lexo edhe këtë: Të zgjedhurit e 'PRONTO'-s e falimentuan drejtësinë 

 

(Kosova Sot)