Kelmendi: Ushtrinë ta drejtojnë profesionistët

  • 14 December 2018 - 18:28
Kelmendi: Ushtrinë ta drejtojnë profesionistët

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kosova më në fund do ta ketë një ushtri."Ushtria e Kosovës nuk bëhet si një meritë e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt e Kadri Veselit, ngase kurrën e kurrës nuk do të kishim ushtri me meritat e këtyre njerëzve.

Por kjo po ndodh falë miqësisë me SHBA-në dhe Kosova duhet t'u përkulet gjithmonë vendeve mike, SHBA-ve Britanisë së Madhe dhe vendeve tjera që mbështetën Kosova për ta pasur një ushtri", potencoi ai. Sipas Kelmendit, Kosova në fakt edhe këta 20 vjet i ka humbur ngase TMK-ja dhe FSK-ja kanë qenë organizata civile dhe, ndonëse me fjalë flitet për suksese të mëdha dhe realisht edhe aty nuk është ndonjë institucion me sukses sikurse edhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.

"Edhe ky formacion që nga nesër do të jetë ushtri, meriton shumë më shumë, meriton investim shumë më tepër, sepse do ta kemi emrin ushtri, por nuk do të jemi ushtri, sepse thjesht nevojiten gjenerata të reja për t'u dhënë bursa e për t'i shkolluar në SHBA dhe në vendet perëndimore dhe vetëm në këtë mënyrë do të kemi një ushtri profesionale dhe ta përgatisim për NATO", vijoi më tej Kelmendi.

"Nuk na bën nder që kreu i kësaj ushtrie të jetë një njeri me një shkollë 6-7-vjeçare, siç është ky tani dhe të tjerët që ishin më herët. Veç Agim Çeku, që kishte shkollë përkatëse ushtarake, kurse secili prej komandantëve të tjerë ishte më i pashkolluar se tjetri. Prandaj, duhet që të krijojmë një bazë të shëndoshë të një ushtrie profesionale", vlerësoi ai.

 

Lexo edhe këtë: Kosova bëhet sot me ushtri

(Kosova Sot)