Skender Musa flet për ndikimin e Gjykatës Speciale në politikë

  • 13 December 2018 - 17:42
Skender Musa flet për ndikimin e Gjykatës Speciale në politikë

 Avokati tjetër Skënder Musa, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Gjykata Speciale padyshim që do të ndikojë në situatën politike në Kosovë, duke pasur parasysh gjendjen aktuale politike, në mënyrë të veçantë për shkak të vazhdimit të dialogut me Serbinë.

"Kjo gjykate që nga themelimi i saj ka qenë e padrejtë, për arsye se merret vetëm me krimet e supozuara që janë kryer gjoja nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, e që nuk merret fare me masakrat dhe krimet makabre nga ushtria dhe policia e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kosova i ka institucionet e veta shtetërore, të cilat janë të obliguara që të mbajnë situatën nën kontroll, në mënyrë që të mos eskalojë situata, ndërkaq të ftuarit duhet të përgatiten për mbrojtje të fuqishme, për shkak se procedurat penale kërkojnë argumente dhe prova për të dëshmuar pafajësinë e tyre, pasi prokurorët e Speciales do të paraqesin prova materiale, skica të vendeve të ngjarjes dhe numër të madh të dëshmitarëve nga Serbia, por edhe nga Kosova.

Çdo i ftuar nga Gjykata Speciale duhet që ta marrë seriozisht ftesën, pa marrë parasysh se a është ftuar si dëshmitar apo i dyshuar dhe të përgatitet për një proces hetimor dhe gjyqësor mjaft të ndërlikuar", u shpreh ai.

(Kosova Sot)