Kapiti: Nëse do të ishte miratuar një ligj Vetting-u, nuk do të kishte qenë e nevojshme ngritje e gjykatës speciale

  • 14 December 2018 - 17:36
Kapiti: Nëse do të ishte miratuar një ligj Vetting-u, nuk do të kishte qenë e nevojshme ngritje e gjykatës speciale

Eksperti i kësaj fushe, Skënder Kapiti tha për "Kosova Sot" se këtë Gjykatë Speciale më së miri do ta zëvendësonte zbatimi i VETTING-ut në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

"Duke e vëzhguar nga afër edhe gjendjen e rëndë të sistemit të drejtësisë dhe politikën në Kosovë që na e mundëson njohjen e saj edhe opinionit në Shqipëri, pasqyruar me guxim, realisht dhe paanshmërish nga Gazeta 'KOSOVA SOT', e cila paralelisht me VETTING-un në Shqipëri, ajo e bëri kauzë të sajën VETTING-un si një domosdoshmëri jetike edhe në Kosovë, kauzë më se e domosdoshme dhe jetike, pra, edhe për Kosovën, për politikën, për drejtësinë, për universitetin, Akademinë dhe për shoqërinë civile edhe atje.

Dështimi apo më saktë mosdëshirimi i politikës dhe i drejtësisë kosovare për miratimin e VETING-ut, pengesat dhe mosdakordësia e tyre e ka lënë Kosovën në këtë derexhe anarkizmi juridik, korruptiv dhe dështim në funksionimin e shtetit,të ligjit dhe të demokracisë, gjë e cila e ka lënë Kosovën larg dhe jashtë integrimit për në BE. Nëse do të ishte miratuar një ligj apo një reformë VETTING-u në Kosovë nuk do të kishte qenë e nevojshme ngritje e Gjykatës Speciale", vlerësoi Kapiti për "Kosova Sot".

Sipas tij, edhe tani Kosovës i duhet një VETTING gjithëpërfshirës që të hetojë jo vetëm krime specifike e të kufizuara kohore, por duhet një VETTING thelbësor gjithëpërfshirës, ku së pari duke u pastruar si drejtësia dhe duke u dekriminalizuar edhe politika, gjë të cilën do ta bënte VETTING-u, atëherë i hapej rruga hetimit dhe ndëshkimit të të gjitha llojeve të krimit të kryer në çdo kohë, pra jo vetëm ato për të cilat është ngritura Gjykata Speciale, por edhe krimet e tjera të rënda, si krimet e korrupsionet, krimet politike, krimet gjyqësore dhe ato ordinere. Këtë do ta mundësonte vetëm presioni ndërkombëtar, sipas Kapitit.

"Në Shqipëri, pas një sabotimi mbi 2 vjet të miratimit të reformës së VETTING-ut, kur e panë seriozitetin dhe presionin e madh të SHBA-së, atëherë ata menjëherë në rresht, të 140 deputetët e Parlamentit shqiptar e votuan VETTING-un kundër vullnetit dhe dëshirës së tyre. Kjo duhet bërë edhe në Kosovë, miratimi i VETTING-ut, dhe këtë kauze duhet ta bëjë të sajën edhe shoqëria civile dhe rinia studentore, duke kërkuar edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, kryesisht të SHBA-së", tha Skënder Kapiti.

Lexo edhe këtë: Sistemi i drejtësisë, vasal i "peshqve” të korrupsionit politik

(Kosova Sot)