Limaj thotë se Nisma do ta ketë fjalën kryesore në zgjedhjet e ardhshme në Prishtinë

  • 13 December 2018 - 20:00
Limaj thotë se Nisma do ta ketë fjalën kryesore në zgjedhjet e ardhshme në Prishtinë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mbajtur tubim me strukturat e Nismës në Prishtinë. Limaj ka përgëzuar drejtuesit e degës së Nismës në Prishtinë për punën që po bëjnë. Ai ka thënë se nuk ka asnjë dilemë që Nisma në Prishtinë në zgjedhjet e ardhshme do ta ketë fjalën kryesore.

“Është një kënaqësi e madhe që shohim këtë strukturë të njerëzve ku djem e vajza të cilët kanë marrë mbi vete përgjegjësinë për të udhëhequr degën e Nismës në Prishtinë dhe për ta futur frymën e Nismë në çdo cep të Prishtinë. Secilit veç e veç ju shprehi mirënjohje për punën dhe angazhimin që e keni bërë për ta sjellë Nismën në Prishtinë në këto nivele”, ka thënë Limaj para strukturave e anëtarëve të Nismës në Prishtinë.

Kryetari i Nismës ka thënë se ndodhen në një moment të veçantë dhe historik.
Nesër, sipas tij, vendi përfundimisht do të bëhet me Ushtri dhe me këtë rast ai ka kujtuar të gjithë ato gra e burra të cilët kanë bërë të mundur lirinë e Kosovës.
“Nuk ka privilegj më të madh dhe një ushtri nuk mund të jetë më e nderuar që në themelet e saj dhe bazën e kësaj ushtrie do të kujtojnë me krenari e respekt se komandanti i parë i kësaj ushtrie ka qenë Adem Jashari. Lum për rata djem e vajza që do të veshin uniformën e Ushtrisë”, ka theksuar Limaj.

Duke folur për angazhimin e të rinjve në jetën publike, zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se vendi më shumë së kurrë ka nevoje për të rinjtë dhe energjitë e tyre pozitivë për të çuar një hap më tutje shtetin e Kosovës.

Sa i përket partisë të cilën ai e drejton, Limaj ka thënë se qëndrimet i kanë të matura e të vendosura dhe se qëndrimet politike të Nismës nuk janë në kalkulime të ngushta partiake e ditore. 

“Angazhimi i Nismës Socialdemokrate në Kuvend dhe Qeveri dëshmon më së miri këtë që po e them. 

Para pesë viteve pikërisht në këtë sallë e kemi nisur rrugëtimin dhe qysh atëherë ju kam paralajmëruar se do të jetë rrugëtim i ngadalshëm, por I sigurt. Dhe ja ku jemi sot faqe bardhe”, ka përfunduar Limaj. 

Kryetari i degës së Nismës në Prishtinë, Skender Reçica, ka thënë se pjesëmarrja kaq e madhe ia forcon bindjen se Nisma ka hapë dyert për elektoratin e përgjithshëm në Prishtinë, ku secili anëtar ndihet i vlerësuar dhe mund të jap kontributin në Nismën Socialdemokrate.

“Nisma është një parti e mirëfilltë socialdemokrate dhe ku qytetarët e Kosovës janë të barabartë. Programi I Nismës po zbatohet suksesshëm në qeveri dhe politikat me orientim socialdemokrat janë në shërbim të qytetarëve. Nisma në Prishtinë ka konsoliduar radhët e saj me forumin e Gruas dhe të rinisë me mbi 20 degë anekënd Prishtinës”, ka thënë Reçica.
Të pranishmeve me nga një fjalë rasti i është drejtuar edhe Kryetarja e Gruas në Prishtinë, Arbentia Halilaj-Krasniqi dhe kryetari i rinisë së Nismës në kryeqytet, Donat Gashi.

 

(Kosova Sot)