IKD: Politika po ndërhyn në lëndët e zvarritura

  • 12 December 2018 - 17:04
IKD: Politika po ndërhyn në lëndët e zvarritura

Ankesat kryesore ndaj sistemit të drejtësisë janë zvarritjet ndaj lëndëve. Madje gjatë zvarritjes në to ndërhyn edhe politika. Kështu u tha në ditën e tretë të “Javës Kundër Korrupsionit”, ku koalicioni i OJQ-ve mbajti një tryezë diskutimi me temën “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i Sistemit të Drejtësisë-Nevoja për Vetting:”.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi,  tha se pas shpalljes së pavarësisë, sistemi i drejtësisë vazhdimisht është ballafaquar  me probleme, ku siç tha ai  kryesisht kanë të bëjnë me zvarritjen e lëndëve në Gjykata.Sipas tij skandale ka pasur  edhe në Policinë e Kosovës duke përmendur kështu vjedhjet që janë bërë në dhomën e dëshmive në Prishtinë dhe Pejë.

Ndërsa, përfaqësuesja e ambasadës amerikane, Michaele Lakomy, sa i përket Vettingut tha se ideja është që të fokusohet në sigurimin e personave me integritet në institucione.

Nehat Idrizi, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës,  ka vlerësuar se gjykatat performojnë kënaqshëm, në vitet e fundit. Madje, siç tha ai më shumë ka pasur përfundim të lëndëve se sa të pranimit të tyre.

Sa i përket zvarritjes së lëndëve , ai u justifikua se kjo nuk ndodh në të gjitha gjykatat. I pyetur se a është pro Vettingut tha se duhet të bëhen analiza më të detajuara se a është e nevojshme një gjë e tillë.

Në lidhje me këtë është  pajtuar edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, ku tha se prioritet në trajtim kanë rastet kundër korrupsionit.

Ndërsa, sa i përket çështjes së Vettingut ai tha se duhet të jetë permanent, e jo siç tha ai të  ndryshohen emra.Ndryshe, nga këta të fundit, drejtori i Policisë së Kosovës,  Rashit Qalaj tha se Vettingu  do të pastrojë institucionet, dhe se një gjë e tillë do te duhej të ndodhte tash e sa kohë.

(Kosova Sot)