Përfundon fushata për pastrimin e Kosovës, 803 deponi mbeturinash më pak

  • 15 December 2018 - 17:03
Përfundon fushata për pastrimin e Kosovës, 803 deponi mbeturinash më pak

Fushata tre mujore për pastrimin e Kosovës, e filluar me 15 shtator 2018, ka përfunduar sot, pas 3 muajve të aktiviteteve të shumta në tërë Kosovën.

Gjatë kësaj periudhe me angazhimin e institucioneve, “Let’s Do It Kosova” e mijëra vullnetarë, janë larguar 803 deponi ilegale dhe shumë mbeturina përreth rrugëve e në hapësira publike.

Fushata për pastrimin e Kosovës ka mobilizuar rreth 10% të popullsisë së Kosovës, me rreth 200 mijë qytetarë anekënd Kosovës.

Si rezultat i suksesit që ka arritur kjo fushatë, “Let’s Do It World” ka shpallur Kosovën si shtetin më aktiv dhe më të suksesshëm në fushatën “World Cleanup Day 2018”.

Me rastin e përfundimit të fushatës, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe drejtori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj falënderojnë anëtarët e task-forcës për angazhimin e tyre institucional, komunat, shoqërinë civile, vullnetarët, mediat dhe gjithë qytetarët e Kosovës për angazhimin e tyre për pastrimin e Kosovës.

Me datën 10 janar 2019 do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për komunat më aktive dhe më të suksesshme të kësaj fushate, e të cilat do të shpërblehen me fonde për realizimin e projekteve në fushën e mjedisit për vitin 2019.

MMPH dhe “Let’s Do It Kosova” iu bëjnë thirrje komunave që pas kësaj fushate të pastrimit të angazhohen në mirëmbajtjen e hapësirave publike, të mos lejojnë krijimin e deponive të reja ilegale, të zbatojnë udhëzimin për ndëshkime me gjoba mandatore, të punojnë në shtrirjen e shërbimeve për mbeturina, si dhe krijim të zonave të gjelbra. Gjithashtu ata bëjnë apel tek qytetarët për mos hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, për të mbajtur Kosovën të pastër.

Në fund të kësaj fushate, Matoshi është deklaruar që angazhimi i tij dhe i ministrisë që ai drejton, do të vazhdojë edhe më tej në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë, përmes trajtimit efikas të tyre, duke reduktuar ndotjen e mjedisit dhe duke i shndërruar ato në përfitime për vendin.

 

(Kosova Sot)