Çaji ia shpëtoi jetën

  • 13 December 2018 - 16:21
Çaji ia shpëtoi jetën

Nicola Fairbrass, 44 vjeçe, ishte duke shijuar një çaj në shtrat, në nëntorin e vitit të kaluar, kur hetoi një duq derisa u përkul për ta marrë filxhanin e çajit, të vendosur anash shtratit. Edhe pse në fillim mendoi se ajo mund të ishte një cist, zonja Fairbrass shkoi te mjeku i saj, dy javë më pas. Në janar u diagnostikua me kancer të gjirit, të shkallës së tretë. Kjo kërkoi që ajo t'iu nënshtrohej tetë raundeve të kimioterapisë, përgjatë një periudhe prej gjashtë muajsh, e më pas edhe një operacioni dhe 20 sesioneve të radioterapisë. 

Luftimi i sëmundjes

Në shtator ajo u deklarua e shëruar nga kanceri, por do të duhet të vazhdojë me ilaçe edhe deri në dhjetë vjet, me qëllim të parandalimit të kthimit të sëmundjes. Zonja Fairbrass, e cila pi deri në pesë filxhanë çaj në ditë, thotë se çaji ishte ai që i ndihmoi në luftimin e sëmundjes. 'Më pëlqen çaji dhe, në njëfarë mënyre, mendoj se ai ma shpëtoi jetën', thotë ajo. Zonja Fairbrass, e cila jeton me burrin Paul, 50 vjeç, thotë: 'Shumicën e netëve marrim nga një filxhan çaj në shtrat. Atë natë u ktheva për ta marrë çajin nga tavolina anash shtratit, kur hetova duqin në gji. Rreth dy javë nuk ndërmora asgjë rreth tij, duke menduar se mund të ishte, me gjasë, vetëm ndonjë cist. Por, kur hetova se gjëndra ishte duke u rritur, shkova te mjeku", tregon ajo. 

Terapia adekuate

Pasi që bëri mamografinë, ultrazërin dhe biopsinë, ajo u diagnostikua më 2 janar. Edhe pse në fillim i thanë se duhej t'ia hiqnin gjirin, më pas u pa se nuk kishte nevojë për një gjë të tillë, falë terapisë adekuate. Falë trajtimit, tumori me madhësi 43 mm u tkurr në vetëm 17 mm. Më pas zonja Fairbrass iu nënshtrua operacionit për heqjen vetëm të tumorit, e jo të tërë gjirit, sikur që veprohet shpesh. Derisa tani është mirë, zonja Fairbrass mezi pret që t'i kthehet punës dhe jetës normale.  

 

(Kosova Sot)