Policia franceze po përgatitet për valën e pestë të protestave

  • 14 December 2018 - 15:19
Policia franceze po përgatitet për valën e pestë të protestave

Franca do t’i angazhojë dhjetëra mijëra policë në tërë vendin dhe rreth tetë mijë vetëm në Paris të shtunën për t’u përballur me javën e pestë të protestave kundër qeverisë, ndonëse kryengritja duket se është dobësuar pas masave që i ndërmori presidenti francez, Emmanuel Macron.

Shefi i policisë së Parisit tha se ka shqetësime për mundësinë e përfshirjes së grupeve të dhunshme në protestën e së shtunës, prandaj policia nuk do të lejojë që protestuesit t’i afrohen pallatit presidencial. “Duhet të jemi të përgatitur për skenarët më të këqinj”, tha shefi i policisë, Michel Delpuech. Ai pret që bizneset të jenë më pak të prekura nga protesta e nesërme, në krahasim me protestat e javëve të kaluara, kur shitoret u detyruan të mbyllen dhe hotelet t’i anulojnë rezervimet e mysafirëve të mundshëm.

Ministri i brendshëm, Christophe Castaner, tha se ka ardhur koha që protestuesit ta ndërprejnë protestën dhe ta pranojnë se e kanë arritur qëllimin e tyre. Përpos kësaj, ai tha se edhe policët e meritojnë një pushim. “Do të ishte më mirë që policia ta kryente punën e vet të vërtetë, që është ndjekja e kriminelëve dhe luftimi i kërcënimeve të terrorizmit, në vend që ta bëjnë sigurimin e rrethrrotullimeve, ku protestuesit i mbajnë policët të angazhuar”, tha ministri, shkruan “Reuters”

(Kosova Sot)