Si do të udhëtojnë komandantët pa viza për në Hagë? E sqaron Gjykata Speciale

  • 12 December 2018 - 16:16
Si do të udhëtojnë komandantët pa viza për në Hagë? E sqaron Gjykata Speciale

Përveç thirrjeve për intervistim, Zyra e Prokurorit të Specializuar, në ftesat e saj për ish-pjesëtarët e UÇK-së u ka sqaruar atyre edhe se si mund të shkojnë në Hagë, meqë kosovarët nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. 

Izolimi për kosovarët për shkak të mosliberalizimit të vizave, i ka shtuar punë edhe Tribunalit Special për Kosovën, që tashmë ka nisur punën e tij në Hagë. 

Zyrës së Prokurorit të Specializuar do t’i duhet të merret edhe me punën e vizave për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe individët tjerë që do të udhëtojnë në Hagë për të qenë pjesë e këtij procesi. 

ZPS-ja në ftesat që u ka dërguar një grupi ish-pjesëtarësh të UÇK-së, përfshirë edhe ish-komandantë të lartë të këtij grupimi ushtarak për Çlirimin e Kosovës, i ka njoftuar ata se si mund të pajisen me vizë për në Holandë. 

“Merrni parasysh që në përgjithësi banorëve të Kosovës u kërkohet vizë për të udhëtuar në Holandë”, shkruan në ftesën e ZPO-së për ish-pjesëtarët e UÇK-së, një prej të cilës e ka siguruar Express. 

Kjo gjë është e theksuar në këtë dokument me shkronja të nënvizuara. 

Tutje, aty sqarohet se “Zyra e Prokurorit të Specializuar është e gatshme t’ju ndihmojë në përgatitjet logjistike dhe për të siguruar dokumentet e nevojshme”. 

Për të siguruar kryerjen në kohë të procedurave lidhur me udhëtimin, Zyrës së Prokurorit të Specializuar, secili ish-pjesëtar i UÇK-së që nuk është i pajisur me vizë, do të duhet t’ua dërgojë një kopje të skanuar elektronike të pasaportës. 

“Kjo kopje duhet të arrijë të paktën njëzet e një ditë përpara datës së paraqitjes suaj në Hagë”, thotë dokumenti i ZPS-së, duke u dhënë tutje edhe format e kontaktit me këtë zyre për të kryer procedurat përkatëse. 

Aty nuk tregohet se cila ambasadë do t’i pajisë me vizë këta persona, edhe pse Ambasada e Holandës në Prishtinë, brenda zyrës së saj nuk kryen shërbimin e vizave shengen. 

Përveç për viza, Zyra e Prokurorit të Specializuar, njofton ish-pjesëtarët e UÇK-së të thirrur për intervistim në janar të 2019-s, se kjo zyrë ua heqë atyre të gjitha shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe mëditjet për qëndrimin në Hagë. 

Media ka raportuar gjatë ditës se ftesa e ZPS-së u bënë të ditur, gjithashtu, atyre që i kanë pranuar, edhe cilësinë për të cilën janë ftuar në këtë proces. 

Në fund të njërës prej faqeve të këtij dokumenti, pjesëtarëve të UÇK-së iu tërhiqet edhe një vërejtje. 

“Mosparaqitja e këtyre dokumenteve që ju kërkohen do të konsiderohet mosbindje. Si rezultat Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë nga Dhomat e Specializuara të merren masa që detyrojnë bindjen ndaj këtij urdhri”, thotë thirrja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e Dhomave të Posaçme për Kosovën. 

Ndryshe, deri më tash dihet se nga një thirrje të tillë kanë marrë të paktën pesë figura të rëndësishme të UÇK-së, nga gjithsej 7 sa janë konfirmuar. 

Ish-komandantët Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Njazi Mehmeti dhe ish-kryetari i gjykatës ushtarake të UÇK-së janë në mesin e atyre që janë thirrur për intervisim nga Haga.