Kur njerëzit shëroheshin te udhëkryqet e mrizeve

  • 14 December 2018 - 18:36
Kur njerëzit shëroheshin te udhëkryqet e mrizeve

Adile Thaçi: Të martat konsiderohen si ditët e mortit 

Maxhun Gashi tregon për "Kosova Sot" se sëmundjet e ndryshme janë shëruar shumë edhe në urë të Rogovës. "Atje, te trapi, ka pasur shpesh raste kur i shëronin sëmundjet e fëmijëve. Ka pasur raste në fshatra të Përdrinisë, edhe në Has, që në udhëkryqe të mrizeve të shërohen edhe të rriturit, nëse aty bënin një natë gjumë", është shprehur ai.

Shërimi i sëmundjeve në forma popullore është një lloj besëtytnie. Pra, është besimi (bindja) se disa ngjarje të veçanta ndodhin në një mënyrë që nuk mund të sqarohen (shpjegohen) nga arsyeja apo shkenca; bindja që, ngjarjet e tilla sjellin fat të keq apo të mirë. Shpjegimi fillestar i besëtytënive, është se ato konsiderohen si besimet e një natyre të paarsyeshme, por, pavarësisht kësaj, mjaft ndikuese në veprimtarinë dhe sjelljen e përvetësuar të individëve që i besojnë ato dhe i "binden" atyre. Besimi në këto besueshmëri të paarsyeshme, pa pasur ndonjë lidhje shkakore, shpesh është lidhur me mangësitë në arsimim, por kjo e fundit jo gjithmonë përbën shkak. Besëtytnitë, të cilat ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin, tregohen zakonisht me një ndjenjë përçmuese.

Ditët e mortit

Në shumë fshatra të Përdrinisë në udhëkryqe mrizesh shëroheshin fëmijët. Shpjegimi i tyre shpesh bazohet në lidhjet e tyre me fenë, magjinë, studimin e folklorit. Sipas fesë islame dhe asaj të krishterë, besëtytnitë janë devijime joreale, të cilat shpiken nga mendja e njeriut. E keqja, sipas tyre, njeriut i vjen nga vetja,ndërsa e mira dhe dënimi nga Zoti. Data si 13 dhe njëkohësisht ditë e premte- konsiderohen ters nëse rastis të kombinohen të dyja këto ditë. Për supersticiozët , kur të dyja bëhen bashkë, duhen shmangur lëvizjet, të shtyhen planet dhe punët që mund të kesh. Megjithatë, edhe vetë numri 13 konsiderohet ters, ose dita e martë. Plaka Adile Thaçi tregon se si pikërisht ditëve të martave, pra në ditën e "mortit" , siç quhej shpesh kjo ditë në shumë fshatra të Përdrinisë ë Landovicë, Piranë Serbicë, Zojë ,Randobravë e Krushë, gratë që i kishin fëmijët e tyre me sëmundje toke, duke aluduar në epilepsi, i nxirrnin pak pa lindur dielli në udhëkryqe të mrizeve, aty kur vinin bagëtia dhe fëmijët nga frika vinin në gjendje si duhet. "Kështu shëroheshin sëmundjet e tokës, pastaj fëmijët që nuk flisnin. Nga frika kur ata mbetnin mes bagëtive nga të qarit shpesh edhe flisnin duke bërtitur "o nanë" apo ndonjë fjalë tjetër dhe nga aty fillonin të flisnin", është shprehur ajo.

Një natë gjumë në mrize bënte punë

Kurse Maxhun Gashi tregon se këto sëmundje janë shëruar shumë edhe në urë të Rogovës. "Atje te trapi ka pasur shpesh raste kur i shëronin sëmundjet e fëmijëve". Gashi tregon se ka pasur raste në fshatra të Përdrinisë, edhe në Has, që në udhëkryqe të mrizeve të shërohen edhe të rriturit nëse aty bënin një natë gjumë. Ai shpjegon se nata në udhëkryqe mrizesh kishte një besim në vete, ngase aty kalonin pos bagëtisë edhe qerret. Aty flihej një natë dhe sëmundja kalonte. Një plakë nga fshati Zojz tregon se kishte dëgjuar se një plak në fshatin Zojz mes " Lisave të Zojzit" tek arat e"Pas kishës: afër Piranës, aty ishte edhe rrugë e njohur, siç e quanin "rruga e govedarit", kështu e quanin atëbotë loparin që ruante bagëtinë e fshatit. Asllan Gashi nga ky fshat tregon se kishte shumë histori kjo rrugë e Paskishës. Aty i çonin njerëzit dhe aty shëroheshin ku merrnin ujë me ibrik. "Nëse atë ujë e pinin të sëmurët, shëroheshin, por nëse u dilte gjumi dhe nuk arrinin ta pinin atë ujë, ata nuk shëroheshin dhe pas një kohë tek ata persona vinte vdekja", është shprehur ai për "Kosova Sot". "Ka edhe shumë tregime të tjera që udhëkryqet e mrizeve kishin një rëndësi të konsideruar për kohën", shprehet Gashi.

 

(Kosova Sot)