Veseli: Ushtria e Kosovës do ta pasqyrojë vizionin euro-atlantik të shtetit tonë

  • 14 December 2018 - 17:54
Veseli: Ushtria e Kosovës do ta pasqyrojë vizionin euro-atlantik të shtetit tonë

Pas presidentit edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë festive me rastin e miratimit të ligjeve për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, se sot është dita të cilën brezat që do të vijnë do ta kujtojnë me respekt e krenari.

“Krejt çfarë deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin dhe lirinë tonë. Dhe për këtë mjafton të kujtojmë dy lëvizjet e fundit historike: Lëvizjen e rezistencës paqësore të viteve ’90-të dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë, me siguri dhe pa mëdyshje, por edhe e ardhmja e afërt do ta konfirmojë drejtësinë e plotë të kauzës sonë çlirimtare dhe të gjithë atyre që bartën mbi supet e tyre këtë kauzë. Ne besojmë te drejtësia, sepse ne kemi luftuar vetëm për drejtësinë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në anën e drejtë të historisë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se se e ardhmja e vendit është e sigurt dhe ka vetëm një emër: integrim në familjen e madhe euro-atlantike.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore, të cilat i falënderojmë për ndihmën e pakursyer që i dhanë popullit tonë për lirinë, shtetndërtimin dhe tash për Ushtrinë”, tha Veseli.

Shtoi se Ushtria e Kosovës do ta pasqyrojë vizionin euro-atlantik të shtetit tonë, rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasurinë tonë të madhe njerëzore e kulturore: komunitetet etnike të Kosovës.

 

(Kosova Sot)