Kosova me ushtri! Meta: Ndryshim historik

  • 14 December 2018 - 11:27
Kosova me ushtri! Meta: Ndryshim historik

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e ka quajtur historik transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

“Vendimi historik i krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dëshmon qartë që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për të kontribuar vendosmërisht për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë. Fryma euro-atlantike qëndron në themel të këtij ndryshimi historik”, shkruan Meta në reagimin e tij.

Kuvendi i Kosovës miratoi sot ndryshimet Kushtetuese për formimin e Ushtrisë dhe për rrjedhojë krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Me 106 votat e deputetëve të pranishëm, FSK është transformuar tashmë në Ushtri. Pro projektligjeve kanë votuar si pozita ashtu edhe opozita. Në seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e Listës serbe, të cilat u pozicionuan kundër krijimit të Ushtrisë.

(Kosova Sot)