Bislimi: Varfëria godet arsimin

  • 13 December 2018 - 17:40
Bislimi: Varfëria godet arsimin

Sipas analistes politike Liridona Bislimi, protesta e studentëve në Shqipëri po vazhdon të rritet më shumë dita-ditës. Kjo protestë nuk kishte flamuj partiakë, nuk bëhej thirrje për kaos e dhunë."Ishte një protestë të rinjsh, që nuk duan të ikin dhe t'ia kthejnë shpinën Shqipërisë, por përtej të gjitha vështirësive studentët kanë vendosur të rrinë në vendin e tyre, kanë vendosur të arsimohen e të kontribuojnë për tokat e tyre.

Studentë që kur të mbarojnë mësimin mos të renditen drejt kursit të gjermanishtes, që do t'i punësojë jashtë vendit, duke e lënë Shqipëri pa mjekë, infermierë, inxhinierë e shkencëtarë. Studentë që kishin prindër të papunë, pa ndihmë ekonomike, prindër invalidë pa asistencë, prindër pensionistë, që zgjedhin të durojnë sëmundjet pa ilaçe për një shkollim cilësor të fëmijës.

Studentë që punojnë paralelisht me vijimin e studimeve, por që nuk përballojnë dot sërish jetesën e paguajnë për një arsim, që nuk i garanton dot punësim sipas meritës. Të njëjtën gjendje e përjetojnë studentët në Kosovë... shumica dërmuese e studentëve punojnë dhe studiojnë njëkohësisht në mënyrë që të arrijnë shumën e kënaqshme për t'i arritur pagesat e jetës studentore.

Sikur në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e gjen një shkencëtar që ka varur doktoratën e 5 viteve në mur dhe endet rrugëve i papunë, si dhe një pjesë bukur e mirë e studentëve që punojnë kamerierë ose në 'call center' me diplomën e juridikut, ekonomikut, edukimit...! Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri arsimimi mbetet atribut vetëm i familjeve në gjendje të mirë ekonomike, duke u bërë i vështirë ose i pamundur për thuajse gjysmën e popullsisë", theksoi Bislimi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)