Profesori ndërkombëtar flet për projektin amerikan për ushtrinë e Kosovës, tregon si ndikon në planet ruse në Ballkan

  • 13 December 2018 - 13:18
Profesori ndërkombëtar flet për projektin amerikan për ushtrinë e Kosovës, tregon si ndikon në planet ruse në Ballkan

Nesër, Kuvendi i Kosovës do të votojë për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

E për formimin e ushtrisë së Kosovës, për Kosova Sot ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, formimi i ushtrisë së Kosovës apo i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, është ngjarja më e rëndësishme në dekadën e fundit për vendin.

"Në fakt paqja dhe stabiliteti do të ishin më të qëndrueshëm dhe Kosova do të ishte njohur tashmë si shtet, nëse ajo prej asaj kohe do ta kishte krijuar ushtrinë e saj. Politikat europiane çuan në dobësimin e shtetit të Kosovës. Shteti i Hashim Thaçit e kërkoi njohjen e Kosovës si meshire e Europës dhe Beogradit, në vend që ta kërkonte përmes shtetformimmit, krijimit të institucioneve kushtetuese përfshirë edhe ushtrinë dhe në vend që te luftonte korrupsionin e krimin e organizuar. Kur shoferi i oligarkut Gani Thaçi, vëllaut të presidentit, kapet me mbi 100 kg heroinë, kur djali i shefit të shërbimit sekret kapet me kokainë, atëherë shteti është i marrë fund. Këtë shtet e ndërtoi Hashim Thaçi, në vend që të punonte ndryshe e me përkushtim për krijimin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës e të ushtrisë se saj", shprehet Bytyçi.

Më tej, sipas profesor Bytyçit, tani krijimi i ushtrisë është një akt me disa ndikime në Kosovë e në rajon.

Image
Enver Bytyçi

 

"Së pari, Kosova do të konsiderohet seriozisht ne marrëdhëniet ndërkombëtare. Ata që nuk e duan Kosovën do të mendohen dy herë para se ta provokojnë atë. Ata që janë skeptikë do të thonë se “Tashmë kemi një shtet me ushtri, të organizuar e të aftë jo vetëm t’i dalë zot tokës së vet, por edhe të prodhojë paqe në rajon e në botë! Ndaj duhet ta largojmë skepticizmin”. Ata që e shohin Kosovën si barrë do të kthehen e ta shohin atë si vlerë", nënvizon ai.

"Së dyti, prej këtij momenti nuk ka pse t’i lutet dikush Frederica Mogjerinit që t’ia sjellë paqen dhe integrimin Kosovës. Pjesëmarrja e ushtrisë në misionet paqeruajtëse në botë do të shoqërohet me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe ushtarët e oficerët e Kosovës do të marrin medalje siç marrin xhudistët, futbollistët apo këngëtaret e famshme nga Kosova. Kjo do ta integrojë me pahir vendin në bashkësinë ndërkombëtare, edhe nëse Serbia do ta harxhojë gjithë buxhetin e saj për ç’njohjet!".

Tutje, profesori ndërkombëtar shprehet se formimi i ushtrisë së Kosovës do të ndikojë për ta frenuar e madje larguar ndikimin rus në Ballkan.

"Së treti, formimi i ushtrisë së Kosovës me bekimin dhe me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e do të jetë masa më efektive e derisotme përkundër planeve ruse në Ballkan. Se kjo do të ndikojë për ta frenuar e madje larguar ndikimin rus dëshmon vetë fakti që formimi i ushtrisë së Kosovës dhe proceset e tjera në vend po ndërmerren pas anëtarësimit të Malit të Zi dhe pas hapjes së rrugës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO. Kjo do të thotë se forcimi i rajonit varet nga krijimi i një blloku të gjerë antirus. Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë tashmë pjesë e këtij blloku. Mbeten Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Duhet të shohim se cilën rrugë do të marrin këto dy vende, për të realizuar një paqe të përhershme në rajonin tonë. Por vendet e tjera prej tash do të prodhojnë paqe, siguri e stabilitet", thekson ai për Kosova Sot.

Bytyçi deklaron se investimi amerikan nuk do të jetë vetëm në krijimin, por edhe në pajisjen, stërvitjen dhe modernizimin e kësaj ushtrie.

"Së pesti, krijimi i ushtrisë së Kosovës po bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, të Britanisë së Madhe si dhe të disa vendeve të tjera europiane. Edhe Gjermania nuk është shprehur kundër, çka do të thotë se në thelb ajo është për ushtrinë e Kosovës.  Investimi amerikan nuk do të jetë vetëm në krijimin, por edhe në pajisjen, stërvitjen dhe modernizimin e kësaj ushtrie. Dhe pas një viti do të shohim se as Vuçiq, as Vulin nuk do të guxojnë më të deklarohen për luftë me Kosovën, madje as të shprehen se “Ne jemi në gatishmëri luftarake” për atë që ata e quajnë “mbrojtje të serbëve në Kosovë”. Sepse balancimi i forcës ushtarake forcon paqen, në rajonet ku shfaqen konflikte dhe, sepse serbët e Kosovës do të integrohen më mirë e më fort edhe në ushtrinë e Kosovës edhe në institucionet e saj. Do të ndikojë kështu kjo ushtri jo vetëm për zvogëlimin e ndikimit rus në rajon, por edhe për zvogëlimin e ndikimit serb te serbët në Kosovë", ka deklaruar ai.

Për fund, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, deklaron për Kosova Sot, se krijimi i ushtrisë së Kosovës është masë parandaluese për ndarjen e saj dhe shkatërrimin e planeve të tilla, të hartuara në Beograd e në Moskë dhe të mbështetura nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

(Kosova Sot)