Sistemi i drejtësisë, vasal i "peshqve” të korrupsionit politik

  • 14 December 2018 - 08:01
Sistemi i drejtësisë, vasal i

 Kapiti: Kosovës i duhet një VETTING gjithëpërfshirës, që të hetojë jo vetëm krime specifike e të kufizuara kohore, por duhet një VETTING thelbësor gjithëpërfshirës

“Prokuroria dhe Policia as nuk hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai komunal. Prokuroria Speciale në Kosovë nuk ka arritur të zërë as edhe një ‘peshk të madh’ nga krimi i organizuar, të cilët si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet, që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut rregullohen me ligje e kushtetutë”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Prokuroria në Kosovë, edhe pas më shumë se 10 vjet të paspavarësisë nuk arriti dhe as nuk guxoi të zbardhë se si trafikohen e fitohen kundërligjshëm tenderët prej dhjetëra milionësh njëburimor në Kosovë, pastaj si jepen ryshfetet dhe si shpërlahen paratë përmes kompanive që fitojnë këto tenderë deri qindra milionësh përmes krimi të organizuar dhe të lidhura me politikën dhe nëntokën kriminale të instaluar në vend. Analistët alarmojnë se njerëzit e drejtësisë, në vend se të zbulojnë e të luftojnë me detyrë zyrtare ‘ex officio’  krimin e organizuar e korrupsionin dhe të zbardhin krimet e njëpasnjëshme të organizuara dhe zhvatjen që po i bëhet popullit dhe buxhetit të shtetit për afro 19 vjet, ata, pra prokurorët dhe gjyqtarët, sipas njohësve të kësaj fushe janë bërë një me qeveritarë apo kryetarë e sundimtarë komunash, duke rënë ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit, që parasheh tri pushtete të ndara e të pavarura nga njëra- tjetra. Kjo është një arsye që  sipas njohësve të kësaj fushe, një Gjykatë Speciale që do të merrej edhe me krimet ekonomike, ku Prokuroria dhe gjykatat vendore as që guxuan të prekin “peshqit e mëdhenj” mafio-oligarkë si dhe politikanëve të zhytur në krim ekonomik, do të bënte një shërbim shumë më të mirë për shtetin e Kosovës sesa që  ka filluar të merret me dyshimet e shumta hipotetike për krimet e luftës, kinse për trafikim organesh.

Specialja duhet të gjykojë krimin ekonomik

Sipas analistit Bislim Aliu, derisa Prokuroria në Kosovë, edhe pas  kaq shumë vjetësh, nuk arriti apo nuk guxon t’i zbardhë dallaveret se si manipulohen e trafikohen, se si fitohen kundërligjshëm tenderët edhe dhjetëra milionësh, madje edhe njëburimor në Kosovë, si jepen ryshfetet dhe si shpërlahen paratë, përmes kompanive, që fitojnë këta tenderë deri qindra milionësh, përmes krimit të organizuar dhe të lidhura me politikën dhe nëntokën kriminale, të instaluar në vend, atëherë do të duhej një veprim special i drejtësisë edhe me ndihmën ndërkombëtare për të ndjekur këto krime. “Shërbimin më të mirë do të bënte Gjykata Speciale, nëse do të merrej edhe me krimet ekonomike, ku Prokuroria e gjykatat vendore, as që guxuan t' prekin ‘peshqit e mëdhenj’ mafio-oligarkë, se dhe politikanët të zhytur në krim ekonomik se sa që është përcaktuar vetëm për krimet e supozuara të luftës”, tha Aliu për “Kosova Sot”. 

Kelmendi:Drejtësia kosovare edhe për kaq vjet nuk po i nxjerr në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj”

Një zgjidhje e tillë shihet zgjidhje edhe sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi.“Kjo mendoj se do të ishte zgjidhje për faktin se drejtësia kosovare edhe për kaq vjet nuk po i nxjerr në bankën e të akuzuarve ‘peshqit e mëdhenj’, të cilët kanë bërë skandale e hajni, por askush nuk i prek ata. Drejtësia po  vazhdon të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale dhe thuajse nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe hap të vetëm drejt forcimit të shtetit ligjor. Prandaj, me të drejtë këtu shtrohet pyetja se deri kur do ta tolerojë Kosova këtë gjendje të brishtë në drejtësinë kosovare, dhe padrejtësitë e shumta në proceset e kurdisura gjyqësore. Tashmë ka ardhur koha e fundit që të shkapet drejtësia nga kapja e ndikimi i drejtpërdrejtë i  mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikës të lidhur me mafio-oligarkët e tejinkriminuar, të mafio-bizneseve kriminale”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai mendon që është e pamundur të kemi drejtësi efektive e krejtësisht të pavarur të nivelit të tanishëm, me këtë Qeveri ndonëse të re në pushtet, por që është në fije të perit që të mundet të ndahet nga krimi i organizuar i zhvilluar dhe i trashur në të tre pushtetet dhe në të dy nivelet  e pushtetit: në Ekzekutiv, në Legjislativ, në Presidencë, në Gjyqësor, në Prokurori, në Polici, dhe madje edhe në avokati.

 Kapiti: Nëse do të ishte miratuar një ligj VETTING-u,  nuk do të kishte qenë e nevojshme ngritje e Gjykatës Speciale

Eksperti i kësaj fushe, Skënder Kapiti tha për “Kosova Sot” se këtë Gjykatë Speciale më së miri do ta zëvendësonte  zbatimi i VETTING-ut në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. “Duke e vëzhguar nga afër edhe gjendjen e rëndë të sistemit të drejtësisë dhe politikën në Kosovë që na e mundëson njohjen e saj edhe opinionit në Shqipëri, pasqyruar me guxim, realisht dhe paanshmërish nga Gazeta ‘KOSOVA SOT’, e cila paralelisht me VETTING-un në Shqipëri, ajo e bëri kauzë të sajën VETTING-un si një domosdoshmëri jetike edhe në Kosovë, kauzë më se e domosdoshme dhe jetike, pra, edhe për Kosovën, për politikën, për drejtësinë, për universitetin, Akademinë dhe për shoqërinë civile edhe atje. Dështimi apo më saktë mosdëshirimi i politikës dhe i drejtësisë kosovare për miratimin e VETING-ut, pengesat dhe mosdakordësia e tyre e ka lënë Kosovën në këtë derexhe anarkizmi juridik, korruptiv dhe dështim në funksionimin e shtetit,të ligjit dhe të demokracisë, gjë e cila e ka lënë Kosovën larg dhe jashtë integrimit për në BE. Nëse do të ishte miratuar një ligj apo një reformë VETTING-u në Kosovë nuk do të kishte qenë e nevojshme ngritje e Gjykatës Speciale”, vlerësoi Kapiti për “Kosova Sot”. Sipas tij, edhe tani Kosovës i duhet një VETTING gjithëpërfshirës që të hetojë jo vetëm krime specifike e të kufizuara kohore, por duhet një VETTING thelbësor gjithëpërfshirës, ku së pari duke u pastruar si drejtësia dhe duke u dekriminalizuar edhe politika, gjë të cilën do ta bënte VETTING-u, atëherë i hapej rruga hetimit dhe ndëshkimit të të gjitha llojeve të krimit të kryer në çdo kohë, pra jo vetëm ato për të cilat është ngritura Gjykata Speciale, por edhe krimet e tjera të rënda, si krimet e korrupsionet, krimet politike, krimet gjyqësore dhe ato ordinere. Këtë do ta mundësonte vetëm presioni ndërkombëtar, sipas  Kapitit. “Në Shqipëri, pas një sabotimi mbi 2 vjet të miratimit të reformës së VETTING-ut, kur e panë seriozitetin dhe presionin e madh të SHBA-së, atëherë ata menjëherë në rresht, të 140 deputetët e Parlamentit shqiptar e votuan VETTING-un kundër vullnetit dhe dëshirës së tyre. Kjo duhet bërë edhe në Kosovë, miratimi i VETTING-ut, dhe këtë kauze duhet ta bëjë të sajën edhe shoqëria civile dhe rinia studentore, duke kërkuar edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, kryesisht të SHBA-së”, tha Skënder Kapiti.

 Aliu: Politika bashkëjeton me krimin

Sipas Dr.Hysni Aliut, po shihet se sa ngushtë është e lidhur dhe po bashkëjeton politika me krimin e organizuar, dhe e njëjta politikë i ka shtrirë dorën e lirë për ta financuar një drejtësi jofunksionale, të nënshtruar ndaj politikës, as që mund të flitet në Kosovë  për një shtet ligjor dhe drejtësi të standardeve evropiane.  “Kur njeriu është pa kapacitet intelektual si rrjedhojë me mungesë të ideve se si të zgjidhen problemet e caktuara, ai njëri përdor mënyrat më naive të mundshme për t’iu qasur çështjeve të caktuara, qoftë kjo qasja me agresivitet, qasje me shpërblim monetar ose qasje e dhunshme. Pra, këto janë masat mbrojtëse tek këta individë që i bëjnë edhe pa vetëdije, sepse s’kanë më tepër kapacitet për t’i kuptuar gjërat në tërësinë e tyre. Qasja e kryeministrit në raport me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit ka qenë gjithmonë e mbrapshtë, për mos të thënë naive. Janë disa gjëra që s’blihen me para; atdhedashuria, morali, dhe sundimi i ligjit në këtë kuadër edhe të mosqenurit i korruptuar s’blihet me para”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”.

  Burjani: Prokuroria të veprojë “ex-officio”

Profesori i së drejtës, Blerim Burjani konsideron se nëse Prokuroria e Shtetit zgjohet dhe zbaton ligjin si duhet, Kosovës nuk do t’i duhej fare një Gjykatë Speciale për krim dhe korrupsion. Por, për këtë duhet larguar duart e politikës nga drejtësia. “Prokuroria duhet të angazhohet ‘ex officio’ për të bërë ndjekje penale për personat që me vite dyshohen si kryes të veprave penale, për tender, korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, të gjitha këto janë punë që  pritet t’i bëjë Prokuroria,  pra gjithherë bazuar në argumente, dëshmi dhe prova materiale. Deri më tash po të ishte ndjekja aktive nga Prokuroria kaherë do të ishte  reduktuar dukuria e korrupsioni, zhvatjes, dhe nepotizmi, sepse në Kosovë janë disa vepra penale që bëhen, më së shumti përmes korrupsioni, pastaj zhvatja, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, tenderët e të tjera, kryesisht vepra penale që shkaktohen nga njerëz që gjoja thonë se merren me politikë”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)