Haradinaj u prezanton ambasadorëve të Quintit draft-dokumentin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë

  • 13 December 2018 - 16:11
Haradinaj u prezanton ambasadorëve të Quintit draft-dokumentin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Quint-it.

Gjatë këtij takimi, Haradinaj ka paraqitur para tyre draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Përmes një postimi në Fcebook, Haradinaj ka thënë se ky draft-dokument është dokument mbështetës për procesin ekzistues të dialogut, si dhe aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi.

Postimi i plotë:

Sot, përpara ambasadorëve të vendeve të Quint-it, kam paraqitur draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky draft-dokument është dokument mbështetës për procesin ekzistues të dialogut, si dhe aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi. Shefi i Dialogut Teknik, Avni Arifi, ka prezantuar kapitujt, që për ne do të përbëjnë parametrat kryesorë të marrëveshjes, e cila do t’i hapë rrugë normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Draft-dokumenti me anekset përcjellëse, iu është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të të gjitha subjekteve politike. Në ditët dhe javët në vijim, ky draft-dokument do të diskutohet me të gjitha palët në shoqërinë tonë, për të arritur te dokumenti përfundimtar, ku do të përfshihet ekspertiza e të gjithëve. 

(Kosova Sot)