Lufta për merita turpëron oligarkët

  • 16 December 2018 - 08:29
Lufta për merita turpëron oligarkët

Kelmendi: Kjo Ushtria jonë është arritur falë miqve tanë, e veçanërisht SHBA-së

“Gara se kush do të fotografohet më parë me uniformë, edhe pse shumë prej tyre kishin qenë destruktivë në këtë proces, është e padinjitetshme, përfshirë këtu edhe presidentin, i cili në nguti për të mbërritur i pari para kamerave, për të marrë publicitetin dhe meritat, si duket nuk arriti të gjejë edhe pjesën e poshtme të uniformës”, thotë analisti Fadil Lepaja për “Kosova Sot”

Ambasadori amerikan në Prishtinë e quajti një votim historik që do të mbahet në mend, vendimin e ditës së premte të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët votuan për formimin e Ushtrisë. Ndërkohë, sipas njohësve të rrethanave politike që nga pas lufta e deri më sot, liderët kosovarë  u shtynë në mes vete që të marrin meritat për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Sipas analistëve dhe deputetëve opozitarë, presidenti i vendit Hashim Thaçi veproi si një maniak i protagonizmit, duke vrapuar në kazermën e FSK-së i veshur gjysmushtarak e gjysmëzyrtar, duke shkaktuar edhe skandal protokollar.

Deputeti Ali Lajçi,për gazetën “Kosova Sot”, pas përfundimit të seancës së Kuvendit tha se sjellja e djeshme e Thaçit që e bëri në garnizonin e FSK-së, ku ishte i veshur si gjysmushtarak e si gjysmëzyrtar, nuk duhet që të na habisë fare dhe ai e ka shkaktuar një skandal protokollar dhe ka qenë një fyerje për FSK-në. “Mos të çuditemi me sjelljen e Hashim Thaçit, sepse atij ka kohë që i ka humbur rruga midis oborrit e nuk po di as çka po flet”, potencoi ai.

 Lepaja: Gara për merita, e padinjitetshme

Analisti politik Fadil Lepaja, për gazetën " Kosova Sot", thotë se padyshim Ushtria e Kosovës ishte hallka institucionale, e cila i mungonte Kosovës, në rrugën e saj të të bërit shtet. “Këmbëngulja e kryeministrit Haradinaj dhe lobit shqiptar në SHBA, bënë që kjo ngjarje të ndodhë, përkundër rezervave që kishte qoftë në politikën kosovare, qoftë tek vendet e BE-së, madje edhe NATO-s, rreth momentit kur po krijohet dhe  tensioneve që po shkaktohen në relacion me fqinjin tonë verior dhe përkrahësit e saj në skenën ndërkombëtare, sidomos Rusisë”, u shpreh ai. “Qëndrimi paluhatur i SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve të tjera të rëndësishme në NATO, përkundrejt kërcënimeve nga jashtë dhe hezitimeve të disa vendeve brenda vetë NATO-s, po e bën realitet Ushtrinë e Kosovës. Kjo bëri që skena politike e Kosovës të jetë unike rreth kësaj çështjeje dhe të jenë të gatshëm që ta votojnë këtë në Parlament, si kanë deklaruar të gjitha subjektet shqiptare”, vijoi më tej Lepaja. “Gara se kush do të fotografohet më parë me uniformë, edhe pse shumë prej tyre kishin qenë destruktivë në këtë proces, është e padinjitetshme, përfshirë këtu edhe presidentin, i cili në nguti për të mbërritur  i pari para kamerave për të marrë publicitetin dhe meritat, si duket nuk arriti të gjejë edhe pjesën e poshtme të uniformës”, vlerësoi ai. Ai thotë se Ushtria e Kosovës është vazhdimësi e politikës institucionaliste  të shqiptarëve gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila më vonë u transformua në TMK dhe FSK, për të marrë përfundimisht formën përfundimtare që e ka sot.

 Ushtria është e të gjithëve

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane,Jeton Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, tha se ajo që kemi parë dje është një sharlatanizëm  i sojit të vet të presidentit Hashim Thaçi. “Është një keqpërdorim i paskrupullt  i Hashim Thaçit, duke e keqpërdorur, njëherë  TMK-në më vonë FSK-në, për dy dekada e madje ka keqpërdorur edhe individin e vendit. Nuk  janë meritorë këta që thonë se gjoja e kanë bërë Ushtrinë, sepse Kosova fundja ka qenë dashur që moti ta ketë Ushtrinë  e vet dhe si refleksion i Hashim Thaçit e sejmenëve  të tij Kosova deri më sot nuk ka pasur Ushtri, por kjo Ushtri e jona është arritur falë miqve tanë, e veçanërisht SHBA-së”, vlerësoi ai. Kurse analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot", thotë se hapi përfundimtar i krijimit të Ushtrisë së vendit vjen pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n. “Në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë përçarje apo se kush do të jetë bajraktari i themelimit të Ushtrisë së Republikës që u themelua në  Qeverisjen e tashme, por besojmë se duhet pasur koordinim me institucione relevante dhe të reflektojë për shtetin ligjor që deri më sot nuk e patëm,nga kastat e brishta politike që e shkelën çdo herë pa dhënë asnjë llogari askujt, kurse tani qytetari e ka besimin e plotë të forcës më të re që është Ushtria e Republikës”, potencoi ai.

 Thaçi, një kopje e dobët e Rugovës

Ndërsa, eksperti Xhevat Meha, për “Kosova Sot", tha se kjo që ka bërë dje Hashimi është kopje e dobët. “Mund të keni harruar se po ky Hashimi pas lufte dhe derisa bëri shumë para nuk dike të flasë, ngase e kopjonte Ibrahim Rugovën e dilte çorodi. Kur bëni shumë para, se pa para nuk ka qenë që nga lufta, Hashimi u mësua edhe të flasë. Tash iu ka përzier truri krejt me këtë Gjykatën e Hagës, ka mbetur pa ide, e ka kopjuar shokun e vet Edin (Ramën) që me këso lloje veprimesh, që disi të jetë në qendër të vëmendjes, nuk ka rëndësi se me çka. Por, edhe këtu kopja i ka dalë e dobët”, u shpreh ai.

Deklarata e ambasadorit motivoi liderët

Ndërsa, analisti Ragip Guraziu, për gazetën " Kosova Sot", tha se deri në këtë ditë, të formimit të Ushtrisë së Kosovës, Kosova, por edhe shqiptarët si komb, kanë hequr të zitë e ullirit. “Me të drejtë ambasadori amerikan në Prishtinë e quajti një votim historik, edhe që do të mbahet mend formimin e Ushtrisë, sepse në fakt hap një kapitull të ri për sigurinë në vend e më gjerë. Dhe, si duket, kjo deklaratë e mikut amerikan i shtyu liderët kosovarë që të nguten t’i marrin meritat për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Kështu veproi edhe presidenti Thaçi , si një maniak i protagonizmit, duke vrapuar në kazermën e FSK-së, i veshur gjysmushtarak e gjysmëzyrtar, duke shkaktuar edhe skandal protokollar”, potencoi ai. “Me gjithë këto veprime të Thaçit, kjo  edhe nuk do të thotë se Ushtria e Republikës së Kosovës nuk është pronë private dhe pronë e askujt, siç mund të provojnë disa liderë të mbrapshtë ta trajtojnë. Sepse, të jesh shtet e të mos kesh ushtri në të vërtetë nuk je tamam shtet. Kjo është festë dhe gëzim për qytetarët, dhe me krijimin e Ushtrisë sonë është një moment që duhet të na bëjë që të reflektojmë për shtetin ligjor,të cilin që nga pas lufta ende nuk e kemi, duke menduar kësisoj për paqen, sigurinë dhe demokracinë po ashtu që  po na mungon në Kosove”, theksoi Guraziu.

  Qytetarët e dinë kë duhet të falënderojnë

Qytetarët thonë se mbesin të indinjuar se si u shtynë liderët kosovarë që të marrin meritat për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, kur këtë meritë kryesore e ka SHBA-ja.Kësisoj, qytetari, Rrahman Rrahmani nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot “,thotë sevërtet jemi të indinjuar se si të gjithë liderët tanë të pasluftës deri më sot sikur kanë bërë garë njëri me tjetrin duke u shtyrë njëri me tjetrin që të marrin meritat për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. “Por, ata e kanë të kotë, sepse populli e di se sikur mos të ishte SHBA-ja dhe aleatët tanë, edhe sot Kosova do të ishte akoma nën sundimin e  Serbisë dhe nuk do ta kishim as Pavarësinë e as Ushtrinë. Prandaj, edhe themelimi i Ushtrisë së Kosovës është meritë kryesore e miqve tanë, SHBA-së dhe populli këtë e dinë”, u shpreh ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Ismail Hamiti, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se sado që dikush nga liderët tanë mundohet që të tentojnë që meritat për themelimin e Ushtrisë sonë t’ia atribuojë vetes, duke e cilësuar veten si më meritorin, se ai e ka themeluar Ushtrinë, ai lider e ka gabim, sepse të gjithë e dinë se pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tanë, por edhe pa luftën e  UÇK-së, Kosova nuk do të pavarësohej kurrë dhe së këndejmi, kjo vlen edhe për formimin e Ushtrisë sonë. “Kushdo nga liderët tanë qofshin presidenti, kryeministri apo kryeparlamentari aktual, apo edhe dikush nga liderët e opozitë që duan t’ia veshin vetes meritat për themelim të Ushtrisë, ata e kanë gabim. Sepse, duhet thënë troç se Ushtrinë tonë e themeloi SHBA-ja”, ka thënë Hamiti.

(Kosova Sot)