Erdogan s'u ndahet gylenistëve - shënjestron paratë e tyre

  • 13 December 2018 - 20:35
Erdogan s'u ndahet gylenistëve - shënjestron paratë e tyre

Turqia do të ndërmarrë nisma të reja për të shënjestruar financimin e mbështetësve të klerikut Fethullah Gulen jashtë kufijve të vendit. Deklaratën e bëri presidenti Recep Tayyip Erdogan, gjatë një fjalimi të mbajtur në Ankara.

Turqia nuk tërhiqet nga ideja se ndjekësit e Gulenit qëndrojnë pas tentativës së dështuar për grusht shteti korrikun e vitit 2016, kur grupe ushtarësh morën tanke e helikopterë, e mësynë ndërtesën e Parlamentit.

Vetë kleriku ka mohuar gjithmonë të ketë pasur gisht në përpjekjen për rrëzimin e Erdoganit, e madje e ka dënuar atë.

Në muajin nëntor, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu iu dorëzoi zyrtarëve amerikanë një listë me emrat e 84 pjesëtarëve të lëvizjes së Fethullah Gulenit, përfshirë edhe atë vet, të cilët Ankaraja kërkon që të ekstradohen.

Kryediplomati turk, megjithatë, nuk mori asnjë garanci atëherë nga homologu amerikan Mike Pompeo, e as nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, se kërkesa do t’i plotësohej.

Fati i Gulenit vazhdon të mbetet burim tensionesh mes dy vendeve, ndonëse marrëdhëniet amerikano-turke u zbutën disi, pasi Ankaraja liroi në muajin tetor pastorin Andrew Brunson.

 

(Kosova Sot)