A ka qenë Putin agjent i Stasit, shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore?

  • 13 December 2018 - 13:40
A ka qenë Putin agjent i Stasit, shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore?

Zbulimi i një mjet identifikimi të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore normalisht nuk do të tërhiqte shumë vëmendje, por gjërat ndryshojnë kur ajo i përket Vladimir Putin.

I lëshuar në vitin 1985, dokumenti i përkiste personit që asokohe ishte një oficer sovjetik me gradë jo shumë të lartë, por që sot është Presidenti i Federatës Ruse. 

Në atë kohë Putin punonte si spiun i KGB (shërbimit sekret të ish-Bashkimit Sovjetik) dhe ishte i vendosur pranë zyrave të shërbimit sekret të ish-Gjermanisë Lindore, i quajtur Stasi.

Prej vitit 1985 deri në vitin 1990, Putin qëndroi në Dresden. Por edhe pse e përditëshmja gjermane “Bild” shkruan se Putin ka qenë pjesë e Stasit, në arkivën e organizatës thuhet se mjeti i identifikimit i ishte dhënë vetëm që të kishte liri lëvizje në vend.

Një zëdhënës i arkivës, Dagmar Hovestädt i tha CNN përmes telefonit se Putin duhet ta ketë përdorur atë për të lëvizur lirshëm edhe brenda godinave të ndryshme të Stasit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov tha se zbulimi nuk është i papritur. “Dihet që në atë kohë KGB dhe Stasi ishin shërbime partnere, kështu që shkëmbimi i mjeteve identifikuese është normal”, tha ai. 

 

(Kosova Sot)