Presidenti Thaçi dekreton pakon e ligjeve për reformën në drejtësi

  • 13 December 2018 - 13:00
Presidenti Thaçi dekreton pakon e ligjeve për reformën në drejtësi

Presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar sot tetë ligje të sektorit të drejtësisë, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Presidenti Thaçi ka dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë, përkatësisht Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, si dhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore.

“Efikasiteti i sundimit të ligjit është jetik në funksionimin e demokracisë. Arsimimi, shëndetësia e politikat e punësimit nuk mund të avancohen pa qasje të shpejtë në drejtësi. Për të rinjtë, drejtësia është mundësia e vetme për të ardhme më të mirë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka kërkuar nga institucionet ligj-zbatuese të këtij sektori, që të jetësojnë ndryshimin, duke zbatuar ligjet dhe duke mbrojtur interesin publik të qytetarëve.

“Lufta e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit nuk është vetëm plotësim i standardeve të kërkuara nga BE-ja, por është domosdoshmëri”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar se ky është obligim që kanë marrë ndaj qytetarëve për të përmirësuar mirëqenien e tyre dhe ndaj shtetit për t’i kontribuar ndërtimit të një shteti të fortë të së drejtës. 

(Kosova Sot)