Maloku: Propozohet task-forcë kundër krimit ekonomik

  • 14 December 2018 - 20:49
Maloku: Propozohet task-forcë kundër krimit ekonomik

Afaristi i derivateve të naftës, Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Doganat e Kosovës dhe ATK-ja, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kujdesin më të madh duhet ta kenë sidomos për kontrabandën me derivate nafte, që mund të bëhet dhe që ka dyshime të mëdha se po bëhet në veri të Kosovës, por edhe nga drejtimi i Malit të Zi dhe në pikat e tjera kufitare të vendit tonë, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe.

"Qeveria jonë duhet që të ketë kujdes që mos të lejojë evazionin e madh fiskal që mund të bëhet nga kontrabanda me derivate, sepse siç dihet kontributin gati më të madh në mbushjen e arkës së shtetit e bëjnë pikërisht naftëtarët që gjatë një viti paguajnë më shumë se 200 milionë euro taksa në emër të derivateve të importuara", theksoi ai.

Maloku foli edhe rreth çështjes se sa janë të mbushura marketet me plot mallra serbe dhe se i tërë ky mall po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën. Ai kërkoi nga organet e shtetit që të formojnë task-forcë që do të paralajmëronte të gjithë qytetarët dhe bizneset që kapen në flagrancë dhe tregti të zezë me Serbinë për pasojat që do t'i kenë dhe reperkusionet e gjobave, por edhe të dënimeve drastike me burg në rast të thyerjes së kësaj takse shtesë ndaj Serbisë.

"Prandaj, mbetem me shpresë se, pasi që Qeveria e ka marrë me seriozitetin më të madh aplikimin e këtyre masave ndaj Serbisë, nuk do të lejojë që të ketë rritje të kontrabandës dhe informalitetit në asnjë pjesë të Kosovës që mund të bëhet përmes pikave doganore apo kanaleve të tjera alternative dhe rrugëve dytësore", potencoi Maloku.

 

Lexo edhe këtë: Taksa godet tregtinë e ligjshme, kontrabanda vlon në veri

 

 

(Kosova Sot)