Kanadaja e liron me dorëzani shefen e Huaweit, Meng Wanzhou

  • 12 December 2018 - 16:51
Kanadaja e liron me dorëzani shefen e Huaweit, Meng Wanzhou

Njëra nga zyrtaret më të larta të gjigantit kinez të telekomunikimit, Huawei, është liruar me dorëzani nga një gjykatë kanadeze, dhjetë ditë pasi ishte mbajtur e arrestuar në Vancouver me kërkesë të autoriteteve amerikane.

Meng Wanzhou, e cila është shefja financiare e Huaweit dhe e bija e themeluesit të kësaj kompanie, po përballet me akuzat amerikane për keqinformim të bankave ndërkombëtare për transaksionet me Iranin, duke i vënë bankat në pozita të rrezikshme për t’i shkelur sanksionet amerikane ndaj shtetit islamik.

Gjatë një seance gjyqësore, avokati William Ehrcke ofroi dorëzani në shumën e 7.5 milionë dollarëve amerikanë për Mengun, e cila ka qenë në paraburgim nga 1 dhjetori. Gjykatorja u pushtua nga duartrokitjet kur u lexua vendimi për lirimin e saj, ndërsa e liruara u pa duke qarë dhe duke i përqafuar avokatët e saj.

Në mesin e kushteve të dorëzanisë është edhe vendosja e një pajisjeje monitoruese në dorë dhe të qëndrojë në shtëpi nga ora 23 deri në orën 6 të mëngjesit. Pesë miq të saj ofruan strehim për të ndërsa shumë të tjerë ishin në gjendje të ofrojnë të holla shtesë për të garantuar se ajo nuk do të arratiset nga shteti, shkruan “Reuters”.

 

(Kosova Sot)