Bojaj: Edi Rama është një nga përkrahësit e idesë për ndarje të Kosovës

  • 15 December 2018 - 12:01
Bojaj: Edi Rama është një nga përkrahësit e idesë për ndarje të Kosovës

Analisti politik Ramiz Bojaj thekson se akoma duhet pasur kujdes nga rreziku i planeve të tilla. "Edhe plani i zhbërjes së Kosovës filloi dy vjet më parë në Nish (Serbi), pikërisht pas takimit Rama-Vuçiq (tetor 2016). Jorastësisht atje ishte biseduar për 'Trepçën' dhe Kosovën, por pa praninë e zyrtarëve shtetërorë të Republikës së Kosovës.

E keqja e këtij takimi 'miqësor' është se polli më vonë, kur u shpërfaq ideja e rrezikshme për ndarjen e vendit tonë tashmë të njohur me maskimin si: shkëmbim territoresh, bashkim i Luginës, marrëveshjen për pajtim historik.... por të gjitha të kamufluara me qëllim të ndarjes së Kosovës dhe zhbërjen e saj. Më të drejtë shkruan edhe gazeta prestigjioze austriake 'Der Standard' se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një nga përkrahësit e idesë për ndarje të Kosovës, duke forcuar partneritetin me Serbinë në këtë ide meskine serbe e ruse.

Pra, sikurse Kreta e vitit 1997 edhe Nishi i vitit 2016, janë 'forume' fatkeqe e tradhtie për Kosovën. Këto veprime janë thikë pas shpine Kosovës. Gazeta austriake me plot arsye i krahason Ramën e Vuçiqin si hyrje në pazare për ndarje të Kosovës, me përpjekjet e dy ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Tugjman- Milosheviq, për ndarjen e Bosnjës. E për këtë plan dihen pasojat! Çdo plan për ndarje ka edhe tragjedinë e vet. E kjo lojë i është kurdisur edhe Kosovës në momentet më delikate të saj. Janë zgjedhur pikërisht momentet e rëndësishme për Kosovën, siç janë konsolidimi ushtarak dhe integrues (liberalizimi i vizave, anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë UNESCO, INTERPOL, BE....), që shteti i ri të shantazhohet e pengohet në këtë proces", vlerësoi Bojaj për "Kosova Sot".

 

Lexo edhe këtë: Treshes Thaçi-Vuçiq-Rama iu ngeci në fyt ndarja

(Kosova Sot)