Një mrekulli e Kërshëndellave, zgjohet nga koma

  • 14 December 2018 - 20:52
Një mrekulli e Kërshëndellave, zgjohet nga koma

Mjekët thonë se mushkëritë e Chrissyt janë bërë aq të dobëta, saqë, nëse nuk i transplantohen të dy mushkëritë, ajo mund të vdesë së shpejti

Një adoleshente nga Florida, që vuan nga fibroza cistike, është zgjuar nga gjendja e komës, pas një jave dhe, për prindërit e saj, kjo është një mrekulli Kërshëndellash. Christina 'Chrissy' VanDerVelden është duke luftuar kundër kësaj sëmundjeje gjenetike, që dëmton mushkëritë, që nga koha kur ishte bebe. Por, rreth festës "Halloween", gjendja e saj filloi që të përkeqësohej dukshëm dhe, pasi që ajo ra në gjendje kome, mjekët iu thanë prindërve që të përgatiteshin për më të keqen. Por, pasi që qëndroi një javë në gjendje të pavetëdijshme, 17 vjeçja u kthjell përsëri. 

Fibroza cistike

Megjithatë, rruga deri te shërimi i saj mbetet e gjatë. Mjekët thonë se mushkëritë e Chrissy-t janë bërë aq të dobëta, saqë, nëse nuk i transplantohen të dy mushkëritë, ajo mund të vdesë së shpejti. Fibroza cistike haset te personat që kanë një defekt gjenetik, gjë që shkakton grumbullimin e sekretit (lëngut) në rrugët e frymëmarrjes, duke vështirësuar dukshëm procesin e frymëmarrjes. Në këto kushte mund të paraqiten edhe infeksione. 

Chrissy vuan edhe nga diabeti i tipit 1

Simptomat fillestare të kësaj sëmundjeje përfshijnë kollitjen, infeksionin e shpeshtë të mushkërive, pengesat në frymëmarrje dhe inflamacionin e hundës. Jetëgjatësia mesatare e personave të prekur nga kjo sëmundje është 33.4 vjet. Përpos fibrozës cistike, Chrissy vuan edhe nga diabeti i tipit 1. Familjarët e saj kanë hapur një faqe në "GoFundMe", me qëllim që të mbledhin para për mjekimin gjithnjë e më të shtrenjtë të vajzës së tyre. Deri më tani janë mbledhur 7,300 dollarë, ku qëllimi përfundimtar është 12,000 dollarë amerikanë.

 

(Kosova Sot)