Taksa shton importet nga Turqia dhe Gjermania, dhjetëra biznese në vështirësi

  • 16 December 2018 - 08:34
Taksa shton importet nga Turqia dhe Gjermania, dhjetëra biznese në vështirësi

Bashkimi Evropian, eksportuesi kryesor në Kosovë

Pas këtyre masave, bizneset po na tregojnë si AKB, se edhe sa është rritur numri i të punësuarve në këtë periudhe, ku në industrinë ndërtimore është rritur 20 për qind, në atë ushqimore 15 për qind, transport 20 për qind, tregti e shërbime 10 për qind, kurse në 35 për qind të bizneseve nuk ka pasur rritje. Ndërsa, se a kanë pasur vështirësi të bënin zëvendësimin me produkte të tjera, 55 për qind e bizneseve vendore kanë treguar se nuk kanë pasur problem, 25 për qind thonë se kishin vështirësi dhe 20 për qind nuk kanë bërë zëvendësim", thotë për "Kosova Sot" kreu i AKB-së, Agim Shahini Rënia e tregtisë me Serbinë ka ndikuar që të rriten shkëmbimet tregtare me vende të tjera. Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e taksës 100 për qind në mallrat serbe, është rritur niveli i eksportit të mallrave nga Gjermania dhe Turqia. Vetëm derisa para tri javësh, Serbia i printe listës së shteteve prej të cilave Kosova blinte më së shumti mallra, të gjitha të dyshimta. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se Serbia ka eksportuar zyrtarisht mallra në Kosovë brenda vitit mbi 440 milionë euro, ndërsa sipas njohësve të kësaj fushe, këtu duhet llogaritur plus edhe mbi 200 milionë euro të tjera, aq sa llogaritet që kanë hyrë në të "zezë", pra që si mallra janë kontrabanduar. Analistët dhe deputetët e koalicionit ankohen se si shteti i Kosovës ia ka mundësuar Serbisë që për më shumë se 19 vjet të fitojnë gati nga 700 milionë euro çdo vit. Ata vlerësojnë se qytetarët duhet që të vazhdojnë të bojkotojnë të gjitha produktet serbe, derisa shteti i Kosovës nuk duhet lejuar kurrë e kurrsesi që Serbia edhe në të ardhmen të fitojë nga 700 milionë euro në vit nga viktimat e tij, duke e arritur këtë përmes bizneseve të mafio-oligarkëve kosovarë, të cilët përfaqësojnë dhe po shesin produktet serbe në Kosovë. Dyshohet se në kontrabandën me Serbinë janë përfshirë edhe politikanët Deputeti i tashëm i Kuvendit të Kosovës , Enver Hoti(Nisma), për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk ka asnjë dyshim se pas vendosjes së këtyre masave qytetarët tanë duhet që të vazhdojnë t'i bojkotojnë të gjitha produktet serbe dhe na duhet një propagandë shumë më e madhe e shtetit që të rritet nacionalizimi ekonomik. "Kjo, sepse vetëm deri para tri javësh listës së importit të mallrave nga jashtë i printe Serbia, që ishte në krye të shteteve dhe listës së shteteve prej të cilave Kosova blinte më së shumti mallra, të gjitha të dyshimta", u shpreh ai. "Edhe sipas shifrave zyrtare të Serbisë, zyrtarisht e kanë pranuar se në Kosovë e kanë humbur një treg, ku brenda vitit kanë qenë mbi 440 milionë euro eksporte, pa i llogaritur këtu edhe mbi 200 milionë euro, sa llogaritet se kanë qenë mallra që kanë hyrë përmes kontrabandës apo si njihet në opinion në të 'zezë'", vijoi më tej Hoti. Porosia e tij është se shteti i Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që kurrë në të ardhmen Serbia të fitojë sërish çdo vit nga 700 milionë euro nga viktimat e tij shqiptarë të Kosovës. "Dyshimet e bazuara dhe faktet po na flasin se tërë këtë biznes po i ndërmjetësojnë grupet e mafiooligarkëve kosovarë, të cilët përfaqësojnë dhe shesin produktet serbe në Kosovë, emrat e të cilëve opinioni vendor tashmë i dinë, ngase disa janë edhe në politikë dhe deputetë", shpjegon Hoti. Sipërmarrja vendore me shifra të përmirësuara Lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB), Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot", tha se pas futjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës bizneset tregtare të Kosovës janë treguar shumë fleksibile në gjetjen e partnerëve të rinj dhe zëvendësim të shpejtë të produkteve të importuara nga Serbia. "Dhe, e mira është se këto masa kanë ndikuar në rritjen e lehtë të çmimeve, por jo në masën e propaganduar, se pa mallra serbe do të çrregullohet tregu tërësisht dhe do të ketë katastrofë humanitare dhe kjo del të mos jetë e vërtetë", u shpreh ai. "Me këto masa Kosova po përfiton shumë, si në aspektin ekonomik, duke e ndaluar evazionin fiskal tash e 18 vjet, që mund të jetë disa miliarda euro, ashtu edhe në aspektin politik, që tashmë ka kthyer vëmendjen e gjithë botës kah Kosova", vijoi më tej Shahini. "Nga hulumtimet e bëra nga AKB-ja ka dalë se tek bizneset kosovare masat kanë ndikuar pozitivisht. Kjo, sepse bizneset po tregojnë se sa është rritur shitja e produkteve të tyre në këtë kohë, në industrinë ndërtimore 40 për qind, atë ushqimore 25 për qind, transport 20 për qind, tregti e shërbime 5 për qind e të tjera 10 për qind", potencoi ai. "Pas këtyre masave bizneset po na tregojnë si AKB, se edhe sa është rritur numri i të punësuarve në këtë periudhë, ku në industrinë ndërtimore është rritur 20 për qind, atë ushqimore 15 për qind, transport 20 për qind, tregti e shërbime 10 për qind, në 35 për qind të bizneseve nuk ka pas rritje. Ndërsa, se a kanë pasur vështirësi të bënin zëvendësimin me produkte të tjera, 55 për qind e bizneseve vendore kanë treguar se nuk kanë pasur problem, 25 për qind thonë se kishin vështirësi dhe 20 për qind nuk kanë bërë zëvendësim", ka thënë kreu i AKB-së. Sipas Shahinit, nga kontaktet me bizneset, mësohet se ky furnizim po bëhet nga vendet e BE-së 35 për qind, nga Maqedonia me 20 për qind, nga Shqipëria 20 për qind, nga Turqia 15 për qind, si dhe nga Azia me 7 për qind, kurse nga vendet e tjera me 3 për qind.

TË LEHTËSOHEN TAKSAT Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se në të ardhmen Qeveria jonë, përkatësisht MFja, duhet që të heqë taksat për grurë, misër, miell, vaj, detergjent dhe në produktet e tjera esenciale, që ndikojnë në shportën e konsumatorit. "Të mbështetet promovimi i biznesit vendor më shumë. Sepse, një gjë duhet pranuar se neve që nga pas lufta na ka munguar nacionalizimi ekonomik, ndonëse AKB-ja, për 16 vjet me radhë, ka bërë thirrje për konsum të produkteve vendore, andaj duhet që të kemi prodhime dhe importe të cilësisë më të lartë. Ajo që i duhet Kosovës është rritja e kapaciteteve prodhuese vendore, sepse duhet të kemi prodhim dhe importe me çmime të konkurrueshme, por edhe një furnizim të mjaftueshëm për qytetarët e Kosovës dhe punësim të ri", u shpreh ai.

ZËVENDËSIMI I PRODUKTEVE MERR KOHË Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për "Kosova Sot", tha se zëvendësimi i produkteve serbe me produkte gjermane, turke dhe nga tregjet e tjera, pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës, është një gjë normale dhe e mirëpritur nga konsumatori kosovar. "Edhe pse zëvendësimi i produkteve kërkon goxha kohë, afaristët kosovarë duhet përgëzuar për shpejtësinë e reagimit pozitiv të tyre. Unë besoj se tashmë konsumatori kosovar është vetëdijësuar se edhe kur të hiqen taksat 100 për qind ndaj Serbisë, besoj se Serbia tashmë e ka humbur këtë treg dhe vështirë se ndonjëherë do ta rikthejë. Kjo është një gjë shumë e mirë që po i ndodh Kosovës. Tash e tutje konsumatori kosovar do të ndihet më i sigurt në cilësinë e produkteve që i konsumon", u shpreh ai.

PRODHUESIT VENDORË TË MBËSHTETEN MË SHUMË Ndërsa, eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi,për gazetën " Kosova Sot", tha se Qeveria e tashme duhet që të jetë edhe më e vendosur për të ruajtur sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. "Duhet që të vendoset në pikën 1 në Jarinje dhe atë 31 në Bërnjakë dhe në tërë brezin kufitar me Serbinë, ku duhet që të dërgohen menjëherë pjesëtarë shtesë te Dogana e Policia për të parandaluar kontrabandën. Atje në Veri të Kosovës që nga pas lufta e deri më sot ka qenë kontrabanda më e madhe dhe humbjet e milionave nga evazioni fiskal që kanë qenë me disa qindra miliona euro. Ndërsa hapin tjetër të kësaj apo asaj qeverie cilado qoftë të jetë duhet që të jetë ndihmesa shumë më e madhe për prodhuesit vendorë, sepse pa prodhim vendor nuk ka zhvillim ekonomik të vendit. Ngase, vetëm prodhimi e bën Kosovën të pavarur ekonomikisht dhe e ndal eksportin e parave kesh që po bëhen nga pas lufta e deri më sot, ku vetëm me Serbinë raporti i importit me eksportin ka qenë 9 me 1 në të mirë të Serbisë", thekson ai.

(Kosova Sot)