21 të vdekur dhe 61 të plagosur nga dhuna etnike në Etiopi

  • 15 December 2018 - 12:07
21 të vdekur dhe 61 të plagosur nga dhuna etnike në Etiopi

Agjencia shtetërore e lajmeve në Etiopi ka njoftuar se luftimet e ashpra mes grupeve etnike në pjesën jugore të vendit afrikan kanë lënë të vdekur të paktën 21 persona, ndërsa 61 janë plagosur. Luftimet erdhën si pasojë e daljes nga kontrolli të dhunës që i ka detyruar shumë njerëz të shpërngulen përtej kufirit, në shtetin fqinj të Kenias.

Dhuna në pjesën jugore të vendit ka shpërthyer pasi në mars në pozitën e kryeministrit u zgjodh Abiy Ahmed, i cili i përket grupit etnik të Oromos dhe është kryeministri i parë nga ky grup në historinë moderne të Etiopisë. Luftimet u zhvilluan mes grupit Oromo dhe somalezëve. Suraw Mohammed, zëdhënës i një rajoni somalez, tha se të zhvendosurit kanë shkuar në Kenia, ndërsa ata që kanë mbetur në Etiopi kanë marrë ndihma humanitare.

Edhe më herët gjatë këtij viti, të paktën pesë mijë etiopianë u detyruan të zhvendosen në Kenia, pasi disa civilë ishin vrarë në një aksion të ushtrisë së vendit kundër militantëve që veprojnë në pjesën jugore të shtetit. “Njerëzit po vriten, bizneset po shkatërrohen dhe shtëpitë po digjen në luftimet mes dy grupeve”, tha Wario Sora, aktivist i të drejtave të njeriut në Kenia, shkruan “Reuters”.

 

(Kosova Sot)