Miratohet teksti i draft-ligjit për amnisti për 27 prillin, s'ka falje për dhunuesit dhe porositësit e dhunës

  • 12 December 2018 - 18:23
Miratohet teksti i draft-ligjit për amnisti për 27 prillin, s'ka falje për dhunuesit dhe porositësit e dhunës

Nëngrupi për pajtim në Kuvendin e Maqedonisë miratoi sot tekstin e draft-ligjit për amnistinë e 27 prillit. Me dispozitat e këtij propozimi nuk parashihet që të amnistohen veprat: dhunë, organizim i dhunës dhe tentim vrasjeje.

Nëngrupi për pajtim vlerëson se që tani nuk mund të parashikohet se kush do të amnistohet e kush do të ndiqet penalisht. Anëtarët e nëngrupit nuk shpjegojnë nëse do të ketë heqje të akuzës për “cenim terrorist të rendit kushtetues” dhe rikualifikim të saj.

Megjithatë, deputeti Zekir Ramçilloviq shtoi se gjykimi për 27 prillin mund të vazhdojë për veprën penale “bashkim për veprimtari armiqësore”.

"Janë gjetur formulime juridike duke u bazuar në akuzën aktuale por në nene tjera si “bashkim për veprimtari armiqësore” që të mundet procesi të vazhdojë më tej. Janë përcaktuar qartë veprat penale për të cilat nuk vlen amnistia si: dhuna, dhuna fizike, organizimi, vrasja, tentim vrasja. Pra këto vepra nuk do të amnistohen" tha Ramçilloviqi.

Ai, siç raporton Alsati, nuk shpjegoi se si në draftin e hartuar nga grupi të cilin e udhëheq është paraparë të amnistohen deputetët që hapën dyert e Kuvendit.

Deri më tani, akti i tyre ka qenë pengesa më e madhe për hartimin e amnistisë për 27 prillin, pasi që ata vlerësohen si ura lidhëse mes organizatorëve dhe dhunuesve. Vepra “bashkim për veprimtari armiqësore” përfshin edhe 12 vepra të tjera të cilat sipas Kodit Penal parashikojnë dënime me burg nga 4 vite e sipër.

Neni 324 – Bashkim për veprimtari armiqësore

"Ai që bën komplot, grup-grupe apo shoqata të tjera të personave apo edhe organizata për kryerjen e veprave penale: tradhti, okupim, cenim të territorit të përcaktuar, cenim të pavarësisë, vrasje të përfaqësuesve shtetëror, rrëmbim të përfaqësuesve, dhunë ndajë përfaqësuesve, terrorizëm, diversion, sabotim, pengesë në luftën kundër armiqve dhe shërbim në luftë armiqësore, dënohet të paktën me 4 vite burg".

Me draft-ligjin për amnisti, të akuzuarve do t’u mundësohet që të prononcohen nëse pranojnë amnisti apo duan ta vazhdojnë procedurën gjyqësore.

Draftin, të cilin sot e miratoi nëngrupi për pajtim, të enjten do ta shqyrtojë Trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim dhe integrim. Në rast se nuk dalin dilema të reja, drafti do të dorëzohet në procedurë parlamentare.

Miratimi i Ligjit për amnistinë e 27 prillit kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

 

(Kosova Sot)