Sahatqija: Diaspora ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë

  • 15 December 2018 - 09:26
Sahatqija: Diaspora ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, ka organizuar mbrëmjen e falënderimeve për fundvit, duke ndarë mirënjohje për personalitetet të ndryshme, të cilët më punën dhe angazhimin e tyre kanë kontribuar për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Me këtë rast, ambasadorja Teuta Sahatqija, shefe e misionit konsullar të Kosovës në New York, tha se në fund të vitit, secili bën një rezyme të ngjarjeve që i ka përjetuar, si të sukseseve dhe njëkohësisht edhe të sfidave më të cilat është ballafaquar.

Ajo tha se më punën që është bërë, Kosova sot i ka mundësitë që të garojë në sport e muzikë, të bëhet pjesë e tregut global, dhe të korrë suksese në teknologjinë informative, ekonomi dhe të japë vlerën e shtuar në të gjitha fushat.

Po ashtu, ajo përmendi edhe votimin në Parlamentin e Republikës së Kosovës, të pakos së ligjeve për transformimin e Forcave të Sigurisë, në Ushtri të Kosovës, me të cilën forcohet sovraniteti shtetëror.

“Ne i jemi falënderues përgjithmonë diasporës për mbajtjen gjallë të shpresës për liri, në kohët e pashpresa, falënderojmë që mbajtën familjet, shkollimin, shtetin paralel kur shteti okupator na shtypte e angazhohej që Kosova të mos flet shqip. Prandaj ju ishit zëri ynë kur ne nuk kishim zë”, theksoi Sahatqija.

Ajo shtoi se diaspora që vazhdon të mbështesë fjalën e lirë dhe informimin duke luftuar largësinë dhe duke i lidhur shqiptarët anë e mbanë botës; duke mbështetur ekonominë përmes profesionistëve, që ne mos ta shtrijmë dorën askujt por të jemi zot të vetvetes duke mbështetur shkollimin suprem si armën më të fuqishme që e mbron dhe e avancon një komb si dhe fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Përndryshe, personalitetet që u nderuan në këtë mbrëmje, ishin të fushës së gazetarisë, të edukimit, dhe të fuqizimit të pozitës së gruas, dhe për të gjithë ata që dhanë kontribut për fuqizimin e të rinjve profesionist.

Këtë mbrëmje e bënë edhe më madhështore me preformancën e tyre artistet Klodiana Kabashi-Morina me flautë dhe Elona Muça piano. 

 

(Kosova Sot)