Imami i Mitrovicës: Krerët shtetëror po e ndiejnë vetën me marre pse janë mysliman

  • 16 December 2018 - 09:31
Imami i Mitrovicës: Krerët shtetëror po e ndiejnë vetën me marre pse janë mysliman

Imami i xhamisë së Shipolit në Mitrovicë, Fatmir Latifi ka shprehur pakënaqësi ndaj krerëve shtetërorë, të cilët, sipas tij, po e ndiejnë vetën me marre pse janë mysliman.

Latifi në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj nuk duhet të bëjë gabime si në të kaluarën, duke u ndjerë i turpëruar.

“Dëgjon deklarata bombastike prej politikanëve, duke thënë pse unë jam mysliman ose pse unë e kam emrin ashtu apo kështu… Nëse e ka thënë Haradinaj i bie përgjegjësia atij, pasi vjen nga një familje heroike, por gabime të tilla ai asesi nuk duhet të bëjë”, tha ai.

Imami ka thënë se ndihet keq kur liderët shtetëror të Kosovës bëhen servilë karshi ndërkombëtarëve, pasi, sipas tij, edhe SHBA edhe miqtë tanë ndërkombëtarë e dinë se ne jemi shumicë myslimane.

“Më dhimbet me dalë servil Presidenti i Kosovës, apo Kryeministri i Kosovës para çdokujt tjetër. Ai që nuk përfaqëson kulturën dhe besimin e familjes së tij, fqinjëve të tij nuk fiton autoritet as te tjetri. Duaje tënden, të respektojnë të tjerët”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Duke folur për figurën e presidentit Hashim Thaçi, Latifi ka thënë se i pari i shtetit është në një situatë delikate, që sipas tij, ose do të shënojë faqen e bardhë të historisë ose do të mbetet në faqen e zezë të historisë shqiptare.

“Lus Zotin që ai të jetë në faqen e bardhë të historisë, sepse është në një pozitë delikate”, tha Latifi.

(Kosova Sot)