Salihu: Pa vullnet qeveritar, nuk luftohet paligjshmëria

  • 14 December 2018 - 19:55
Salihu: Pa vullnet qeveritar, nuk luftohet paligjshmëria

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën "Kosova Sot", tha se nuk ka ndonjë informacion të saktë se a është rritur apo jo kontrabanda e mallrave serbe në Kosovë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe se a apo bëhet kjo qoftë përmes pikave kufitare apo edhe rrugëve alternative nga të gjitha pikat kufitare rreth e qark vendit.

"Por nëse tashmë vërtet ka filluar që të ndodhë kjo, kam frikën se ky kontrabandim i mallrave që hyjnë në shumë anë, si edhe veprimet e tilla në të zezën, do ta dëmtojnë shumë rëndë buxhetin e vendit", vlerësoi ai.

"Po patën një vullnet të mirë Qeveria jonë dhe institucionet e vendit, do të mund të ndalojnë kontrabandën e këtyre mallrave jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në kufirin me Malin e Zi e gjetiu. Mirëpo, për ta bërë këtë nevojitet një vullnet dhe dëshirë, por edhe vendosmëri deri në maksimum e kësaj qeverie", vijoi më tej Salihu.

"Nëse nuk ka vullnet për të mos lejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe, ngase sipas mediave po thuhet se i tërë ky mall i kontrabanduar po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën dhe nëpërmes rrugëve alternative", shprehet deputeti Salihu. 

Lexo edhe këtë: Taksa godet tregtinë e ligjshme, kontrabanda vlon në veri

(Kosova Sot)