Ramadani: NATO'ja ka dhënë në çdo takim dritë të gjelbër për ushtrinë

  • 12 December 2018 - 20:09
Ramadani: NATO'ja ka dhënë në çdo takim dritë të gjelbër për ushtrinë

Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditë më parë ka deklaruar se veprimet për transformimin e FSK-së në Ushtri vijnë në një kohë të gabuar.

Madje, Stoltenberg, kishte thënë se ky veprim “bie në kundërshtim me këshillat e shumicës së aleatëve të NATO-s dhe se i njëjti mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e Kosovës në integrimet euro-atlantike”.

Por zëvendësministri i Ministrisë së FSK-së, Burim Ramadani, ka thënë në Klan Kosova se ky qëndrim zyrtar i NATO-s është i vitit 2014, dhe si i tillë, për momentin nuk mund të ndryshohet.

“Kam udhëhequr një proces të përbashkët me Ministrinë, FSK-në, gjeneralin Rrahman Rama, me të cilët kemi pasë një angazhim jashtëzakonisht të gjerë në atë që e quajmë kampanjë informuese – dokumentim, informim dhe bashkëpunim”.

“Sigurisht se kemi synuar dhe synojmë që t’i arrijmë të gjitha shtetet e NATO-s, deri tash kemi arritur një numër kogja të madh të shteteve të NATO-s që të japim këtë aspekt të informimit dhe të komunikimit”.

“Kemi qëndruar edhe në selinë e NATO-s ku kemi komunikuar përafërsisht me 16 shtete”.

“Duhet ta mirëkuptojmë pozicionin edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, edhe NATO-s si organizatë sepse e ka të pamundur momentalisht që të marrë qëndrim tjetër”.

“Qëndrimi është i vitit 2014 ndërkaq e ka të pamundur ndryshimin e qëndrimit për shkak të shteteve jonjohëse për shkak se në NATO, secili shtet e ka të drejtën e vetos”.

Ramadani ka thënë se në NATO askush nuk është befasuar me vendimin për të transformuar mandatin e FSK-së.

Madje sipas tij, NATO nuk mund as ta ndëshkojë Kosovën, për një hap të tillë.

“Ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi është se askush në NATO nuk e sheh këtë si vendim befasues sepse kanë qenë të njoftuar me të gjitha detajet dhe planin për hapat e mëtutjeshme.

“NATO nuk është në pozicion të marrë vendim ndëshkues për Kosovën”.

“As nuk ka qëndrim që të parandalojë ndryshimin e mandatit të FSK-së por nuk ka as hapësirë që të marrë një vendim për ndëshkim, për pasoja ndaj Kosovës, sepse për të marrë vendim për pasojat ndaj Kosovës duhet që 29 shtetet anëtare të votojnë për ato pasoja”.

“Është e qartë se brenda NATO-s shumica e shteteve dërmuese përdorin veto sepse janë krah këtij procesi të tranzicionit – që për hir të korrektësisë po flasim për proces të gjatë të tranzicionit”.

“Është vendim që merret një herë në jetë dhe kjo do të ndodhë të premten. Pas hyrjes në fuqi, nis tranzicioni por përmbushja e kapaciteteve të plota do të marrë kohë, asgjë nuk ndodh brenda një periudhe të shkurtër”.

Por zëvendësministri i FSK-së ka thënë se në të gjitha takimet me NATO-n ka pasur vazhdimisht “dritë të gjelbër”.

“Insistimi i institucioneve të Kosovës, insistimi jashtëzakonisht i madh i kryeministrit Ramush Haradinaj që të lëvizet me ndryshimin e ligjeve, në të gjitha takimet, që kanë qenë shumë, me NATO-n dhe partnerët veç e veç ka pasë dritë të gjelbër për lëvizje, vazhdimisht”.

“Ka qenë pozicioni zyrtar dhe pozicioni mbështetës për lëvizje me kujdes – këtë kujdes e kemi treguar”.

“Kryeministri dhe Qeveria kanë proceduar ligjet më 13 shtator, pra po flasim për tre muaj procedurë parlamentare. Nuk kemi shkuar në procedurë të shpejtë të jashtëzakonshme por kemi garantuar rrjedhën e procesit në rrjedhë normale dhe ky proces nuk e ka befasues askënd”.

“Pozicioni zyrtar si organizatë multi-laterale është i qartë, pozicionet mbështetëse janë të drejtpërdrejta”.

 

(Kosova Sot)