Bëjeni VETTING-un ose e imponojnë ndërkombëtarët

  • 15 December 2018 - 07:55
Bëjeni VETTING-un ose e imponojnë ndërkombëtarët

Kapiti: Për VETTING-un, për rëndësinë jetike të tij, këtë si kauzë kombëtare e ka pothuajse vetëm gazeta "KOSOVA SOT"

 “Qeveria duhet ta marrë seriozisht çështjen e hartimit të Ligjit të VETTING-ut, nëse nuk dëshiron që këtë ta bëjë me presion ndërkombëtar. Po aq përgjegjësi dhe mundësi ka edhe Kuvendi i Kosovës, si organ ligjvënës, që me Kushtetutë e ka të garantuar mundësinë e inicimit të nismave legjislative nga grupet e deputetëve. Duke u bazuar në këtë mundësi, secili deputet duhet të angazhohet për të kontribuar në hartimin e Ligjit për Vetting-un, është shumë i domosdoshëm sepse është koha për reforma të thella në sistem”, thotë analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po vazhdojnë ta shohin procesin e VETTING-ut në drejtësinë kosovare, si nevojë   urgjente që duhet bërë, ngase një proces i tillë do të ndikonte që të  ndryshojë tërësisht struktura e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi që shumica e tyre janë të deleguar të politikës dhe mafio-oligarkisë.  Njohësit e kësaj fushe mendojnë se vetëm pas një VETTING-u nën mbikëqyrjen amerikane dhe të BE-së do të mund të ndryshonte edhe përbërja e KGJK-së dhe KPK-së dhe do të mundë të zgjidhej KGJK-ja, por dhe KPK-ja si kupolë apo mini- qeveri e gjyqësorit, me një zgjedhje të drejtpërdrejtë nga gjyqtarët e prokurorët me vota të fshehta. Madje me këtë formë veprimi vlerësohet se do të kishim dy institucione me kredibilitet nëse kupolat e drejtësisë do të zgjidheshin me votë të fshehtë. Kjo mostër mund të shërbejë për Kosovën, për reformim të thellë të sistemit, pasi që edhe në Shqipëri, pas VETTING-ut, KLGJ dhe KLP kanë prodhuar një kastë tjetër të njerëzve që konsiderohet që janë të pandikuar nga politika dhe nuk i japin llogari politikës.

Kapiti:  “Kosova Sot”, meritore për sundimin e ligjit

Njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti, thotë se me aplikimin e VETTING-ut preken për ndryshim pozitiv të gjitha segmentet e institucioneve të sundimit të ligjit, prandaj domosdoshmërisht nevojitet mbështetje ndërkombëtare, në këtë rast një asistencë  amerikane sipas modelit që u zbatua edhe në Shqipëri.  “VETTING-u do të ishte kryereforma, e cila i duhet Kosovës, pasi VETTING-u do të mundësonte reformimin e shtetit të Kosovës. Kjo sepse shteti identifikohet me drejtësinë dhe një VETTING në drejtësi do të thotë ndërtim dhe funksionin i shtetit të së drejtës. Një gjë e tillë është jetike për Kosovën, për konsolidimin e demokracisë, të shtetit e të integrimit. VETTING-u do ta çmontonte krimin dhe korrupsionin nga sistemi dhe do ta vinte në lëvizje dhe në funksionim ligjin, shtetin dhe demokracinë, si dhe vetë shoqërinë kosovare. Ky VETTING nuk mund të bëhet pa ndihmën dhe kontributin e SHBA-së, gjë të cilën e vërteton fakti se as politika, as drejtësia, por çuditërisht as shoqëria civile dhe as imediat në Kosovë, nuk e kanë asnjëra as agjendë të tyre nismën për ndërmarrjen e miratimit të një ligji VETTING-u në Kosovë. Për VETTING-un , për rëndësinë jetike të tij, këtë si kauzë kombëtare e ka pothuajse vetëm gazeta "KOSOVA SOT", se cilës i duhet bashkangjitur në këtë mision të saj edhe rinia kosovare, e cila është e ardhmja e kombit dhe se të ardhmes i përket ajo se çfarë ndërtohet sot, pra duhet të ndërtohet shteti ligjor kosovar, të cilit i paraprin VETTING-u”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Deputetët të zgjohen

Edhe profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se pas aktit historik të votimit të ushtrisë në Kuvendin e Kosovës shteti po hyn në një fazë të re, të cilën duhet ta konkretizojmë me fuqizimin e sundimit të ligjit, prandaj prioritet mbi prioritete tani duhet të jetë reforma e thellë e sistemit të drejtësisë që nuk mund të realizohet pa ligjin e VETTING-ut. “E kemi cekur disa herë, por duhet ta ripërsërisim edhe tani se është koha që nuk pret më shumë. Qeveria duhet ta marrë seriozisht çështjen e hartimit të Ligjit të VETTING-ut, nëse nuk dëshiron që këtë ta bëjë me presion ndërkombëtar. Po aq përgjegjësi dhe mundësi ka edhe Kuvendi i Kosovës, si organ ligjvënës që me Kushtetutë e ka të garantuar mundësinë e inicimit të nismave legjislative nga grupet e deputetëve. Duke u bazuar në këtë mundësi, secili deputet duhet të angazhohet për të kontribuar në hartimin e Ligjit për Vetting-un, është shumë i domosdoshëm sepse është koha për reforma të thella në sistem”, u shpreh ai.“Obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese që kanë këta të zgjedhur me votën e qytetarëve duhet të merren seriozisht, gjë që nuk ka ndodhur gati asnjëherë deri më tani. Sikur që është provuar në të shumtën e rasteve, kjo pozitë e kriminalizuar asnjëherë nuk është angazhuar dhe nuk ka pranuar që  duhet të ketë një ligj për vetting. Këta janë sjellë në këtë mënyrë sepse pothuajse kolektivisht qëndrojnë prapa drejtësisë së kapur dhe nuk kanë vullnet për ta liruar atë që të veprojë në mënyrë të pavarur”, vijoi më tej Burjani. Sipas tij, nëse pozita vazhdon të sillet me këtë papërgjegjësi, atëherë është momenti që të lëvizë opozita dhe të ofrojë alternativën e vet.

Burjani: Kuvendi të hartojë ligjin

“Le të dëshmohen grupet parlamentare opozitare, sepse është koha  dhe duhet të gjendet mundësia për të hartuar Ligjin VETTING, për të zbardhur çdo punë të së kaluarës së kujtdo qoftë, qoftë në prokurori, në gjyqësi apo në administratë gjyqësore. Pra, opozita duhet vetë të marrë iniciativë dhe ta hartojë Ligjin për Vetting-un, le ta sfidojë në këtë mënyrë pozitën nëse ata vazhdojnë ta injorojnë një gjë të tillë. Opozita nuk duhet të sillet në atë mënyrë që të gjejë disa pika të dobëta dhe vetëm të kritikojë për krim të organizuar e korrupsion, por nëse ata vërtet e ndiejnë veten të pastër si opozitë le të veprojnë me masa konkrete. Le të marrin grupe ekspertësh si konsulencë dhe të nisin të hartojnë dhe propozojnë ligjin në Kuvend. Në të kaluarën kemi pasur disa praktika kur nismat legjislative të deputetëve janë hartuar dhe janë miratuar në Kuvend. Le të veprohet kështu edhe me VETTING-un, nëse qeveria nuk e  futë atë në prioritet të planit legjislativ për vitin vijues”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Drejtësia bashkëjeton me krimin

“ Tema e Vetting-ut duhet të trajtohet në shoqërinë kosovare dhe në medie si temë ditore, derisa ajo të futet në agjendën institucionale dhe të bëhet ligj. Po e potencoj këtë pasi që e dimë mirëfilli që të gjithë se në sistemin e drejtësisë kosovare mbizotëron padrejtësia,  mungon llogaridhënia para ligjit dhe  mungon ndëshkimi për shkelësit dhe abuzuesit e ligjit. Një proces VETTING-u do të hapte rrugë të qartë për të krijuar institucione të reja kredibile dhe transparente në raport me opinionin publik, institucione të drejtësisë që zbatojnë vetëm ligjin dhe jo urdhrat e politikë me të cilën tani drejtësia po bashkëjeton e involvuar në abuzim me ligjin.  Le të shpresojmë që në këtë projekt të vonuar tani do të kemi një mbështetje shumë më konkrete nga miqtë ndërkombëtarë, sepse pas hapit që ndërmorëm në krijimin e Ushtrisë së Kosovës, së bashku me aleatët, në këtë rast SHBA-të kërkohet funksionalizimi i shtetit të së drejtës dhe për ta bërë këtë strukturat e tanishme të drejtësisë, të të gjitha niveleve, edhe të policisë, duhet të kalojnë provimin e madh të VETTING-ut”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

 

(Kosova Sot)