Zeqa: Të gjithë pushtetarët e inkriminuar, fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtarëve

  • 14 December 2018 - 13:40
Zeqa: Të gjithë pushtetarët e inkriminuar, fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtarëve

 Sipas analistit politik Florim Zeqa, pushtetarët e inkriminuar që e zhvatën popullin për gati dy dekada rresht, në të dyja nivelet, jo vetëm që duhet të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë ndërkombëtare, por dhe të futen në listat e zeza nga shtetet mike të Kosovës.

"Me ndihmën e shteteve mike, të gjithë pushtetarët e inkriminuar fillimisht duhet futur në lista të zeza të ndërkombëtarëve, duke mos u dhënë viza dhe duke i bllokuar dhe duke i injoruar si jo të denjë dhe të papërshtatshëm për vizita jashtë vendit, si dhe nuk duhet t'i trajtojnë jo si burrështetas, por si hajdutë dhe kriminelë që kanë vrarë ardhmërinë e popullit të tyre. Pra, të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBAja, Gjermania, Britania, Franca e shumë të tjera duhet të refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë të lidhur me krimin e korrupsionin në nivelet më të larta shtetërore", u shpreh ai.

"Vetëm me ndihmën e SHBA-së, Gjermanisë dhe aleatëve të tyre mundemi t'ua nxjerrim 'ligjin' nga duart të gjithë pushtetshmëve, pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë që nuk e bëjnë hesap sistemin e drejtësisë, nënçmojnë qytetarët dhe zhvatin buxhetin e shtetit", vijoi më tutje Zeqa. "Dënimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme të politikanëve të inkriminuar do të çlironte shtetin nga uzurpatorët dhe do të pasuronte arkën e shtetit për miliarda e miliarda euro, pasuri këto që do të përmirësonin dukshëm situatën e ekonomike në vend dhe do të kthenin shpresën e qytetarëve për jetë dinjitoze në atdheun e tyre", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)