Ndoqi policët e ROSU-s për truprojat e Vulinit, kjo është Prokurorja që po i ndjek komandantët e UÇK-së në Speciale

  • 12 December 2018 - 17:55
Ndoqi policët e ROSU-s për truprojat e Vulinit, kjo është Prokurorja që po i ndjek komandantët e UÇK-së në Speciale

Prokurorja polake, Natasha Vicary, e cila kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës dhe po ashtu ndaj 11 policëve kosovarë që kishin rrahur dhe keqtrajtuar 10 truproja të ministrit serb, Aleksander Vulin, i ka dërguar ftesë për intervistim në Gjykatën Speciale një ish-pjesëtari të UÇK-së.

Vicary, e cila kishte shërbyer si prokurore për më shumë se katër vite në Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), prej vitit të kaluar i është bashkuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Sipas një dokumenti që ka publikuar sot media, Vicary tash ka filluar t’i ndjek pjesëtarët e UÇK-së në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës – që njihet ndryshe me emrin “Gjykata Speciale”. Dokumenti sugjeron se prokurorja polake i ka dërguar ftesë së paku njërit prej ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistim në Speciale.

Aty, prokurorja e Specializuar përveçse i ka caktuar ish-pjesëtarit të UÇK-së datën se kur duhet të paraqitet në Hagë, i ka dhënë edhe instruksione tjera se çka duhet të ketë me vete kur ndodhen përballë prokurorit të specializuar. E ka njoftuar se nëse nuk mund të paguajë avokat, një i tillë do t’i sigurohej pa pagesë nga institucioni i Gjykatës Speciale.

Ndërkaq, gjatë punës së saj në EULEX, prokurorja Vicary njihet në veçanti për dy raste: aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe aktakuzën ndaj 11 policëve kosovarë që rrahën truprojat e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Të dy këto ndjekje penale, prokurorja Vicary i ushtroi gjatë një periudhe dy mujore – në janar dhe shkurt të vitit 2013.

Në janar të vitit 2013, Vicary dorëzoi në Gjykatën Themelore të Prishtinës një aktakuzë ndaj 11 pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës – ROSU, të cilët akuzoheshin për keqtrajtim, frikësim dhe maltretim të 10 truprojave të ministrit serb, Aleksandar Vulin.

Aktakuza ishte ngritur ndaj 11 pjesëtarëve të Njësisë Speciale Operative: Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Abdullahu, Nexhmedin Zahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Vesel Kerqeli, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi.

Dy prej tyre akuzoheshin edhe për kanosje me armë, duke ua vënë në kokë përkatësisht në gju revolen dy truprojave të Vulinit për t’i detyruar ata që të pranojnë se “ndodhen në Republikën e pavarur të Kosovës”. Dy vjet më vonë, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte dënuar vetëm 6 prej 11 policëve që akuzoheshin për këtë rast. Ata ishin dënuar me gjithsej 9 vite burgim.

E në muajin shkurt të vitit 2013, prokurorja polake kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunal nën akuzat për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve.

Aktakuza e ngritur nga Natasha Vickary thoshte se për krijimin e dobive pasurore të të tjerëve, Muja dhe pesë zyrtarët e tjerë prizrenas kishin bërë keqpërdorime të pronave të paluajtshme në periudhën katërvjeçare 2008 deri në 2012.

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh në tetor të vitit 2014, me kusht që ai të mos kryente vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve të ardhshme. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Por, kur rasti u zgjatë shumë dhe kaloi nga njëra shkallë e gjykatës në tjetrën, Natasha Vicary nuk përfaqësonte më aktakuzën ndaj Mujës pasi kishte ndërprerë punën në misionin e EULEX-it. Aktgjykimi ndaj Ramadan Mujës i vitit 2014 ishte kthyer në rigjykim dhe rasti i tij tashmë është duke u shqyrtuar nga Gjykata Themelore në Gjilan.