Taksa godet tregtinë e ligjshme, kontrabanda vlon në veri

  • 14 December 2018 - 07:54
Taksa godet tregtinë e ligjshme, kontrabanda vlon në veri

 Shteti humb miliona nga mallrat e kontrabanduara prej Serbisë

 “Nëse nuk ka vullnet për të mos lejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe, ngase, sipas mediave, po thuhet se i tërë ky mall i kontrabanduar po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën dhe nëpërmes rrugëve alternative”, shprehet deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot”

Kontrabanda vazhdon ta dëmtojë me qindra miliona euro buxhetin e Kosovës. Sipas analistëve të ekonomisë, sidomos pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë, aktivitetet ilegale në pjesën veriore mund të jenë intensifikuar. Njohësit e kësaj fushe kanë frikën se Qeveria dhe institucionet e vendit nuk do të mund të ndalojnë kontrabandën e këtyre mallrave, jo vetëm në veri, por edhe në kufi me Malin e Zi e gjetiu. Lideri i Aleancës Kosovare të Bizneseve(AKB), Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kanë bërë thirrje që institucionet e vendit të jenë më shumë prezente, qoftë në dogana apo edhe Policia e Kosovës, të patrullojnë më shumë në brezin kufitar me Serbinë.“Ka tentime sporadike për kontrabandë mallrash, por e mira është se edhe vetë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar që prodhimet serbe duhet hequr me çdo kusht nga raftet e shitjes”, potencoi ai.

Pa vullnet qeveritar, nuk luftohet paligjshmëria

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, tha se nuk ka ndonjë informacion të saktë se a është rritur apo jo kontrabanda e mallrave serbe në Kosovë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe se a apo bëhet kjo qoftë përmes pikave kufitare apo edhe rrugëve alternative nga të gjitha pikat kufitare rreth e qark vendit.“Por nëse tashmë vërtet ka filluar që të ndodhë kjo, kam frikën se ky kontrabandim i mallrave që hyjnë në shumë anë, si edhe veprimet e tilla në të zezën, do ta dëmtojnë shumë rëndë buxhetin e vendit”, vlerësoi ai.“Po patën një vullnet të mirë Qeveria jonë dhe institucionet e vendit, do të mund të ndalojnë kontrabandën e këtyre mallrave jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në kufirin me Malin e Zi e gjetiu. Mirëpo, për ta bërë këtë nevojitet një vullnet dhe dëshirë, por edhe vendosmëri deri në maksimum e kësaj qeverie”, vijoi më tej Salihu.“Nëse nuk ka vullnet për të mos lejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe, ngase sipas mediave po thuhet se i tërë ky mall i kontrabanduar po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën dhe nëpërmes rrugëve alternative”, shprehet deputeti Salihu.

 Propozohet task-forcë kundër krimit ekonomik

Afaristi i derivateve të naftës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Doganat e Kosovës dhe ATK-ja, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kujdesin më të madh duhet ta kenë sidomos për kontrabandën me derivate nafte, që mund të bëhet dhe që ka dyshime të mëdha se po bëhet në veri të Kosovës, por edhe nga drejtimi i Malit të Zi dhe në pikat e tjera kufitare të vendit tonë, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe.“Qeveria jonë duhet që të ketë kujdes që mos të lejojë evazionin e madh fiskal që mund të bëhet nga kontrabanda me derivate, sepse siç dihet kontributin gati më të madh në mbushjen e arkës së shtetit e bëjnë pikërisht naftëtarët që gjatë një viti paguajnë më shumë se 200 milionë euro taksa në emër të derivateve të importuara”, theksoi ai. Maloku foli edhe rreth çështjes se sa janë të mbushura marketet me plot mallra serbe dhe se i tërë ky mall po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën. Ai kërkoi nga organet e shtetit që të formojnë task-forcë që do të paralajmëronte të gjithë qytetarët dhe bizneset që kapen në flagrancë dhe tregti të zezë me Serbinë për pasojat që do t’i kenë dhe reperkusionet e gjobave, por edhe të dënimeve drastike me burg në rast të thyerjes së kësaj takse shtesë ndaj Serbisë.“Prandaj, mbetem me shpresë se, pasi që  Qeveria e ka marrë me seriozitetin më të madh aplikimin e këtyre masave ndaj Serbisë, nuk do të lejojë që të ketë rritje të kontrabandës dhe informalitetit në asnjë pjesë të Kosovës që mund të bëhet përmes pikave doganore apo kanaleve të tjera alternative dhe rrugëve dytësore”, potencoi Maloku.

 Humbjet detyruan serbët të reagojnë

Ligjëruesi universitar, Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se dallimi i tashëm me të kaluarën është se doganat, Policia e Kosovës dhe KFOR-i po e kontrollojnë veriun e vendit shumë më tepër sesa më parë.“Dhe ajo që është më kryesorja edhe vetë pala serbe, duke e parë situatën që po pësojnë humbje të mëdha në buxhetin e tyre, me të madhe serbët po e kontrollojnë pjesën e vet të kufirit, duke mos lejuar që në Kosovë të futen mallra pa dokumentacion, ngase ajo pjesë e Serbisë kanë bërë falsifikime dokumentesh, gjoja po eksportojnë mallra në Kosovë, me qëllim që më pas TVSH-ja të shfrytëzohet në Serbi. Edhe pas masave të Qeverisë në veriun e Kosovës kontrabandë ka pasur, por ajo ka qenë në një sasi shumë të vogël, duke e bërë këtë evazion përmes veturave dhe rrugëve alternative, që nuk çojnë shumë peshë. Por, në krahasim me të kaluarën, kjo është shumë më pak, sepse tash ka mobilizim të madh të doganave, ATK-së, Policisë së Kosovës, e në veçanti për lëvdata është angazhimi maksimal i KFOR-it në atë pjesë, si kurrë më parë ”, tha Maxhuni.

 Doganat dhe ATK-ja të mobilizohen

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ka shpresë se kjo qeveri pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për autoritet e Serbisë do të mobilizojë Doganën e Kosovës dhe ATK-në në luftën e saj ndaj kontrabandës dhe informalitetit që mund të bëhet kudo përmes pikave kufitare, me theks të posaçëm në veri dhe në drejtim të Malit të Zi, që si dy rajone kanë qenë pjesa më e rebeluar karshi institucioneve të Kosovës. “Po qëndruan duarkryq doganat dhe ATK-ja, atëherë do të ketë shumë shpejt një rritje të evazionit fiskal dhe informalitetit përmes të cilëve mund t’i bëhet një dëm i madh buxhetit të Kosovës”, vlerësoi ai. Neziraj sugjeroi se veç pjesëve të tjera të vendit në të gjitha rrugët ilegale dhe alternative duhet që vendosen dogana dhe Policia kufitare dhe nuk duhet hezituar nga qeveria të kërkojë edhe ndihmë nga trupat e KFOR-it.

Policia të shtojë patrullimet

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se do të ketë rritje të kontrabandës dhe numrit të kontrabandistëve dhe kjo është ditur se do të ndodhë që nga momenti kur është futur në fuqi taksa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. “Është e kuptueshme që kjo kontrabandë do të ketë efekte negative tek buxheti i Kosovës, por nuk e besoj se efekti i saj do jetë edhe aq i madh për shkak se këta kontrabandues po deshi qeveria jonë gjithmonë do t’i kenë rrugët e mbyllura”, vlerësoi ai.“Duke e ditur që kemi njerëz që dëshirojnë të bashkëpunojnë me kontrabandistët, atëherë kjo kategori gjithmonë do të gjejnë rrugë të tjera alternative se si të hyjnë në Kosovë në mënyrë ilegale për t’i sjellë produktet serbe në territorin e Kosovës. Këtu duhet që Policia e Kosovës të fillojë që edhe në zonat rurale t’i sigurojë patrullimet, për shkak se përmes maleve dhe rrugëve malore ku nuk ngecur vetura kontrabandistët do të hyjnë pa problem. Kurse nëpër kufijtë e Kosovës duhet që të fillojnë me kontrollim të çdo veture , kombi dhe kamioni të vogël dhe të mesëm, për ta parandaluar kontrabandimin nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Grapci.

(Kosova Sot)