Udhëheqësit e BE-së i kërkojnë Britanisë që t’i bindë deputetët për marrëveshjen

  • 14 December 2018 - 13:25
Udhëheqësit e BE-së i kërkojnë Britanisë që t’i bindë deputetët për marrëveshjen

Kryeministres britanike, Theresa May, i është kërkuar nga vendet anëtare të BE-së që të kthehet në kuvendin britanik dhe t’i bindë deputetët për ta kapërcyer bllokimin e votimit të marrëveshjes. Paraprakisht, ajo kishte dështuar që t’i bindë udhëheqësit e BE-së në Bruksel se e ka një plan të suksesshëm për t’i fituar votat e deputetëve.

Kërkesa e saj për një marrëveshje përfundimtare nuk iu la përshtypje 27 përfaqësuesve të BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, e quajti debatin britanik “të turbullt” dhe kërkoi nga kryeministrja britanike që ta sjellë një plan më të qartë. Në disa pamje të publikuara nga takimi i ditës së sotme, kryeministrja May shihet duke ndërruar pak fjalë me Junckerin, ndërsa vërehej se ajo është mjaft e shqetësuar.

Në anën tjetër, udhëheqësit e BE-së kanë deklaruar se nuk do ta rinegociojnë marrëveshjen e arritur më herët dhe bënë kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve britanikë që të jenë më të përgjegjshëm dhe ta gjejnë një rrugëdalje për këtë çështje. “Ne do të jemi sa më fleksibilë që mundemi. Mendoj se tash i përket Britanisë që të bashkohen dhe ta krijojnë një lloj konsensusi kombëtar për të na treguar se si të dalim nga kjo situatë”, deklaroi kryeministri danez, Lars Rasmussen, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot)