Jashari uron për Ushtrinë: Faleminderit SHBA dhe miq të tjerë – Faleminderit nënë Shqipëri!

  • 14 December 2018 - 14:04
Jashari uron për Ushtrinë: Faleminderit SHBA dhe miq të tjerë – Faleminderit nënë Shqipëri!

Me rastin e formimit të Ushtrisë së Kosovës ka uruar edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Në urimin e tij, Jashari kujton me respekt të thellë sakrificën e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

Ai gjithashtu ka kujtuar edhe të gjithë dëshmorët që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, SHBA-të, miqtë tjerë ndërkombëtarë dhe Shqipërinë.

Urimi i Jasharit:

“Kosovë, u bë Ushtria!

Duke e kujtuar me respekt të thellë sakrificën e pashembullt të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, heronjve, martirëve, bijve dhe bijave më të devotshëm të Kosovës, që përmbushën detyrimin më fisnik dhe më madhor që ka njohur njerëzimi, atë të vetëmohimit për lirinë e atdheut të larë me gjak, shprehim falënderim dhe mirënjohje të pakufishme në këtë ditë të madhe për Atdheun tonë.

Të bekuar nga Zoti për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën kujdesin e nënës Shqipëri dhe përkrahje të miqve tjerë ndërkombëtarë, në rrugëtimin tonë me shumë vuajtje, për të ardhur tek vendimi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë, vendimi për Ushtrinë e Kosovës!

Bekuar qoftë Ushtria e Kosovës!

Urime Kosovë!” 

(Kosova Sot)