Iku nga nazistët, bëri pasuri milionëshe, dhe i dhuroi 60 milionë dollarë

  • 14 December 2018 - 20:16
Iku nga nazistët, bëri pasuri milionëshe, dhe i dhuroi 60 milionë dollarë

Ajo e bën këtë për nder të djalit të saj, të ndjerë, i cili vuante nga autizm

E njohur si dama Stephanie Shirley, përgjatë tetë dekadave ajo ndërtoi një perandori të vërtetë globale të softuerit, duke fituar kështu një pasuri prej 150 milionë funtesh dhe duke dhuruar, më pas, pjesën më të madhe të pasurisë së saj

Në një ditë të vranët korriku, të vitit 1939, një vajzë pesëvjeçare, bashkë me motrën më të vogël, arritën me tren në Londër, për ta filluar një jetë të re. Me një valixhe të vogël në dorë dhe me një pallto që ende kishte të vënë yllin e verdhë në mëngë, Vera Buchthal dhe Renate, nëntë vjeçe, sapo kishin bërë një udhëtim nëpër Evropë. Këto vajza, që u detyruan t'i linin prindërit në Austri, ishin ndër fëmijët e fundit çifutë që u shpëtuan nga trenat "Kindertransport", të cilët shpëtuan me mijëra fëmijë çifutë nga nazistët. Derisa qante në platformë për kukullën që i kishte humbur përgjatë udhëtimit, askush nuk mund ta merrte me mend se Vera e vogël, një ditë, do të bëhej një biznesmene e suksesshme. Tani e njohur si dama Stephanie Shirley, përgjatë tetë dekadave ajo ndërtoi një perandori të vërtetë globale të softuerit, duke fituar kështu një pasuri prej 150 milionë funtesh dhe duke dhuruar, më pas, pjesën më të madhe të pasurisë së saj. Ndoshta për shkak të paragjykimeve gjinore, kundër të cilave luftoi gjatë tërë jetës, dama Stephanie nuk është e njohur aq shumë, por kjo do të ndryshojë së shpejti, meqë memoaret e saj të shkruara në vitin 2012, "Let It Go", do të bëhen film. 

Merrej me kompjuterë dhe kode

Ngritja e saj drejt suksesit ishte edhe më e veçantë, meqë në të njëjtën kohë ajo përkujdesej për të birin e prekur nga autizmi, Giles, sëmundja e të cilit jo vetëm që dëmtoi rëndë martesën e saj, por bëri, në një moment, që ajo dhe burri i saj të planifikonin një vetëvrasje kolektive, për t'iu dhënë fund jetës së të tre anëtarëve të familjes. Sot, kur ka 85 vjet, ajo vazhdon që të punojë nga gjashtë orë në ditë. Pas tërë asaj që ka përjetuar, ajo thotë se 'gratë e sotshme nuk e dinë sa kollaj e kanë'. Por, ajo thotë se gjeneratat e ardhshme duhet ta kenë edhe më mirë. 'Por, mendoj se shumë femra nuk janë të përgatitura për përgjegjësinë e liderit, faktin që një post i tillë të konsumon dhe fakti që punën duhet ta veni në rend të parë. Ato duan ta shijojnë suksesin, pa e bërë mundin. Nuk është e tëra rreth gjinisë. Është vështirë të jesh në krye". Vera dhe Renate u rritën nga prindër të mrekullueshëm adoptues, Guy dhe Ruby Smith. Pasi që zbuloi talentin për matematikë që në vegjëli, Verës iu desh që ta studionte këtë lëndë në një shkollë djemsh, gjë që, sipas saj, ishte e tmerrshme, por edhe e kaliti dhe e përgatiti për jetën e mëtejme. Si e re, ajo filloi të prezantohej me emrin e saj të mesëm, Stephanie. Në atë kohë ajo ishte ribashkuar edhe me prindërit biologjikë, të cilët i kishin mbijetuar luftës, por afërsia e tyre ishte dobësuar, si pasojë e kohës që kishin kaluar ndarazi. Ajo thotë se raportin me prindërit adoptues e ka shumë të mirë dhe, përpos faktit që nuk e kanë lindur ata, çdo gjë tjetër është e përkryer. 'Edhe pse ndihem me fat që të gjithë shpëtuam nga lufta, kurrë nuk arrita ta riktheja lidhjen time të plotë me prindërit biologjikë", thotë ajo. Në vitin 1962, disa vite pasi që ishte martuar me një ish-koleg, Derek Shirley, ajo hapi kompaninë e vet. Ajo ishte një zyrtare shkencore, që merrej me kompjuterë dhe kode. Mendoi që ta linte punën sapo të martohej, sikur që ishte adet atëherë. Por, Stephanie kishte një nevojë të madhe që të ishte e pavarur, prandaj, sikur që thamë, e hapi kompaninë e vet të dizajnimit dhe shitjes së softuerit kompjuterik. Ideja e saj ishte që të punësonte vetëm femra, mendjemprehta dhe që kishin nevojë për një orar fleksibil të punës, që të mund të përkujdeseshin edhe për familjen e tyre. 

Në vitin 2000 ajo mori titullin fisnik të damës

"Ndihesha e bllokuar në botën e meshkujve, prandaj doja ta krijoja një hapësirë ku femrat do të mund të punonin pa telashe". Biznesi i saj, i quajtur "Freelance Programmers", joshi emra të klientëve të njohur. Por, për shkak të paragjykimeve, asaj i duhej që të nënshkruhej si Steve (emër burri), e jo 'Stephanie'. Më pas iu desh që të pranonte në punë edhe meshkuj, meqë ligji nuk lejonte diskriminim në këtë aspekt. Në vitet e '80-ta të shekullit të kaluar kompania e saj tanimë kishte arritur sukses botëror dhe e ndërroi emrin në "FI Group". Derek, në ndërkohë, kishte gjetur një vend pune më afër shtëpisë, e më pas doli edhe në pension të parakohshëm. Gjatë viteve të '90-ta, dama Stephanie shiti aksionet e saj në kompani, me ç'rast fitoi 150 milionë funte. Karriera e saj ishte me të vërtetë e suksesshme, duke marrë shpërblim pas shpërblimi. Në vitin 2000 ajo mori titullin fisnik të damës. Por, prapa kësaj fasade, ajo dhe Derek hiqnin të zitë e ullirit duke u përkujdesur për djalin, Giles, të lindur në vitin 1963, e që vuante nga autizmi. Pas vdekjes së djalit, ngjarje që e përjetoi shumë rëndë, Stephanie dhuroi pjesën më të madhe të pasurisë. Dhuroi rreth 60 miliardë dollarë. "Dikur isha pjesë e listave të të pasurve. Tani nuk jam dhe ndihem shumë më mirë", thotë ajo.  

 

(Kosova Sot)