Treshes Thaçi-Vuçiq-Rama iu ngeci në fyt ndarja

  • 15 December 2018 - 07:50
Treshes Thaçi-Vuçiq-Rama iu ngeci në fyt ndarja

Bojaj: Plani i zhbërjes së Kosovës filloi dy vjet më parë në Nish (Serbi), pikërisht pas takimit Rama-Vuçiq (tetor 2016)

“Ideja e ndarjes së Kosovës është ide e tejkaluar. Kjo ide, që ka burimin në Serbi dhe është përkrahur nga Thaçi, ka vdekur,  përveç nëse Serbia e ndihmuar nga Rusia do të shkaktonte një luftë të re në Ballkan, e që nuk do të ndalej në veri të Kosovës. I gjithë lobimi për ndarje është bërë bazuar në ndikimin që kanë rrjetet e ndryshme të interesit dhe favoreve që Rama dhe Thaçi kanë marrë nga këto rrjete”, thotë analisti Haki Abazi për “Kosova Sot”

Mediet ndërkombëtare akoma vazhdojnë të raportojnë për marrëveshjet e fshehta dhe takimet që i kanë zhvilluar mes tyre, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Vuçiq, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të projektuar ndarjen e Kosovës, duke e kamufluar atë si marrëveshje për demarkimin e kufirit. Një veprim të tillë e ka raportuar edhe gazeta prestigjioze austriake ‘Der Standard’, e cila ka shkruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një nga përkrahësit e idesë për ndarje të Kosovës dhe se Rama ishte bërë partner i Serbisë në këtë ide serbe për të ndarë Kosovën, qysh para dy viteve, gjatë vizitës së tij në Nish, që ishte një fatkeqësi për Kosovën. Duke shprehur shqetësimin e tyre për këto takime dhe planifikimin e një marrëveshje skandaloze, nga analistët politikë thuhet se jo  rastësisht dhe e me plot arsye e krahason gazeta austriake përfshirjen e Ramës  dhe të Thaçit në këto pazare me Vuçiqin për ndarje të Kosovës me përpjekjet e dy ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tugjman dhe Slobodan Milosheviq, të cilët kishin dashur të ndanin Bosnjën në dy pjesë. Kjo gazetë raporton se si Hashim Thaçi konsiderohet si  pa legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në këtë dialog, pasi nuk e ka autorizimin e Kuvendit. Po ashtu, gazeta ka identifikuar të gjithë ata që lobojnë në mbështetje të idesë së Vuçiqit dhe Thaçit për ndarje të Kosovës, duke përmendur këtu edhe një nga personat më të rëndësishëm në këtë lobim, që është djali i George Soros, Alex Soros, i cili ka lobuar jashtëzakonisht shumë për këtë ide, pastaj pjesë e projektit është edhe ish-diplomati austriak Volfgang Petritch, i cili këshillon Qeverinë serbe dhe Vuçiqin me para të majme përmes një kontrate për konsulencë të firmës ‘Lansky Ganzger Partner’ (LGP). Sidoqoftë, duke parë disa nga zhvillimet e fundit rreth këtij procesi, njohësit e këtyre zhvillimeve besojnë se do të dështojë një projekt i tillë që treshja Vuçiq-Rama dhe Thaçi ta zhbëjnë shtetin e Kosovës nga harta, i cili nga dita e premte u bë  zyrtarisht edhe me ushtri, me mbështetjen e shtetit më të fuqishëm mik të Kosovës- SHBA-ve, njëkohësisht kundërshtues për idenë e korrigjimit të kufijve.

Abazi: Djali i Soros-it nuk e ka idenë se me çka është duke u marrë  

Sipas analistit politik Haki Abazi, tani një projekt i tillë ka marrë rrugën e dështimit dhe nuk është e pritshme që të realizohet, sepse përveç humbjes së mbështetjes ndërkombëtare, e kundërshton edhe populli, gjë që është dëshmuar në protesta. “Djali i Soros-it nuk e ka idenë se me çka është duke u marrë  dhe ai po mendon se me këtë marrëveshje do të fitojë një status dhe një vulë. Këtu fajtorë janë edhe prepotentët e Soros-it në rajon që gjithmonë kanë punuar për interesa personale dhe përfitime financiare dhe asnjëherë për atë çfarë në fakt propagandojnë se punojnë. Forma se si janë diskutuar gjërat janë karakteristikë e shoqërive të mbyllura dhe jo të hapura. Petritch dhe Blair janë njerëz që ju duhen konsulencat dhe natyrisht që ata duan të kapitalizojnë në gatishmërinë e njerëzve që kontrollojnë buxhetin për përfitime financiare. Këta janë pensionistë që kanë vendosur tezgat e tyre në treg dhe janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo që kërkohet nga ata përderisa ata paguhen”, shpjegon ai.“Historia e Tony Blair në Palestinë nuk është më e mira dhe dështimet e tij nuk janë të pakta, pasi ka dalë nga Qeveria britanike. Ai i ka meritat për lirinë e  Kosovës dhe mbështetjen e operacionit të NATO-s, por kjo nuk i jep asnjë të drejtë që ai të punojë në ndarjen e Kosovës.  Përfundimisht Thaçi nuk ka asnjë përkrahje, më 29 shtator me dhjetëra-mijëra njerëz nga e gjithë Kosova i kanë treguar se ai është i vetmuar. Protesta qytetare e demokratike ka qenë mesazh, ndërsa të gjithë e dinë se po këta njerëz janë të gatshëm që të mbrojnë interesin e vendit në çdo formë”, tha Abazi për “Kosova Sot”.

Kelmendi:Nuk duhet pranuar kurrë për korrigjim apo vijë kufitare tjetër para se të njihet Kosova shtet i pavarur dhe sovran

Të dështuar e sheh tani projektin e ndarjes së Kosovës, sipas planit famëkeq Rama-Vuçiq-Thaçi edhe prof. Muhamet Kelmendi.“Duhet të jemi të qartë në planin tonë të bisedimeve, lidhur me atë se çka dëshirojmë ne të realizojmë. Jam i mendimit se Kosova duhet të shkojë nga ajo që të përpiqet për t’i realizuar pikëpamjet e veta. Delegacioni kërkohet të ketë një plan të temave për bisedim. E ato janë të shumta. Faktikisht duhet të jenë temat e gjetjes së të zhdukurve, të vrarëve. Duhet të vazhdohet me dëmin material dhe moral dhe me dëmshpërblimin, me kapjen e kriminelëve serbë për dhunën dhe për përdhunimet në Kosovë. Temë duhet të jenë edhe pensionet, si dhe njohja e Kosovës si shtet. Vetëm pas njohjes zyrtare të shtetit mund të diskutohet vija kufitare- demarkimi i kufirit. E këtu kam mendim të qartë: Nuk ka ndërrim të ‘Trepçës’, të Ujmanit, të Shalës së Bajgorës dhe të Mitrovicës. Këto janë territore shumë me rëndësi për Kosovën. Dhe, natyrisht se për pjesën tjetër mund të diskutohet, por duke marrë tërë Luginën e Preshevës, sidomos anën e Preshevës, përtej hekurudhës dhe autostradës. Pra, nuk duhet kurrë për të pranuar ndonjë korrigjim apo vijë kufitare tjetër para se të njihet shteti i pavarur dhe sovran”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

Qarri:  Thaçi-Vuçiqi, si Tugjmani-Milosheviqi

Sipas analistit politik Gani Qarri, më 14 dhjetor 2018, u rikthyen edhe një herë shpresat për faktin se me ndihmën dhe përkrahjen e pakursyer të Amerikës, për formimin e Ushtrisë, përkundër aventurave të kryekuislingut Hashim Thaçi dhe çmendurive së treshes famëkeqe Thaçi-Rama-Vuçiq, rreziku për ndarjen e Kosovës, falë SHBA-së, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, po kalon pa pasoja më të mëdha, se që këta banditë i shkaktuan Kosovës.“Sado që përderisa për fqinj do të kemi një shtet ish-okupator dhe arrogant e agresiv, siç është Serbia, rreziku për Kosovën, nga pretendimet e saj për riokupim, mbeten reale e ndoshta edhe të shumëvjetshme, orekset për ndarjen e Kosovës nuk do të jenë më për askënd aq të lehta as të preferueshme për askënd të ri vihen sërish mbi tavolinë edhe në bisedimet e ardhme me Serbinë. Fatkeqësisht, tendencat e Serbisë për riokupimin ose të paktën gllabërimin dhe aneksimin me forcë të pjesëve më vitale të Kosovës dihen, por ajo që dëshpëron më së shumti shqiptarët është raporti më i ri i gazetës prestigjioze austriake ‘Der Standard’, e cila vërteton edhe një herë më tepër se shitësi i detit dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, është një nga përkrahësit më fundamentalë të idesë për ndarjen të Kosovës, i cili ishte bërë edhe partner i Serbisë në këtë ide shkatërrimtare, qysh para dy viteve, gjatë vizitës së tij në Nish, që ishte një tradhti e hapur e tij kundër Kosovës dhe popullit të saj”, u shpreh ai.“Ndaj jorastësisht dhe me plot arsye gazeta austriake përfshirjen e Ramës në këto pazare me Vuçiqin për ndarje të Kosovës e krahason me përpjekjet e dy ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tugjman dhe Slobodan Milosheviq, të cilët kishin dashur ta ndanin Bosnjën në dy pjesë. Por, megjithatë, kjo gazetë prestigjioze me të drejtë konstaton se me gjithë dëshirën e tij për ndarjen e Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet, jo për ta ndarë, por as për të përfaqësuar Kosovën në këtë dialog, madje gazeta austriake gjithashtu ka identifikuar të gjithë ata që lobojnë në mbështetje të idesë së Vuçiqit dhe kuislingut Thaçi për ndarje të Kosovës”, tha Gani Qarri.

Badallaj: Deputetët e Kuvendit duhet të kërkojnë llogari nga presidenti se çka po bisedon me Vuçiqin

Të vdekur e sheh planin e ndarjes, pas mbështetjes së madhe që i dha SHBA-ja formimit të Ushtrisë së Kosovës, edhe analisti politik Reshat Badallaj.“Ideja për ndarjen e Kosovës nga ky grup i paguar kuislingësh, pra të Hashim Thaçit, Edvin Kristaq Ramës, Aleksandër Vuçiqit dhe të këlyshit të UDB-së serbe e të Jovica Stanishiqit, Baton Fazli Haxhiut, po e them pa kurrfarë euforie se që nga sot ka vdekur njëherë e përgjithmonë. Të gjitha pazaret e pista dhe tradhtare që janë bërë deri më sot kundër Kosovës, kundër sovranitetit të vendit dhe kundër Kushtetutës,  kanë rënë në ujë”, potencoi Badallaj. Ndërsa, analisti Bislim Aliu thotë se pas këtyre raportimeve në këtë gazetë, deputetët e Kuvendit duhet të kërkojnë llogari nga presidenti se çka po bisedon me Vuçiqin, sepse kjo është agjendë që mund të kualifikohet tradhti nacionale.“Kjo gazetë austriake, me plot arsye e krahason Ramën me këto pazare me Vuçiqin për ndarje të Kosovës, të ngjashëm me përpjekjet e dy ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tugjman dhe Slobodan Milosheviq, të cilët kishin dashur ta ndajnë Bosnjën në dy pjesë. Mirëpo, me të drejtë gazeta raporton se Hashim Thaçi konsiderohet si pa legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në këtë dialog, prandaj deputetët duhet të mos vonojnë por të kërkojnë llogari nga Hashim Thaçi”, u shpreh Aliu.

 

Box:  Zeqa: Mësiti i parë i ndarjes së Kosovës është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se gazeta prestigjioze austriake ‘Der Standard’ ka identifikuar shumë të vërteta rreth idesë për ndarjen e Kosovës. Ai pohon se sipas gazetës në fjalë, mësiti i parë i ndarjes së Kosovës është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nga vizita e para dy viteve në Nish, e cila paraqet zanafillën e idesë fatkeqe për ndarje të Kosovës.“Sipas gazetës austriake ‘Der Standard’, Vuçiqi dhe Thaçi kanë rënë dakord fshehurazi për një shkëmbim territorial dhe se një nga personat më të rëndësishëm në këtë lobim është edhe djali i George Soros, Alex Soros, i cili ka lobuar jashtëzakonisht shumë për këtë ide, pastaj pjesë e projektit është edhe ish-diplomati austriak Volfgang Petritch, i cili këshillon Qeverinë serbe dhe Vuçiqin me para të majme përmes një kontrate për konsulencë të firmës ‘Lansky Ganzger Partner’ (LGP). Jorastësisht e me plot arsye gazeta austriake 'Der Standard’ e krahason përfshirjen e Ramës në këto pazare me Vuçiqin për ndarje të Kosovës, me përpjekjet e dy ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tugjman dhe Slobodan Milosheviq, të cilët kishin dashur të ndanin Bosnjën në dy pjesë! Gazeta 'Der Standard’, në procesin e ndarjes së Kosovës e margjinalizon tej mase Hashim Thaçin, duke e konsideruar si president pa legjitimitet qytetar për të përfaqësuar Kosovën në dialogun e Brukselit. Treshja Vuçiq-Rama dhe Thaçi me mbështetësit e tyre po përpiqen ta zhbëjnë shtetin e Kosovës nga harta gjeopolitike e Evropës. Në anën tjetër edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, po kërcënon me invazion ushtarak ndaj Kosovës!”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Tradhtarët e kombit

Optimistë për shpëtimin e vendit nga pazaret për ndarje gjatë bisedimeve me Serbinë është edhe analisti Ragip Guraziu, sipas të cilit Rama dhe Thaçi mund ta marrin epitetin e tradhtarëve të kombit dhe shtetit të Kosovës.“Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po tentonte  t’ia fut me Vuçiqin thikën pas shpine Kosovës, për ta ndarë si Bosnjën në dy pjesë mes Tuxhmanit dhe Milosheviqit. Kryeministri i Shqipërisë po do ta marrë primatin se ai është aq i zoti sa i ka kapur për veshi kryeministrin Haradinaj dhe presidentin Thaçi, me vëllamin e tij Vuçiqin për ndarjen e Kosovës, duke harruar se të moçmit tanë në Kosovë na kanë thënë se bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të bëhet vetëm kur Kosova të ndahet nga Serbia. Nuk e besoj tani që do të arrijnë treshja Vuqiq-Rama-Thaçi ta zhbëjnë shtetin e Kosovës nga harta, sepse kemi mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për ta ruajtur këtë territor që e kemi, kurse që nga dita e premte po bëhet edhe me ushtri”, theksoi Guraziu.

Bojaj:Edi Rama është një nga përkrahësit e idesë për ndarje të Kosovës

Analisti politik Ramiz Bojaj thekson se akoma duhet pasur kujdes nga rreziku i planeve të tilla. “Edhe plani i zhbërjes së Kosovës filloi dy vjet më parë në Nish (Serbi), pikërisht pas takimit Rama-Vuçiq (tetor 2016). Jorastësisht atje ishte biseduar për ‘Trepçën’ dhe Kosovën, por pa praninë e zyrtarëve shtetërorë të Republikës së Kosovës. E keqja e këtij takimi 'miqësor' është se polli më vonë, kur u shpërfaq ideja e rrezikshme për ndarjen e vendit tonë tashmë të njohur me maskimin si: shkëmbim territoresh, bashkim i Luginës, marrëveshjen për pajtim historik.... por të gjitha të kamufluara me qëllim të ndarjes së Kosovës dhe zhbërjen e saj. Më të drejtë shkruan edhe gazeta prestigjioze austriake ‘Der Standard’ se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një nga përkrahësit e idesë për ndarje të Kosovës, duke forcuar partneritetin me Serbinë në këtë ide meskine serbe e ruse. Pra, sikurse Kreta e vitit 1997 edhe Nishi i vitit 2016, janë 'forume' fatkeqe e tradhtie për Kosovën. Këto veprime janë thikë pas shpine Kosovës. Gazeta austriake me plot arsye i krahason Ramën e Vuçiqin si hyrje në pazare për ndarje të Kosovës, me përpjekjet e dy ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Tugjman- Milosheviq, për ndarjen e Bosnjës. E për këtë plan dihen pasojat! Çdo plan për ndarje ka edhe tragjedinë e vet. E kjo lojë i është kurdisur edhe Kosovës në momentet më delikate të saj. Janë zgjedhur pikërisht momentet e rëndësishme për Kosovën, siç janë konsolidimi ushtarak dhe integrues (liberalizimi i vizave, anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë UNESCO, INTERPOL, BE....), që shteti i ri të shantazhohet e pengohet në këtë proces”, vlerësoi Bojaj për “Kosova Sot”.

Ushtria ua ngjall shpresat qytetarëve

Sado që shtypi ndërkombëtar ka raportuar për plane e takime të zhvilluara në mënyrë sekrete për ndarjen e Kosovës, në mes treshes Rama-Vuqiq-Thaçi dhe me ndërmjetësues të tjerë të organizatave ndërkombëtare, si të Sorosit, ata besojnë që pas votimit të ushtrisë nga Kuvendi i Kosovës, po këta deputetë nuk do të lejojnë për asnjë çmim që në Kuvendin e Republikës të vijë për votim ndonjë marrëveshje, e cila cenon sovranitetin dhe integritetin e shtetit. Kaq i bindur shprehet për “Kosova Sot” qytetari Mirsad Krasniqi. “Pozicionimi aq i qartë i SHBA-ve karshi Republikës së Kosovës, mbështetje aq e fuqishme për formimin dhe avancimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës,  na bën të shpresojmë që edhe në të ardhmen do ta kemi mbështetjen e njëjtë për të mos i ndryshuar kufijtë e këtij shteti, sado që deri më tani është folur e raportuar për plane e takime të ndryshme në mes të presidentit Thaçi, kryeministrit Rama dhe presidentit serb Vuçiq, të cilët në tavolinë të bisedimeve paskan pasur edhe planin me opsionin për shkëmbim të territoreve”, theksoi Krasniqi. Një pritje të tillë e ka edhe qytetari tjetër, Reshat Salihi.“Tani me Serbinë mund të bisedohet vetëm në pozita si dy shtete të barabarta dhe vetëm për çështje të interesit të përbashkët ndërshtetëror, nëse Serbia e njeh realitetin e ri të krijuar në Kosovë, nëse Serbia pajtohet më në fund dhe kërkon fjale për krimet që ka bërë në Kosovë dhe pranon ta bëjë kompensimin e tyre, t’i kthen të pagjeturit dhe të harrojë  kërcënimet kundër shtetit të Kosovës dhe kërkesat për shkëmbim territoresh”, potencoi Salihi.

 

 

(Kosova Sot)