Femrat më me ndikim në biznes për vitin 2018

  • 13 December 2018 - 16:24
Femrat më me ndikim në biznes për vitin 2018

Kur Mary Barra iu bashkua kompanisë "General Motors Co." në vitin 1980, ajo filloi punën në përdhese të fabrikës, duke inspektuar veturat në divizionin motorik të "Pontiac". Tridhjetekatër vjet më pas, Barra u ngrit në krye të kompanisë 'GM', duke u bërë shefja e parë ekzekutive (femër) e kësaj kompanie. Në fakt, ajo u bë edhe femra e parë në krye të ndonjë prodhuesi të automobilave. Dhe, që nga atëherë, Barra ka çuar përpara këtë kompani, duke investuar me miliarda dollarë në veturat elektrike, automobilat që ecin vet, si dhe në një shërbim të vozitjes së përbashkët, të quajtur "Maven", me qëllim të sigurimit të së ardhmes së këtij prodhuesi. Nën udhëheqjen e saj, pritet që kjo kompani sivjet të fitojë 145.5 miliardë dollarë. Në listën e femrave më me ndikim në botë, të përpiluar nga "Forbes", Barra gjendet në vendin e katërt. 

Investimet në energjinë solare dhe të erës nga Isabelle Kocher

Por, Barra nuk është e vetme. Ajo është në shoqëri të mirë. Ta marrim psh Isabelle Kocher-in, e cila gjendet në vendin e 15-të të listës së "Forbes"- it, falë faktit që u emërua në postin e shefit ekzekutiv të kompanisë "Engie", kompanisë më të madhe joshtetërore të elektricitetit. Ajo ka bërë investime në energjinë solare dhe të erës, si dhe në prodhimin e automobilave me rrymë. Shumë prej femrave të kësaj liste, sivjet janë duke u angazhuar drejt përmbushjes së qëllimeve ambicioze të energjisë së përtëritshme, sikur që është Lisa Davis, No. 37, shefe ekzekutive e "Siemens Corporation USA", e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e më shumë se gjysmës së të ardhurave të gjeneruara nga kompania me vlerë 92 miliardë dollarë. Në anën tjetër të Paqësorit, në Kinë, Dong Mingzhu, No. 39, kryesuese e "Gree Electric Appliances", është përpjekur që ta zhvendosë kompaninë e saj (e cila prodhon 40% të pajisjeve 'air condition' në vend) në drejtim të energjisë alternative. Apo merreni shembullin e Wang Feng Ying, No. 56, shefe ekzekutive e "Great Wall Motor", e cila ka arritur marrëveshje me "BMW" për të sjellë veturat miniaturale elektrike në vend. Nuk duhet harruar as Melanie Kreis, No. 61, zyrtaren kryesore financiare të "Deutsche Post DHL Group", e cila ka shtyrë këtë kompani të logjistikës që të eksperimentojë me veturat autonome. Lynn J. Good, No. 72, shefe ekzekutive e kompanisë "Duke Energy Corp.", ka sjellë risinë e rrjeteve fleksible energjike dhe një infrastrukturë më të gjerë të gazit natyror. Geisha Williams, No. 90, shefe ekzekutive e "PG&E", ka arritur qëllimet e energjisë së përtëritshme të Kalifornisë tre vjet para afatit. E emëruar në këtë post në vitin 2017, Williams është latinia e parë që udhëheqë një kompani "Fortune 500".

Ndër fytyrat e tjera të njohura është edhe shefja ekzekutive e kompanisë "GlaxoSmithKline"

Po ashtu, në krye të kompanive "Fortune 500" janë dhe Marillyn Hewson, No. 9, shefe ekzekutive e "Lockheed Martin" dhe Phebe Novakovic, No. 25, shefe ekzekutive e "General Dynamics". Përkushtimi i Hewsonit për të ulur koston e pajisjeve ushtarake dhe përkushtimi i saj për rritjen e aftësisë me anë të kurseve të ndryshme, kanë përforcuar pozitën e saj. Ndër fytyrat e tjera të njohura është edhe shefja ekzekutive e kompanisë "GlaxoSmithKline", Emma Walmsley, No. 18. Pasi, në vitin 2017, ishte bërë femra e parë që udhëhiqte ndonjë kompani farmaceutike, Walmsley ndërpreu 30 programe për zhvillimin e ilaçeve dhe 130 brende, si dhe filloi një bashkëpunim me "23andMe", në emër të uljes së çmimit dhe zhvillimit të terapive më të mira. Ekzekutivet tjera të farmaceutikës, Kiran Mazumdar-Shaw, No. 60, kryesuese e "Biocon"-it dhe indiania më e pasur (nga grupi i femrave që vet e kanë fituar pasurinë), si dhe Judith Faulkner, No. 75, themeluese dhe shefe ekzekutive e furnizuesit së softuerit mjekësor "Epic Systems", po ashtu janë kthyer në listë. Në këtë listë ka edhe debutuese, sikur që është psh Gail Boudreaux, No. 12. Qyshkur mori postit të shefes ekzekutive të kompanisë "Anthem", në fund të vitit 2017, ajo ka blerë disa kompani, si "HealthSun", "America's 1st Choice" dhe "Aspire Health". Boudreaux është njëri nga pesë emrat e rinj në listën e sivjetme. 

(Kosova Sot)