Votimi i ushtrisë, KDI fton Listën Serbe të marrë pjesë në seancën e Kuvendit

  • 13 December 2018 - 16:49
Votimi i ushtrisë, KDI fton Listën Serbe të marrë pjesë në seancën e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje Grupit Parlamentar të Listës Serbe të marrë pjesë në seancën plenare për miratimin e pakos së Ligjeve për FSK-në, të cilat i mundësojnë FSK-së shndërrimin e saj në ushtri.

KDI konsideron se pjesëmarrja e Listës Serbe në këtë seancë parlamentare do të jetë në funksion të integrimit dhe zhvillimit të vlerave demokratike të shoqërisë së Kosovës.

“Kuvendi është institucioni përfaqësues ku duhet të zhvillohen të gjitha diskutimet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve të Kosovës. Andaj, është e rëndësishme që edhe deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe të përfshihen në këtë proces tejet të rëndësishëm për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën dërguar GP të Listës Serbe.

Deri më tani transformimi i FSK-së ka marrë mbështetjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, të cilët kanë kontribuar që ky proces të jetë gjithë përfshirës, derisa Lista Serbe është shprehur kundër.

Ndryshe, pakoja e ligjeve të FSK-së, garanton përfshirjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, duke mos u bazuar në ndarje etnike.

FSK-ja si forcë ushtarake multi-etnike profesionale ka për detyrë të mbrojë integritetin territorial të vendit dhe të gjithë qytetarët e saj. Me miratimin e ligjeve për transformim të FSK-së, Kosova do të avancojë dhe do të kontribuojë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes jo vetëm brenda por dhe në rajon e me gjerë. 

(Kosova Sot)