Miftari: Qeveria me këtë stimulim po i korrupton prokurorët

  • 13 December 2018 - 13:58
Miftari: Qeveria me këtë stimulim po i korrupton prokurorët

Sipas njohësit të kësaj fushe, Naim Miftari, qeveria me këtë stimulim po i korrupton prokurorët për të mbrojtur zyrtarët e vet nga ndjekja që u kanoset atyre."Rroga e rritur për prokurorë specialë është korrupsion institucional, pasi këta prokurorë me punën që e kanë bërë gjer sot nuk i meritojnë as rrogat e mëparshme, nuk e meritojnë as të jenë fare prokurorë dhe disa prokurorë vendin e kanë në burg, pasi janë vetë pjesë e krimit të organizuar dhe janë aty prokurorë për t'i mbrojtur politikanët e korruptuar", u shpreh ai. 

Miftari thekson se edhe rrogat e mëparshme të prokurorëve kanë qenë më të mëdhatë në rajon, dhe tani kjo e fundit, si vendim, është turp publik, kur dihet se çfarë varfërie ekstreme është në Kosovë, kur popullatën e kemi në varfëri të skajshme, e sa për të izoluar, shkelur e të etiketuar as nuk ka se çka të diskutohet.

"Pikërisht për shkak të këtyre politikave dhe të këtyre prokurorëve, të këtij lloji, po flenë dosjet e krimit, në të shumtën e të cilave edhe vetë janë pjesë e këtyre dosjeve, sepse këta po flenë së bashku me krimin e organizuar. Kjo është arsye pse shteti i Kosovës është shndërruar në një lloj kazani të mafisë dhe i krimit të organizuar. 

Pra, unë po e them se shumë nga këta prokurorë e kanë vendin në burg, kurse rrogat e tyre do të duhej të zvogëloheshin, jo të rriteshin, pasi edhe ashtu shumica janë milionerë dhe janë edhe kumbarë të mafisë", vijoi më tutje Miftari.

"Pra, në këtë javë kundër korrupsionit, jo vetëm prokurorët, por edhe kryetari Hashim Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli, si dhe kryeprokurori Lumezi është dashur ta pyesin secili veten e vet se a janë dhe sa janë të korruptuar, sa janë pasuruar ata vetë në mënyrë të pandershme, pasi këtu po flasim për katër figura që janë të gjithë milionerë", tha Miftari për "Kosova Sot". 

 

Lexo edhe këtë: Shteti i Kosovës është shndërruar në kazan të mafisë dhe krimit të organizuar

 

(Kosova Sot)