Gruevskin e kap kamera në restorant luksoz dhe me shofer privat në Budapest (Video)

  • 12 December 2018 - 18:44
Gruevskin e kap kamera në restorant luksoz dhe me shofer privat në Budapest (Video)

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski sot është kapur nga kamerat e një gazetari hungarez në një restorant luksoz në Budapest.

Ekipi i portalit 24.hu e ka incizuar Gruesvkin derisa po drekonte në një restorant luksoz në kryeqytetin e Hungarisë.

Në video shihet se si më pas Gruevski ka lëshuar restorantin dhe është larguar nga vendi me një makinë e cila e priste jashtë restorantit, me shofer që supozohet se është shoferi i tij privat.

Ai nuk u përgjigj në pyetjen e gazetarit se si ka arritur në Hungari dhe kush i ka ndihmuar që të arratiset nga Maqedonia.

Një muaj pas arratisjes së Gruevskit në Hungari për shkak të evitimit të dënimit me burg prej dy vjetëve për rastin “Tanku”, gazetari i “Guardianit” britanik dje publikoi foto të tij në Fejsbuk.

“E kapa gjallë! Ish-kryeministri i arratisur është vërejtur në Budapest, shkroi korrespondenti i i Gardianit nga Budapesti, Daniel Nolan në Fejsbuk.

Në fotografi, e para pasi që Gruevski ka ikur nga Maqedonia shihen ai dhe një person tjetër në afërsi të një taverne në kryeqytetin e Hungarisë.

Gruevski u arratis nga Maqedonia para rrafsh një muaji, më 12 nëntor. Me ndihmën e diplomatëve hungarezë, përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, ka ikur në Hungari, ku kërkoi dhe mori azil politik.

Autoritete e Maqedonisë për Gruevskin shpallën urdhër-arrest ndërkombëtar dhe kërkuan që ai të ekstradohet në Maqedoni.

Gruevski akuzohet për disa lëndë në Prokurorinë speciale publike, për çka Kuvendi ia mori imunitetin, ndërsa për një pjesë të tyre i caktoi masë paraburgimi.

Në vijim është hetimi për atë si ka ikur Gruevski dhe kush i ka ndihmuar.

 

(Kosova Sot)