Lista të zeza për politikanët zhvatës, të izolohen e të ndëshkohen

  • 14 December 2018 - 07:59
Lista të zeza për politikanët zhvatës, të izolohen e të ndëshkohen

Qarri: Ndërkombëtarët t'ua refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar vendorë, të mbytur në korrupsion dhe të lidhur këmbë e kokë me krimin e organizuar

 “Me ndihmën e shteteve mike të gjithë pushtetarët e inkriminuar fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtarëve, duke mos u dhënë viza dhe duke i bllokuar e duke i injoruar si jo të denjë dhe të papërshtatshëm për vizita jashtë vendit, si dhe nuk duhet t'i trajtojnë jo si burrështetas, por si hajdutë dhe kriminelë që kanë vrarë ardhmërinë e popullit të tyre. Pra, të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca e shumë të tjera duhet të refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë të lidhur me krimin e korrupsionin në nivelet më të larta shtetërore”, thotë analisti Florim Zeqa për ‘Kosova Sot”

Duke parë mungesën e vullnetit të politikës kosovare për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në radhët e veta dhe në nivel të institucioneve, nga ato lokale deri në nivelin qendror, analistët politikë, por edhe qytetarët e anketuar konsiderojnë se do të ishte zgjidhje e  mirëqëlluar nga vendet mike të Kosovës që t’i bëjnë listat e zeza për politikanët e korruptuar dhe inkriminuar, dhe ata të izolohen e t’u pamundësohet lëvizja e lirshme gjithandej në Evropë dhe nëpër botë pa pengesa, derisa për qytetarët akoma vazhdon regjimi i ashpër i vizave. Analistët, por edhe qytetarët, mendojnë se  tani do të duhej që të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBA-ja,Gjermani,Britania,Franca e shumë të tjera që t`ua refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë të lidhur me krimin e korrupsionin, pasi pushtetarët e inkriminuar në Kosovë janë akoma mbi ligjin dhe nuk e bëjnë hesap sistemin e drejtësisë,të cilin e kanë në duart e veta. Sipas tyre, shumica nga këta pushtetarë të inkriminuar që e zhvatën këtë popull për gati dy dekada rresht, në të dyja nivelet, duhet futur ne listat e zeza nga shtetet mike, pasi janë pjesë e krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale. Ky krim nuk ka shans të luftohet nga sistemi aktual i drejtësisë, por me ndihmën e shteteve mike të gjithë pushtetarët e inkriminuar fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtareve, duke mos u dhënë viza dhe duke i bllokuar dhe duke i injoruar si jo të denjë që shtetet mike t’i trajtojnë si burrështetas, thonë analistët.

 Zeqa: Të gjithë pushtetarët e inkriminuar, fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtarëve

Sipas analistit politik Florim Zeqa, pushtetarët e inkriminuar që e zhvatën popullin për gati dy dekada rresht, në të dyja nivelet, jo vetëm që duhet të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë ndërkombëtare, por dhe të futen në listat e zeza nga shtetet mike të Kosovës. “Me ndihmën e shteteve mike, të gjithë pushtetarët e inkriminuar fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtarëve, duke mos u dhënë viza dhe duke i bllokuar dhe duke i injoruar si jo të denjë dhe të papërshtatshëm për vizita jashtë vendit, si dhe nuk duhet t'i trajtojnë jo si burrështetas, por si hajdutë dhe kriminelë që kanë vrarë ardhmërinë e popullit të tyre. Pra, të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca e shumë të tjera duhet të refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë të lidhur me krimin e korrupsionin në nivelet më të larta shtetërore”, u shpreh ai. “Vetëm me ndihmën e SHBA-së, Gjermanisë dhe aleatëve të tyre mundemi t'ua nxjerrim ‘ligjin’ nga duart të gjithë pushtetshmëve, pushtetarëve të  inkriminuar në Kosovë që nuk e bëjnë hesap sistemin e drejtësisë, nënçmojnë qytetarët dhe zhvatin buxhetin e shtetit”, vijoi më tutje Zeqa. “Dënimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme të politikanëve të inkriminuar do të çlironte shtetin nga uzurpatorët dhe do të pasuronte arkën e shtetit për miliarda e miliarda euro, pasuri këto që do të përmirësonin dukshëm situatën e ekonomike në vend dhe do të kthenin shpresën e qytetarëve për jetë dinjitoze në atdheun e tyre”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Qarri: Krimi nuk ka shans të luftohet nga sistemi i kapur aktual i drejtësisë

Ide e qëlluar dhe veprim efektiv konsiderohet izolimi ndërkombëtar i qeveritarëve të korruptuar edhe nga analisti Gani Qarri. “Pas krejt asaj sa ka ndodhur në Kosovë, tanimë do të duhej që urgjentisht, të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca e shumë vende të tjera që ia duan të mirën popullit dhe shtetit tonë, menjëherë t`ua refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar vendor, të mbytur në korrupsion dhe lidhur këmbë e kokë me krimin e organizuar. Fakti që ata mbetën të padënuar asnjëherë, pikërisht shkaku i korruptimit të vetë kryeprokurorit të vendit pikësëpari, pushtetarët e inkriminuar në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë ende me të dy këmbët mbi ligjin dhe as që e bëjnë fare hesap se ekziston sistemi i drejtësisë, të cilin e kanë plotësisht në duart e veta”, u shpreh ai. “Pushtetarët e tillë të inkriminuar deri në fyt, të cilët e zhvatën këtë popull për gati dy dekada rresht, në të dyja nivelet, që të gjithë duhet futur ne listat e zeza, duke filluar nga Amerika e pastaj edhe nga shtetet e tjera mike, pasi  jo vetëm se kanë dëshmuar që janë pjesë e krimit të organizuar, por vetë krimi dhe koka e nëntokës kriminale në vend e më gjerë”, potencoi Qarri. Sipas tij, krimi që ka lëshuar rrënjë kaq të thella kudo, tash e më se 20 vjet, nuk ka shans të luftohet nga sistemi i kapur aktual i drejtësisë. “E vetmja zgjidhje mbetet ndërhyrja direkt e ambasadorit të SHBA-së, z.Philip Kosnett, si dhe ndihma e shteteve mike që ia duan të mirën vendit tonë, fillimisht duke bllokuar të gjithë pushtetarët e inkriminuar, duke i futur ata në karantinën e listave të zeza të ndërkombëtareve, duke abroguar të drejtën për viza dhe duke injoruar tërësisht, si të padenjë, që shtetet mike t’i trajtojnë burrështetas”, tha  Qarri për “Kosova Sot”.

 Bandat politike të ndëshkohen

Një qasje të tillë e sheh shumë të qëlluar dhe tepër efektive, analisti Reshat Badallaj. ” Puna më e mençur dhe më e ndershme do të ishte që shtetet e fuqishme të botës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe dhe të tjera, pushtetarëve të inkriminuar, që unë nga fillimi i quaj jo vetëm banditë po shkuar banditëve, që nuk është dashur dhe nuk duhet t´u jepen vizat këtyre hajnave. Në të njëjtën kohë dhe në këtë mënyrë njëkohësisht do të luftonin edhe korrupsionin dhe hajninë. Pikërisht këtë që e them pa frikë fare janë ata që kanë formuar rrjetin më të tmerrshëm kriminal të nëntokës, ku çdo gjë kontrollohet nga këta pushtetarë. Ndoshta ka ndonjë naiv ose argat i tyre dhe pyet se kjo a është e saktë? Kush i ka dy sytë në ballë i sheh se po këta pushtetarë, që e kanë kapur për fyti shtetin, deri dje nuk kanë pasur bukë për të ngopur barkun, nuk kanë pasur brekë dhe çorapë,  dhe si ka mundësi që këta banditë shkuar banditëve të bëhen super milionerë dhe të sigurojnë pasuri për më tepër se 100 vjet? Unë ketë po e them publikisht, që po shihet se ajo që nuk shihet e dinë vetëm këta hajna dhe matrapazë që e kanë goditur buxhetin e shtetit deri në palcë dhe se vjedhin pa mëshirë djersën e taksapaguesve”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

Guraziu: Politika e kontrollon drejtësinë

Një izolim të tillë për politikanët e inkriminuar e preferon edhe analisti politik Ragip Guraziu. “Do të duhej,që  të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBA-ja ,Gjermani,Britania,Franca e shumë të tjera që t`i refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë të lidhur me krimin e korrupsionin. Sepse, pushtetarët e inkriminuar në Kosovë janë akoma mbi ligjin dhe nuk e bëjnë hesap sistemin e drejtësisë, të cilin e kanë në duart e veta. Këta pushtetarë të inkriminuar, që e zhvatën këtë popull për gati dy dekada rresht, në të dyja nivelet, duhet futur në listat e zeza nga shtetet mike, pasi  janë pjesë e krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale, dhe i cili krim nuk ka shans të luftohet nga sistemi aktual i drejtësisë, pasi të gjithë janë vlerësuar me këtë diagnozë, por me ndihmën e shteteve mike të gjithë pushtetarët e inkriminuar, fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtareve, duke mos u dhënë viza dhe duke i bllokuar dhe duke i injoruar si jo të denjë që shtetet mike t’i trajtojnë si burrështetas”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

 Dekriminalizim i plotë i politikës dhe miratimi e zbatimi i një ligji VETTING

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi mendon se ky lloj izolimi mund të ishte një zgjidhje vetëm afatshkurtër, porse zgjidhja më e mirë do të ishte imponimi pa kusht i dekriminalizimit të plotë të politikës  dhe miratimi e zbatimi i një ligji VETTING. “Natyrisht se veprimi i tillë do të ishte ndoshta një ndihmë e madhe në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe të veprimtarisë kriminale. Por, unë mendoj, se Kosovës i duhet ndihmë juridike në drejtim të shërimit të sistemit të drejtësisë, si formë dhe mjet për të siguruar sistemin dhe për të ndërtuar shtet ligjor. Këtu mendoj në futjen në zbatim të VETTING-ut si mjet kryesor i krijimit të sistemit të drejtë juridik. Vetting duhet të bëhet dhe të ndërtohet jo vetëm me kuadrot e vendit, por edhe me mbështetje nga SHBA-ja, Anglia dhe Gjermania. Një Vetting i tillë,  në përbërje të tillë krijon taban të shëndoshë për të spastruar Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Kështu krijohet baza e ndërtimit të shtetit juridik dhe të luftimit me sukses të veprimtarisë kriminale”, theksoi Kelmendi.

Qytetarët, të irrituar dhe të dëshpëruar

Një mendim të ngjashëm me analistët politikë kanë edhe qytetarët, ndonëse, sipas tyre, shumë më efektiv do të ishte dënimi me votë në zgjedhje i të gjithë këtyre që  e  sollën vendin deri në këtë gjendje dhe po e mbajnë të izoluar. Izolimin ndërkombëtar të të korruptuarve e sheh zgjidhje edhe  qytetari Hajdin Osmani, punëtor i arsimit. “Unë mendoj që kushdo që është përgjegjës në çdo fushë të veprimit, që ka rënë ndesh me ligjin, që ka abuzuar me pushtetin dhe me buxhetin e shtetit,  duhet të përgjigjet, duhet të izolohet, sepse populli nuk ka faj asgjë. Popullit duhet t’i mundësohet liria e lëvizjes të ecë lirshëm përpara, por jo atyre që janë të inkriminuar e të korruptuar. Unë dua të shkoj diku jashtë, kam ndonjë arsye për të lëvizur, qoftë vizitë familjare apo nevoja të tjera të punës apo  dikush të studimit e dikush tjetër edhe të mjekimit, dhe nuk do të duhej të jem kështu i ngujuar dhe i izoluar për shkak të politikës së inkriminuar e të korruptuar. Ne qytetarët duhet ta kemi mundësinë të ecim përpara, e politikanët e korruptuar të futen ne lista të zeza dhe t’ju pamundësohet kjo lëvizje e lirë, sepse qytetarët e Kosovës janë  qytetarë proevropianë dhe properëndimorë të sprovuar dhe të dëshmuar. Fajet i kanë për hesapet e tyre njerëzit e korruptuar në pushtet dhe ata le të izolohen nga miqtë tonë ndërkombëtarë dhe ne t’i identifikojmë ata dhe t’i ndëshkojmë edhe me votë”, theksoi Osmani. Mirëpo, qytetari tjetër, Naser Shatrolli thotë se mesazhi ndërkombëtar për izolimin e  njerëzve të korruptuar në politikë dhe në institucione  vjen indirekt, nëpërmes mbajtjes peng të gjithë shoqërisë në tranzicion, siç është rasti i Kosovës, në mënyrë që vetë populli ta kuptojë se të korruptuarit duhet të ndëshkohen me votë, nëse ata nuk vetëpërjashtohen dhe nuk largohen nga skena politike dhe e qeverisjes së vendit. “Unë më shumë po flas në aspektin praktik dhe në kontekstin logjik, në rrjedhën se çfarë ne po e përjetojmë në këto kohë dhe nuk e di pse ndodhi kështu kaq gjatë me Kosovën. Kjo është një pyetje që  me të vërtetë e kërkon një përgjigje më studioze pse kjo i ndodhi kështu vetëm Kosovës dhe pse u ndodhi të tjerëve shumë më lehtë, sepse edhe vendet e tjera të rajonit kanë shumë probleme, por atyre iu dha shansi dhe mundësia për të lëvizur, kurse Kosovës i ndodhi kjo lloj bllokade. Ndoshta është problemi me të vërtetë krejt politik, sepse BE-ja nuk dëshiron që t’i hapë portat për qytetarët e Kosovës me këtë garniturë politike, ndoshta është kjo një lloj kushti në prapavijë dhe BE-ja e ka këtë kulturë, sepse ata nuk ta thonë drejtpërdrejt, nuk ta thotë detyrimisht largoni njerëzit dhe vendoseni një rend të ri qytetar të vendin tuaj. Kjo është njëra prej këtyre përgjigjeve që do të duhej që vetë ata të cilët e kanë në dorë timonin e Kosovës ta kuptonin kështu dhe të reflektonin”, u shpreh ai. Sipas tij, se a do të reflektojnë ata apo jo, kjo veç po shihet se si po reflektohet dhe se si është gjendja në terren, kështu që për dy vjet mosliberalizim nënkupton që është një ri-izolim i ri për qytetarët e Kosovës.

(Kosova Sot)